Nevenka Tromp: Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit iu bë gjyqi i opinionit publik

Nevenka Tromp: Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit iu bë gjyqi i opinionit publik

Avokatja e njohur botërore, Nevenka Tromp, ligjëruese në studimet evropiane të Universitetit në Amsterdam dhe ish-hulumtuese e Tribunalit të Hagës për 12 vjet me radhë, ka thënë në emisionin “Novi dan” për televizionin N1 ka thënë se pretendimet ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nuk janë ende aktakuzë.

“Ajo çfarë është krijuar tani në publik është një lloj ideje se në fakt janë ngritur aktakuzat kundër Thaçit, Veselit dhe disa personave të tjerë të cilët ishin bashkëpunëtorë të tyre të afërt gjatë kohës së luftës. Kjo nuk është e saktë, ky është vetëm publikim i Prokurorisë se punojnë në aktakuza të cilat përfshijnë edhe Thaçin dhe Veselin”, ka thënë Tromp. Ajo ka thënë se prej kur merret me drejtësinë dhe prej ku ka punuar në Tribunalin e Hagës, një precedent i tillë i publikimit të një aktakuze të pakonfirmuar nuk ka ndodhur kurrë.

“Vetë akti i dorëzimit të draftit të aktakuzës është çështje e reputacionit të atij ekipi, të tërë prokurorisë, sepse nëse ti i dorëzon gjykatësve draftin e aktakuzës dhe nuk i ke dorëzuar argumente të cilat janë mjaftueshëm të forta në mënyrë që të emërohet, kjo quhet Prima facie në zhargonin ligjor, dhe nëse kjo aktakuzë del e pasuksesshme atëherë kjo është një turp absolut për tërë Zyrën e Prokurorit”, ka thënë Tromp.

E pyetur nëse ekziston lidhja apo ndërhyrja e politikës, pasi që momenti kur është publikuar ishte kur Thaçi ishte nisur dhe ishte dy ditë para takimit në Uashington, Tromp ka thënë se kur bëhet fjalë për gjykimet apo hulumtimet për krime të motivuara politikisht apo për qëllime politike, atëherë as institucioni ligjor nuk mund të shkëputet nga politika.

“Të gjithë që kemi punuar në raste të tilla do ta kishim të pamundshme që pas aq shumë vitesh të paralajmërimit të këtyre aktakuzave, sikur Zyra e prokurorit punën e vet mos ta kishte kuptuar aq seriozisht sa të dorëzoj draftin e aktakuzës, pra jo aktakuzën, e cila është e tillë vetëm nëse e konfirmojnë gjykatësit. Është e pamundshme që ata do të bënin diçka të tillë, pa u siguruar që kanë bërë gjithçka që është e mundshme në atë moment, sepse këtu bëhet fjalë jo vetëm për reputacionin e Kryeprokurorit Jack Smith, jo vetëm për prokurorinë e kësaj Gjykate, por këtu bëhet fjalë për gjithë konceptin e Gjykatës, a ka kjo gjykatë të drejtë të ekzistojë. Është e pabesueshme, dhe për atë është interesante dhe e rëndësishme  të shikohet nga këndi normativ se çka është duke u bërë. Ta lëmë politikën në këtë moment të presë si temë, sepse kjo është një moment vendimtar”, ka thënë ajo.

 

Pas insistimit të gazetares, e cila thotë se pjesa normative është e rëndësishme, por shpesh politika është mbi normativen. E pyetur në këtë rast nëse shikohet vetëm se momenti kur është nxjerrë aktakuza kur pritej të finalizohej një marrëveshje në Uashington, Tromp ka thënë se kjo pyetje është shumë interesante, sepse përmban të gjitha elementet e asaj që ajo e quan të jesh fajtor në gjyqin e opinionit publik.

“Pasi që emri i Thaçit nga viti 2008 në mënyrë të vazhdueshme përmendet në kontekst të krimeve, opinioni publik posaçërisht tani me këtë komunikatë të Prokurorisë, kjo insinuatë tani po vërtetohet sikur diçka e vërtetë, ai është fajtor s’ka si të mos jetë, por se të vështirë e kemi që këtë ta dëshmojmë. Pra, ai në gjykatën e opinionit publik vetëm se e ka marrë dënimin. Dhe kjo është absolutisht kundër logjikës, është kundër çdo të drejte të ekzistimit të proceseve gjyqësore. Për çka nevojitet një gjykatë, vetëm që të vërtetojë që Thaçi është kriminel i luftës? Ku jemi kthyer ne, nga ajo marrëveshja për të drejtat civile dhe të drejtat e njeriut të vitit 1966, ku të gjitha anëtaret kanë marrë obligimin që ta respektojnë atë që quhet prezumimi i pafajësisë. Pra askush nuk është fajtorë, deri sa kjo nuk vërtetohet me aktgjykim, dhe nëse lirohet nga fajësia atëherë ai person është i pafajshëm. Çka ndodhë në këtë situatë me Thaçin është se të gjithë e përsërisin se ai është kriminel lufte dhe vetëm se na nevojitet një vulë që t’i vendoset. Na duhet një gjykatë e cila do ta vulosë këtë. Mirëpo, aktakuzën të cilën e ka publikuar Prokuroria është shumë interesante se për mua nuk ka qenë e hershme, sepse paramendojeni që sa kohë jemi duke e pritur aktakuzën e parë. Ata zyrtarisht kanë filluar punën që nga 1 shtatori i vitit 2015 ose 2016 nuk e di saktësisht, është fjala për vitin 2016. Në vitin 2015 kanë arritur marrëveshjen kurse Gjykata punon që nga viti 2016”, ka thënë Tromp.

Ajo ka thënë se këto akuza që rëndojnë mbi Thaçin e Veselin as vetë Millosheviqi nuk i kishte përdorur sa kishte qenë në gjykim për pothuajse 4 vite gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve kosovarë dhe të tjerëve.

“Për mua kjo është një pikëpyetje e madhe, se si pas vdekjes së tij, ne flasim për njëfarë krimi të madh e të tmerrshëm dhe shumë dëshmi, të cilat Millosheviqi kurrë nuk i ka përdorur në gjykatë dhe ai kishte të gjitha të drejtat ti përdorte. Për mua e gjithë kjo histori, nga fillimi i publikimit të librit nga Karla Del Ponte nga viti 2008, nga rasti i Martit, nga raporti i Mart Williamsonit, e deri tek konstituimi i kësaj Gjykate, absolutisht është e politizuar, vetë ekzistimi i Gjykatës për mua është politizim”, ka thënë ajo, duke thënë se këtë bindje ia forcon edhe më shumë sjellja e Prokurisë së kësaj Gjykate, e cila nuk është në gjendje të lëshoj një aktakuzë dhe se tani përnjëherë prokuroria nuk thotë që ne nuk kemi dëshmi, ne nuk e dimë se çka po bëjmë, nuk e dimë si do të jetë ekstrakti, por thotë që ne nuk mundemi sepse Thaçi dhe Veseli po punojnë fshehtas për të na penguar. Pyetja ime është, çka saktësisht ata po punojnë në fshehtësi, na e thoni, pastaj ne që kemi punuar me raste të ngjashme ndoshta do të mund të ju ndihmojmë, nëse ata ju pengojnë që të vini deri tek dëshmitë.

Avokatja e njohur Nevnka Tromp, e cila rreth 12 vite ishte pjesë e Tribunalit të Hagës në fund ka thënë se mendon që Thaçi e Veseli simbolikisht janë vendosur në listën e parë, sepse suksesi i Gjykatës absolutisht varet prej asaj se sa lart shkon dhe cili i akuzuar është më i rëndësishmi dhe më lart i pozicionuar.

Nga ana tjetër, ajo ka thënë se mendon se në këtë rast shihet edhe ndikimi i Serbisë dhe shtetit të Serbisë që insiston në atë që të kriminalizohet e gjithë udhëheqësia politike e Kosovës së pavarur, pasi që të njëjtën gjë e kanë bërë me Limajn, me Haradinajn të cilët që të dy janë liruar. Sipas saj, tani është tentativa që kjo garniturë në pushtet, e cila ka të kaluar të luftës dhe Thaçi ka pushtetin më të madh në Kosovë, të sulmohet duke e kriminalizuar gjithë gjeneratën UÇK-së, e cila në fakt e ka gjunjëzuar Serbinë.

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …