Prof. Mr. Skënder R. Hoxha: MASAKRA NË JABLLANICË ( SHQIPONJË) TË DUSHKAJËS E VITIT 1921 IV

Prof. Mr. Skënder R. Hoxha: MASAKRA NË JABLLANICË ( SHQIPONJË) TË DUSHKAJËS E VITIT 1921 IV

Prof. Mr. Skënder R. Hoxha: MASAKRA NË JABLLANICË ( SHQIPONJË) TË DUSHKAJËS E VITIT 1921  IV

 

 

ME RASTIN E 75 VJETORIT TË MASAKRËS SERBE NË JABLLANICË TË DUSHKAJËS

            

“Të nderuar mysafirë dha banorë të Dushkajës!

        (…)

       Mund të thuhet se synimet e politikës ekspansioniste serbe ndaj popullit tonë janë përmanente gjatë gjithë historisë. Ndërkaq, fushatat e mbledhjes së armëve nga shqipatrët, si metoda gjenocidale të këtij pushteti, paraqiten si forma të veprimit ciklik para ose pas thyerjeve të mëdha. (…)

        …Qeveria e Mbretërisë SKS, qysh më 16 qershor 1920, nga Shkupi, nëpërmjet të Komandës së Armatës së Tretë, kishte distribuar Programin e masave për veprim politik, ushtarak e policor, kundër shqiptarëve në Kosovë. Ky program, mbështetjen kryesore e gjente në dhunën policore e ushtarake, në plaçkitjen, në kalljen e shtëpive dhe të pasurive, në vrasjet masovike, në mënyrë që të nxiste shpërnguljen dhe spastrimin etnik të viseve shqiptare si dhe kolonizimin dhe serbizimin e tyre. (…)

        Kështu, sipas shënimeve stenografike të Kuvendit të Mbretërisë SKS, shihet se në Kosovë janë bërë mizori të papara. Fshatra të tëra janë rrënuar. Vetëm më 1921 janë therur dhe plaçkitur banorët e 182 fshatrave shqiptare, ku në mesin e tyre dallohet Masakra e Jabllanicës që sot po e përkujtojmë.

        Në një raport të 17 majit 1921, Punisha Raçiqi, atentator i deputetit Stjepan Radiqi, udhëheqësit të Partisë Fshatare Kroate, në Parlamenin Jugosllav (më 20 qershor 1928), i shkruan kryeministrit Nikolla Pashiqi  për rrethanat dhe gjendjen ekonomike, politike dhe sociale të popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare. (…)  Raçiqi midis tjerash shkruante se “shteti nuk ka marrë parasysh as mentalitetin e atij populli, as zakonet që ishin ligjet e tyre pozitive deri me vendosjen tonë atje.” (Dosja, Koha, 19.12.1990.) (…)

        Punisha Raçiq në raportin e tij bën fjalë edhe për takimin e tij me Osman Agën e Rashkocit, pari me autoritet dhe asokohe kryetar i komunës së Cërmjanit. Osman Aga i kishte paraqitur një mori shkeljesh drastike të pushtetarëve dhe të kriminëlëve të organizatës terroriste “Crna Ruka – Dora e Zezë” që bënin në këto anë. Mirëpo nuk kaloi shumë kohë kur në Komandën e Regjimentit të ushtrisë shqiptare erdhi lajmi se më 7 korrik 1921 forcat ushtarake të organizuara nga “Dora e Zezë”, e të komanduara nga krimineli Kërstiq, rrethuan Jabllanicën. Ekspedita gjakpirëse tuboi 64 vetë të cilët i masakroi në mënyrë mizore për të vetmin faj se ata ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetonin në vendin e tyre dhe sipas traditave dhe zakoneve të tyre. Me këtë rast edhe Osman Aga përjetoi të njëjtin fat tragjik sikurse edhe jabllanicasit.

       Natyrisht se mizoritë e ekspeditave gjakpirëse nuk u ndalën por vazhduan në Maznik, Gërgoc, Isniq, Deçan, Carrabreg dhe gjithandej në fshatrat e rretheve të Gjakovës e të Pejës, duke djegur e plaçkitur ato dhe duke vrarë dhjeta burra, gra, pleq e fëmijë nën parullën makabre “vraj e përzë shqiptarë që të jetojnë serbët e qetë”. Këto dhe masat tjera të terrorit dhe gjenocidit shtetëror serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë, nuk kaluan pa u vërejtur e dënoncuar nga shqiptarë por edhe të huaj para institucioneve ndërkombëtare siç ishte Lidhja e Kombeve. Në këtë drejtim u shquan posaçërisht Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës me H. Prishtinën, B. Currin, H. Kadrinë, F. Dragën e të tjerë patriotë, përfaqësuesit e shtetit shqiptar pranë Lidhjes së Kombeve, si dhe priftërinjtë shqiptarë, si: Don Gjon Bisaku, famullitar i Becit, Don Shtjefën Kurti, famullitar i Novosellës, Don Luigj Gashi, famullitar i Smaçit, të cilët me një Memorandum të argumentuar iu drejtuan Lidhjes së Kombeve më 14 dhjetor 1924.

       Edhe Qeveria Shqiptare e Iljaz Vrionit tërhoqi vërejtjen e Lidhjes së Kombeve për intensifikimin e politikës agresive antishqiptare të Beogradit dhe kërkoi nga ajo ndërhyrjen për të penguar sulmet ushtarake në Shqipëri. Ajo, në të njëjtën kohë ngriti zërin e protestës edhe ndaj valës së re të përsekutimeve e të gjakderdhjeve që ndërmori Beogradi në qershor – korrik 1921 kundër popullit shqiptar në Kosovë. Sipas llogarive të bëra nga KMKK në vitin 1921 autoritetet jugosllave ushtruan një gjenocid shtetëror në Kosovë, ku rezulton se ishin vrarë 12.371 njerëz, ishin burgosur 22.110 persona, ishin plaçkitur 10.526 shtëpi shqiptare.

       Ndërkaq, cinizmi i përgjigjes së kryetarit të Parlamentit jugosllav – Ivan Ribarit, për mizoritë e krimet serbe në Kosovë, ishte i pashemullt në analet e diplomacisë. Ai, me paturpësi, shkruante se “Parlamenti Shqiptar nuk ka të drejtë me u përzi në punët e shtetit tonë”, formulë kjo që në mënyrën më banale përsëritet edhe sot e kësaj dite për të justifikuar gjenocidin serb që po ushtrohet mbi Kosovën dhe shqiptarët që një shekull.

       Zonja e zotërinj të nderuar,

       Masakra e Jabllanicës e vitit 1921 nuk ishte e rastit, sepse është mirë e ditur se zona e Dushkajës është një zonë e thellë në truallin kombëtar, e cila kurdoherë gjatë historisë shërbeu si qerdhe e sigurtë e çetave dhe e fatosave të lirisë. Andaj, sot kur Kosova e populli ynë i urtë po përjeton dhimbjet më të rënda nën tiraninë e pushtetit okupues serb dhe kur faktorët ndërkombëtarë ende po hezitojnë të përkrahin përpjekjet tona fisnike, banorët, e posaçërisht rinia e Jabllanicës, ngrehin Lapidarët e Përkujtimit, në mënyrë që mos ta harrojnë historinë dhe t’i fisnikërojnë metodat për krijimin e jetës së lirë, të pavarur e demokratike në vatrat tona.

       Lavdi martirëve dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për atdhe!” )4)

Jabllanicë, më 13 korrik 1996.  Dr. Jusuf Bajraktari             

                                                                       

    Kështu, pra, vdiqën burrat për burra, trimat për trima… U martirizuan për t’mbetur përgjithmonë dëshmitarë të asaj masakre, dëshmitarë të egërsisë e gjenocidit serbo-malazez ndaj shqiptarëve…Për t’mbetur përgjithmonë dëshmitarët e kronikës më të zezë të Jabllanicës. Varret e tyre, në Kodër të Madhe, hynë përgjithmonë në topopniminë e varreve të këtij katundi, me emrin VORRET E SHAHITVE  … Aty prehen eshtrat e tyre. Ndjesë paçin! Zoti i bekoftë!

         …………………………………

         VORRET E SHAHITVE i quajnë

         vendësit këto varre

         afër Malit t’Vneshtve

         atje në Kodër t’Madhe

         …………………………………

         /S.R. Hoxha – strofë nga një vjershë e botuar më herët/

 

       … Dhe, jo, kurrë s’do ta harrojnë jabllanicasit atë tmerr. Pleqtë u tregojnë për të pasrendësve të tyre, dhe ngjarja, jo vetëm që nuk harrohet, por, bëhet gjithnjë më e rëndë, më e hidhur…

   /PS: Meqë gjatë luftës së fundit në Kosovë, një pikë strategjike luftarake në territor të Jabllanicës mbajti emrin Shqiponja, menjëherë pas luftës Jabllanicës iu dha emri Shqiponjë./             

___________________

Fusnotat:

1) Mark Krasniqi, Lugu i Baranit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Prishtinë, 1984, f. 36 – 37.

2) Prof.dr. Zekeria C a n a, Masakra e Jabllanicës 1921, gazeta “Bujku”, Prishtinë, e dt. 13 korrik 1996, f.5.

3) Gjatë vitit 1996 mblodha kujtime që ruhen në traditë të jabllanicasve, po edhe të tjerëve, për Masakrën e vitit 1921. Për këtë qëllim pata mbledhur rrëfime nga: Smajl (Sylë) H a j d a r i (1906), Bekë (Halil) A h m e t i (1915), Rexhë (Binak) Z e n e l i , Tahir (Sylë) H a j d a r i (1920), të Mahallës së Lugjve; Ukshin (Ramë) H a m z a (1921), i Mahallës së Mulaj; Sejdi (Adem) K a s u m a j (1921), Tafë (Isuf) Z e n e l i (1920), Hysen (Rexhë) S m a j l a j (1942), Avdi (Jonuz) S m a j l a j (1948), të Mahallës së Poshtme; Halil (Mehmet) A d e m a j (1925), i Mahallës së Përkolve, të gjithë nga Jabllanica; si dhe Zymer (Fazli) T h a ç i (1914), nga Kosuriqi i Lugut të Baranit. 

4) Pjesë të shkëputura nga një shkrim më i gjatë i historianit, Dr. Jusuf  B a j r a k t a r i, të cilin e lexoi në tubimin përkujtimor të 75 vjetorit të Masakrës së Jabllanicës të vitit 1921, mbajtur në Jabllanicë, më 13 korrik 1996.

 

 

 

Çka tregoi shpatulla e pulës?…

 

Ne natë para se mu gri Jabllanica,kish pa ardh ni musafir nga Vranoci

me flejt n’Jabllanic…Atë natë kishin pas pul për darkë.Kah po hajnë darkë,

I Zoti i shtepis,pi kqyr shpatullen e,Musafiri e pyt? Shka po thot shpatulla?

I Zoti i shtepis tuj e lujt kryt i pergjigjet…”Hiq mirë spo kallxon…Kjo po thot

se ma mir sonte ti narkojm senet e t’ikim pej katunit,e mos t’na

çelë sabahi ktu…

Mëngjesi i asaj ditëzeze.

Në Jabllanicë,drama po i afrohej aktit më tragjik të saj…

 

Ditë Tmerri…!

Në Jabllanicen e rrethuar fillon rrëmuja…

Xhandarmëria më raja,bashibozakë e banda çetnike të kryebanditit Miliq Kërsta hyjnë

nëper oborre e shtëpi,Bastisin,Mbledhin mashkujt:pleq e të rinjë.I lidhin nga dy e nda tre

me shokat të tyre,me litarë,si mundën i çojnë në Kodër të Madhe.aty ishte dëgjuar batarja,

i vrasin burrat atje.

Në Ulicën të Lugjve vriten krytari i komunes,Osman Aga me policin e tij,Sadik Kokalla.

Te Ura e Fshatit vritet fëmija 13 vjeçar,Qërim Zeneli i cili çonte lopet të kullosnin…

Vritet plaku me mjekerr,Hasan Shabani,në prak të deres së oborrit.

Vritet edhe ndonje tjeter nëper rrugë të fshatit,në oborre të tyre,

e që gjishsej të pushkatur atë ditë në Jabllanicë bëhen 64 meshkuj.

I Mbijetuari i asaj masakre ishte Rexhë(Tahir)Smajli.Ai Tregonte se në momentin kur na derguan

në kodër ne e kuptuam se çfar’ do të bëhet me ne dhe fillova me ra shahadet…se na menojshim si po na çojn në burg në Pejë.

Në Kodër na lidhen me shoka tona njerin per tjetrin e na rreshtun rend e na pushkatun.Ky i mbijetuari  thoshte se sem kish pa mor as ni plum,po shoka si jemi kon te lidhun,ish pa kput pej plumave..

Kom nejt ni koh qashtu,pa leviz, shkijet u afrun e m’prekshin me singija e me tepçika,t’pushkave sea mos kom mbet i gjall…kur e hetova si jom largu kadale jom qu edhe kom ik drejt fshatit fqinje Kralan.

dhe hyra në një shtepi ku i kisha kumart.Dul një grua perpara e m’tha:shka osht kshtu o kumar,kur em sheh lakuriq e t’zhlyn me gjak…se prej trrullimit kish harru mi vesh rrobat si i ka desh ku o hi n’bistric,Aty i ka lajmru ter fshatin se e tër Jabllanica jon pushkatu,krejt Kralani jon ik veq ni plak  kish pa nejt ka jon ardh serbt e kan pushkatu edhe atë,Pra i mbijetuari kishte vetem 21 vjet.

 

Fëmija 12 vjeç që bëri naten në lis !

 

Ishte Januz (Tahir) Smajli:tregonte: kur i kam ni krismat e pushkve jam tmeru dhe kom marrë iken. 12 vjeç jamë kan kur u gri Jabllanica…Jamë ikë trup arave t’Jabllanicës e t’Gllogjanit e jamë shku n’male t’Bukshiqit.Ku m’ka nxanë nata,Aty,pej tute si pom hajnë gjeja eger,jam hipë n’lis e kom nejtë gjith natën qashtu pa flejtë…T’nesmrit,jamë nisë e jam ra n’Gllogjan,ku jam taku me Bardhec Gjonin, Bardheci m’veti:i kuj je? i thash se jom i Tahir Smajlit t’Jabllanices isha i tmeruar. Bardheci me mori  e m’shtini n’shpi e i tha grus vet bija kti djali do buk,e mu em tha:N’koft Tahir Smajli i gjall kun, gjith natën prom e kom ni thuj thirrë: “O Januz,O Januz!” Ateher me ka percjell deri në rrugen drejt për Nepolem,ne ni kull të ati fshati,aty e gjeta:babën Tahirin,vllaun Lushin,Banin, edhe Adem Hasanin,si ishin pa ikë pej Jabllanicës e ardh aty.

Kur m’pau baba u gzu shum e m’tha: “Masi m’paske pshtu ti, pom doket si me mu pas ngjall të tonë”…!

 

Fund

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …