Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Jo më zjarrvënësit e Shqipërisë!

Me Sali Berishën në krah dhe pushtetin në zemër, Albin Kurti ia ka mësyrë historisë! Paterica e re, Sali Berisha, nuk është e as mund të bëhet dashuria dhe përkushtimi i askujt veprimtari idealist të LVV-së. Janë dy fronte ndryshe, ndryshe, por një toke e qielli, një gjaku dhe një gjuhe!

Rrita artificiale politike, kur vie si produkt i gabimeve të të tjerëve, bëhet vetiu një thes me shumë ujeme. Si puna e mullixhiut! Drith ka gjithëherë, por asnjëherë nuk e di ç’përzierje. Punë Ujemi ma! Andaj, drejtuesit e Vetëvendosjes duhet ta dinë këtë përdallueshmëri mbështetësish të saj dhe për këtë duhet të kujdesen fort kë po e lënë në mulli atje në Tiranë dhe çfarë po gatuhet me millin e tyre e në emër të tyre!

Tirana nuk duhet e as mund të bllokohet për Astirin edhe sikur të tërë të ishin në të drejtën e tyre e jo më që një pjesë e tyre janë jo uzurpator hallegjinj (për të cilët shteti duhet të gjej zgjedhje), por uzurpator recidiv nëpër shumë qytete të Shqipërisë! Uzurpatorët recidiv të cilët nuk legalizoheshin dot edhe nuk mund të marrin kompenzimet e përmasës së grykësisë. Ky lloj biznesi në kurriz të komunitetit i ka bërë kriminel dhe kriminelët vetëm atë zanat kanë, ta mbajnë të gjallë krimin derisa të mbyten në fatin e tij.

T’i vish në krah përdorjes politike të kësaj klase është krim z.Kurti!

Ndërtimi i përkrahjes politike mbi fatkeqësitë e vendit tënd është jo vetëm faj por është krim me dashje. Banorët e Astirit ka një vit e sa që po përdoren nga politika syleshe e Lulit të Berishës. Meqë Lulashët berishist i humbën gjithë argumentat politik dhe zbuan bashkëpartiakët nga partia, me çka bënë shesh për përshesh, mbetën në cedillë të braktisur edhe nga populli opozitar. Rrugës së gabimit ata humbën gjithçka, pra edhe busullën e të qenit subjekt politik. Në një gjendje të tillë mjerimi, ata iu turrën edhe njëherë Shqipërisë për ta djegur. Shpresat e vjerrura për një luftë civile shpejt u ranë në ujë, edhe pse nuk lanë gur pa lëvizur. Berisha nuk donte zgjedhje! Ai e dinte sa do i vlente lëkura. Ai donte kreun e partisë. Pak rëndësi kishte sa do mbeteshin në parti. Ata nuk do mateshin te kutitë dhe kështu do mbeteshin violina e parë opozitare dhe dora e vetme drejtuese. Të qenit drejtues opozite i bëri ata të rezistonin përmes dorës së fortë të Presidentit Meta në shtyrje të të gjitha rreziqeve, edhe pse kjo nuk do të ndodhë pafundësisht. Gjykatat një ditë do bëhen!

Pikërisht, kur kjo pafundësi po i vie në lak z.Berisha dhe Berishistëve djathtas e majtas, vjen dhe vetvëhet kurbani për gjakun e ri të flijmit Vetvendosja. Diçka e pazakont kjo, ndaj na fut në hamendësime:

Të jetë vallë LVV një grumbullim inertiv?

Ne në Kosovë, më së paku do donim të ishte kjo Saga e këtyre 15 viteve egzistencë të saj, jo për vet egzistencën e saj sa për faktin se ajo (nëse nuk ia kurdisin), ka fituar zgjedhjet dhe po vie me mbështetjen popullore në kurriz të zhgënjimit të madh: “Ta provojmë edhe këtë, tjetër nuk ka mbetur këtu!”

Kaq mundën të bëjnë partitë që drejtuan shtetin në këto dy dekada! As marrëveshja Jugosllavo-Turke për deportimin e shqiptarëve nuk bëri më shumë se këta në shpopullzimin e vendit.

A ia vlenë z.Kurti, që refleksin e këtij zhgënjimi ta mbysim në hullinë berishiste të Astirit?

Kaq për Kosovën të cilës po i humbet Vetvendosja në të Litat e Sali Berishës!

Shqipëria nuk është më ajo, ku berishët u hypin tenkave, Parlamentit e Kryeministrisë dhe i kallnin e i merrin sa herë të donin! Koha e bandave politike iku. Ata që i shërbyen symbylltazi me veprime në teren edhe deri me thyerje institucionesh e molllotov, sot po vuajnë dënime derisa shtytësit e tyre po ndrrojnë vilat për fëmijët e tyre!

Këtë e dinë edhe krerët LVV-së që keni vënë në Tiranë zoti Kurti! Z. Hoxha, Feraj apo Abazi e kushdo tjetër që ju ka futur në hullinë e zjerrvënësve të Shqipërisë nuk janë gjë tjetër veqse mendje të thara mbetur nëpër mullinj të erës me do kopje Sanço Pançosh tek e yshtin Don-in e tyre në gjellën e gabuar! Pak humor të zi: Çuditërisht, mbase ishit i zënë me Astirin dhe minimizuat edhe ca kundërshti antishtet gjithandej Shqipërisë ku po burgoseshin e kërkoheshin për vraasje e kontrabandë drogash a vepra tjera goxha kriminel. Ndihni edhe ata se shteti është fajtori e Shqipëria ka nevojë për djemtë e përdalë, për ta shtuar numrin e dhunuesve të saj!

Përtej këtij shpërthimi, edhe mua sikur të gjithëve në Kosovë na duhet një Vetvendosje, e cila i kupton limitet e veprimit politik. Tashmë nuk mund të thuhet se ajo është në adoleshencën e saj politike e cila mjerisht asnjëherë nuk iu shqit. Kur tejkalohen limitet populli thotë se dilet në serrnishtë. Lajthitja dhe faji janë të ndryshëm!

Politikbërja me shumë gabime e faje në Kosovë defaktorizoi gjithçka, degradoi gati gjithçka dhe uli steken e vlerave deri në atë masë sa mjaftoi zhurma kundërshtuese të bëheshte shpresa e ardhshme! Nëpër kësi procesi erdhi dhe ja ku e kemi sot meritore në rezultatin elektoral Vetvendosjen, meritore jo vetëm për rezultatin, por mbase edhe për shumë të tjera që do vinë paskëtaj si pasojë e këtij rezultati dhe prezencës së saj në skenë.

Partitë politike në komoditetin e pushtetit dhe në fodullëkun e garës, meqë jo rrallë ditën të bëhen një dorë vepruese e zhvatëse e vendit bashkarisht pozitë dhe opozitë, nuk harruan sa herë ishte në pushtet PDK-ja e kujdeste dhe punonte nën tavolinë me LDK-në, edhe anasljelltas LDK-ja për PDK-në pa përjashtuar ku e ku as edhe AAK-në e aktorë më të vegjël se ajo.

Rrethanat politike e arsyetojnë LVV-në deri diku për bërjen e koalicionit për pushtetin e ri në Kosovë me LDK-në e të gjitha fajeve dhe bashkëfajeve në këto dy dekada liri, por ato nuk i japin të drejtë që në emër të një egzaltimi fitues në Kosovë të bëhen palë me zjarrvënësin jo vetëm të Shqipërisë fizike por edhe rrënuesin e ëndrrës shqiptare, Sali Berishën dhe shpurën e tij! Kjo aleancë e fyen secilin që i doli në krah Vetvendosjes në këtë fitore. Ata në drejtim dhe Albini në kupolë, duhet të dinë, se për çdo shqiptar kudo nëpër viseve e para vjen Shqipëria! Ky përkushtim është flijues po aq sa gatishmëria e dëshmorëve për lirinë e vendit. Ndaj, ata thonë veçse një fjalë; Liria,paçka, jeta jonë!

Ndaj kemi dëshmorë, ndaj kemi liri!

Astiri dhe astirët dinë të bëhen filli i fundit të një organizimi. Nuk duhet harruar mësimin që na dha rrita dhe shpërthimi i tollumbaces së Kreshnik Spahisë “Aleancës Kuq e Zi”! Aleanca e tij po binte nëpër gabime dhe u detyru të shkonte në shtrat me Sali Berishën, nga ku nuk e mori më dot veten. LVV nuk ia ka nevojën atij shtrati ku bihet virgjër zgjohet dhjerë dhe ikën për lesh!

Elektorati i LVV-së nuk do pranoj ashtu sikur pranoi ai i PDK-së të kalonte rubikonin nga majtas djathtas me një të shkrepur fjale të sih Kryetarit Hashim Thaqi në Konventën e saj.

Heshtja e sotme e eksponentëve tërësisht të majtë nuk përbënë të paprovuarën. Ka nga ta, edhe pse nuk u konvertuan në të djathë pranuan të rrinin nën çadrën e rreme të djathtë të PDK-së për aq kohë sa nuk i ndoqi rahatia dhe nuk i thirri mundësia!

Identifikimi dhe bërja krah sot me Berishizmin në Shqipërinë  politke nuk i bënë nder askujt por as i siguron shtigje suksesi. Berisha është sinonimi i djeg’jes totale të Shqipërisë nga jugu në veri, ai është protagonisti i fatalitetit që prodhuan Piramidat ku jo vetëm se ra shteti por edhe Shqipëria u bë varri i mijëra shqiptarëve. Ai është “Toka e djegur apokaliptike”. Ai prodhoi Gërdec e 21 Janarë kudo. Fate  si  Trebicka e Remzi Hoxha. Pafund djeg’je dhimbje e shkatërrim. Shqipëria në çdo shtëpi i qanë me lot e dhimbje kohët Berisha, asndaj ai sot ka vetëm përbuzjen e një populli të tërë. Saga e fundit e tij ishte Astiri, meqë iu shuan tjerat që kur nuk ia arriti t’i kthente zgjedhjet lokale në Luftë civile.  E djathta në Shqipëri e kudo në trevat Shqiptare është në krizë, sepse ajo asnjëherë nuk është ndërtuar mbi premisat e një djathtizmi konceptual. Ajo vjen si produkt shtresash kolaborimi dhe mbetje deri edhe otomane përzier me fate njerëzore të thyera përgjatë rezhimeve për mirë apo për keq!

Jo me Falangën Berisha, aty ku do gjesh Millosheviq e Bullatoviq, Mlladiq e Arkan dhe një ekip të tërë puntorësh të zellshëm anti UÇK edhe në pasluftën e Kosovës, Bashë e kompani, prodhues të shtëpive të verdha për ta dhjerë atdheun tonë, për ta vrarë luftën tonë, për ta eklipsuar lirinë tonë!

Është fatale ta njollosësh frymën e Vetvendosjes në Kosovë me kafshërinë politike të djegësve të Shqipërisë. Ne vërtetë jemi një komb, por ama jemi dy realitete politikbërëse! Ajo që gatuhet në Tiranë për Shqipërinë politike nuk shijon në Prishtinë, derisa çkado që gatuhet në kuzhinën e Prishtinës Politike për Kosovën a për Viset, hahet me shiije a pa shije në Tiranë!

Jo me djegësit e Shqipërisë dhe Ëndrrës shqiptare, jo me tradhëtinë në marrëveshjen e ujërave, jo me dorën prapashpinëse Kosovës me Millosheviç, Bullatoviq, Mlladiç e Arkan, jo me krimin në Shqipërinë politike, jo me antishtetin për qëllime nxitjen e një lufte civile Veri-Jug në frymën Greke, jo në grackën e marrlveshjes së Londrës 1915!

Po Vetvendosjes dhe cilës do partie tonë në Shqipërinë politke dhe kudo Shqipërinë natyrale si një frymë tashmë e rritur në Kosovë, profilizuar majtas apo djathtas, në frymën patriotike të idealeve për një Shqipëri të bashkuar e të mevehtësishme, ashtu sikur Rilindasit e deshën Zonjë dhe Ismail Qemali e shpalli në Vlorë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …