Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë vlerëson se po ekzagjerohet alarmi nga terrorizmi në Kosovë

QKSS: Ndikimi i Dezinformimit dhe Polarizimit Politik Gjatë Pandemisë COVID-19 në Kosovë

Sot, me datën 22 Qershor 2022, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin hulumtues “Ndikimi i Dezinformimit dhe Polarizimit Politik Gjatë Pandemisë COVID-19 në Kosovë”.

Ky raport është një përpjekje për dokumentmin e rasteve të dezinformimit dhe polarizimit politik gjatë pandemisë COVID-19 në Kosovë, si dhe identifikimin e implikimeve të tyre në formësimin e qëndrimeve të publikut ndaj pandemisë dhe menaxhimit të pandemisë. Qëllimi i raporti është të shërbejë si një paralajmrim për institucionet dhe publikun e Kosovës dhe si thirrje urgjente për shqyrtimin e përpjekjeve për komunikim strategjik teksa përgatitemi për krizat e ardhshme kombëtare.

Raporti konstaton se institucionet, mediat dhe publiku nuk ishin të përgatitur për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit që hidhnin dyshime rreth ekzistencës së COVID-19, masave mbrojtëse kundër COVID-19 dhe vaksinimit. Në këtë drejtim, përkundër përpjekjeve të tyre për të komunikuar çdo ditë me publikun, institucionet e Kosovës nuk arritën të krijojnë një sistem komunikimi për trajtimin e lajmeve të rreme dhe për menaxhimin e një përgjigjeje efektive kombëtare për frenimin e përhapjes së informacionit të rremë – si dezinformim ashtu edhe keqinformim – rreth virusit dhe pasojave të tij. Fokusi i këtij raporti nuk është përcaktimi i marrëdhënies së drejtpërdrejtë shkak-pasojë mes polarizimit politik dhe politizimit të masave kundër COVID-19 dhe shkallës së infektimit, shkallës së vaksinimit dhe shkallës së vdekjeve, por që përmes shembujve dhe metodave të ndryshme të tregojë se mungesa e një mesazhi konsistent dhe të unifikuar, dhe hedhja e akuzave dhe kundërakuzave për menaxhimin e pandemisë që e rënduan peisazhin politik të Kosovës në vitet 2020 dhe 2021, ishin faktorë kontribues në rezultatet e përziera të Kosovës në menaxhimin e pandemisë.

Raporti gjithashtu thekson se përpjekjet e mediave që t’i ofrojnë publikut informacion të besueshëm rreth COVID-19, u sfiduan nga prania e lajmeve të rreme dhe konspiracioneve për virusin dhe pandeminë në rrjetet sociale dhe mediat e ndryshme online. Prania e teorive konspirative, dezinformimit dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale në Kosovë, pati efekte të dëmshme tek perceptimi publik për pandeminë si kërcënim dhe pranimin e kufizimeve institucionale për parandalimin e pandemisë.

Raporti ka identifikuar dy kategori të individëve dhe grupeve që kanë promovuar informacione të rreme për pandeminë në Kosovë. Grupi i parë përfshin ata që nuk e pranonin ekzistencën e virusit dhe përhapnin narracionin se pandemia ishte vepër e akterëve të fuqishëm, ndërsa në grupin e dytë përfshihen ata që besojnë në ekzistencën e virusit, por nuk e pranonin kërcënimin e virusit dhe përhapnin ide kundër vaksinimit ndaj COVID-19. Raporti më tej konstaton se këto grupe janë gjithashtu të ndikuar nga narrativat e lëvizjeve globale, të cilat bazohen në paragjykime antisemite në përpjekjet e tyre për përhapje të lajmeve të rreme për ekzistencën dhe origjinën e virusit. Brenda këtyre grupeve, raporti identifikoi narrativa të ndryshme të përdorura për shpërndarje të dezinformimit. Narrativa të tilla përfshijnë teorinë konspirative se pandemia COVID-19 ishte rezultat i garës me fuqive të mëdha për kontroll mbi ekonominë dhe informacionin botëror, duke e portretizuar COVID-19 edhe si një mjet të Perëndimit për shfarosjen e popullsinë e të ashtuquajturave vende të “Botës së Tretë” për të adresuar sfidat e veta të sigurisë. Sipas kësaj logjike, në versionin kosovar të kësaj nën-narrative Kosova konsiderohet si vend i “botës së tretë” dhe për këtë arsye është cak i fushatës së shpopullimit. Për më tepër, raporti konstaton se një prej narrativave dominuese ishte ideja se COVID-19 ekziston, por rreziku prej tij është i ngjashëm me viruset e tjera dhe nuk shkakton vdekje. Raporti më tutje konstaton se ata që bëjnë thirrje kundër vaksinimit janë më të shumtë në numër në krahasim me ata që nuk e pranojnë ekzistencën e virusit, prandaj një narrativë e shpeshtë që haset në Kosovë është kontestimi i procesit të licencimit të vaksinave që janë aktualisht në treg.

Gjetjet e këtij raporti theksojnë nevojën emergjente për një plan të centralizuar të komunikimit strategjik nga institucionet e Kosovës. Rrjedhimisht, bazuar në përvojën e pandemisë COVID-19 dhe mësimet e nxjerra nga shqyrtimi i mjedisit informativ të Kosovës në të cilin u zhvillua menaxhimi i pandemisë, institucionet e Kosovës duhet të zhvillojnë një strategji të qartë dhe gjithëpërfshirëse komunikimi për çështjet që kanë të bëjnë me mirëqenien e publikut – duke përfshirë kriza shëndetësore, emergjencat natyrore dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare – që siguron ndarje konkrete dhe të qarta të roleve dhe veprimeve në të gjitha nivelet e qeverisjes. Për më tepër, një strategji e tillë duhet të parasheh edhe prodhimin dhe shpërndarjen e kundër-narrativave për luftimin e dezinformimit dhe keqinformimit rreth çështjeve të shëndetit publik dhe emergjencave të tjera kritike. Institucionet e Kosovës duhet gjithashtu të bëjnë analiza sistematike dhe ta demaskojnë dezinformimin rreth çështjeve të shëndetit publik, efektin e tyre në shoqëri dhe format në të cilat ato shpërndahen, në mënyrë që përgjigja ndaj tyre të jetë efektive dhe konkrete. Në këtë drejtim, komunikimi i institucioneve duhet të jetë në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe avancimin e platformave të ndryshme të komunikimit, në mënyrë që shtrirja e informatave të verifikuara dhe zyrtare të përkojë me përdorimin e platformave të ndryshme online që shfrytëzohen nga qytetarët e Kosovës.

Prezantimi i raportit u pasua me një diskutim në panel me Dr. Florie Miftari Basholl nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, Znj. Ardiana Thaçi, Gazetare në Klan Kosova, Z. Skender Perteshi, Hulumtues i Lartë në QKSS dhe Z. Shpat Balaj, Hulumtues në QKSS.

Raporti i plotë mund të shkarkohet në www.qkss.org në gjuhën Shqipe, Angleze dhe Serbe.

Ky raport u publikua në kuadër të projektit “Pandemia COVID-19 në Kosovë: Identifikimi dhe Trajtimi i Fushatave të Dezinformimit” i mbështetur nga Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe USAID-it.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …