Vjosa Osmani

Vjosa Osmanin nuk e pret as “fitorja” si ajo e Nexhat Dacit pas ndarjes nga LDK-ja, apo Dardan Molliqajt nga Vetëvendosja

Ndarja nga tufa, gjithmonë bartë pasoja, sepse në radhë të parë ajo trajtohet si njëlloj tradhtie, pastaj papërgjegjësi, luftë interesash që lë pasoja si për atë që ndahet, ashtu edhe për “tufën” nga e cila largohet. Ikja e Vjosa Raif Osmanit nga LDK-ja dhe bashkimi i saj me Vetëvendosjen, nuk është diçka e veçantë, sepse ndarje të tilla kanë ndodhur dhe do të ndodhin edhe në ardhmen.

Dihet se nga LDK-ja, dikur partia më e madhe në Kosovë, me një histori 30-vjeçare,  janë ndarë sa e sa grupe e fraksione. Me brumin e tharmin e kësaj partie, e cila fillimisht ishte  transformuar  nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, janë gatuar sa e sa parti të tjera. Nuk është  asnjë parti politike në Kosovë, e cila  nuk ka në radhët e veta pjesëtarë që dikur kanë qenë aktivë në radhët e “partisë-mëmë”, andaj largimi i Vjosa Osmani me një apo dy deputet nga kjo Parti, nuk paraqet asgjë të re për LDK-së e cila, pavarësisht  riciklimeve, ikjeve, ndarjeve, fraksioneve ka mbetur në radhët e dy apo tri partive më të mëdha në Kosovë.

Dihet se çka ka ndodhur me  politikanin,  Nexhat Daci, i cili ishte ndarë nga LDK-ja, kishte formuar partinë e vetë duke ia marrë LDK-së 13 deputetë por jo edhe elektoratin. Njëjtë ka ndodhur edhe me  ndarjen e Vetëvendosjes, kur krahu i Visar Ymerit dhe i Dardan Molliqajt mori 14 deputetë, por jo edhe votuesit e atyre deputetëve. Rasti i Nismës është i një natyre tjetër. Ajo  që në fillim kishte tubuar elektoratin e pakënaqur të PDK-së dhe tri herë me radhë, në zgjedhje  kishte kaluar pragun dhe  marrë statusin e partisë parlamentare.

Vjosa Osmani në ka marrë vetëm dy deputetë nga LDK-ja dhe 10 apo 20 sikur kishte menduar ajo dhe përkrahësit e saj të dalldisur në ‘mbretëreshën” e tyre.

Ngado të analizohet, arrihet në përfundim se ikja nga tufa dhe bashkimi me tufën tjetër nuk rezulton edhe me marrjen e pajës. Kështu do të ndodh edhe me zonjën, Vjosa Raif Osmani, e cila u lind, u rrit,  u edukua u frymëzua me LDK-së dhe në një moment të caktuar, duke menduar se ka arritur  majat në politikë, ajo iu bashkua Vetëvendosjes, të cilën nuk e kishte kursyer nga kritikat madje ndër më të ulëtat.

Duket se dashuria e saj e zjarrtë për Ibrahim Rugovën, për flamurin e Dardanisë, për rugovizmin si filozofi politike, si dashuri platonike nuk ka qenë asgjë më shumë sesa një retorikë boshe, sepse Vetëvendosja është themeluar ngritur e rritur, pikërisht duke sulmuar rogovizmin si politikë, që i ka sjellë dëme të shumta luftës së UÇK-së dhe Kosovës.

Por kur është momenti për të përfituar politikisht, kritikat, përbuzjet fyerjet e sharjet paraprake, politikanët tanë i gëlltisin, pa pardon,  sikur ai shitësi i qershive, i një rrëfimi popullor, i cili për inat se njerëzit nuk ia blinin në treg qershitë e pastra e të mira, një ditë para nisej për në treg i kishte përmjerrë, por as ato nuk ia kishin blerë gjatë tërë ditës, në pazar. Gjatë kthimi nga tregu e kishte marrë uria dhe kishte filluar të zgjedhtë e të hante  qershitë për të cilat mendonte se nuk i kishte lagur.

Është në traditën e politikanëve tanë që armiqtë të miqësohen dhe miqtë të armiqësohen dhe kjo nuk është diçka që nuk ka ndodhur, as që nuk do të ndodh. Me këtë dukuri janë përballur shumica e politikanëve tanë dhe kur është në pyetje interesi i partisë, nuk ka urë që nuk kalohet, nuk ka fjalë e ligë që nuk harrohet, nuk ka fyerje as sharje që nuk përbihet, meqë arritja e një qëllimi të caktuar në luftën për pushtet nuk zgjedh mjete e metoda. E tillë është perceptuar dhe vazhdon të perceptohet politika në kushte të pluralizmit, në shoqërinë e quajtur demokratike të shprehjes së mendimit dhe përcaktimit të lirë. Krejt kjo i akordon një fjale të urtë e cila thotë, “ nëse  do të arrish majat, duhet ta vrasësh ndërgjegjen”, pastaj punët të shkojnë për së mbari. ( Si vous-voulez parvenir dans le monde,  il faut tuer votre conscience). (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …