Shqiprim Pula

Shqiprim Pula: Kosova, një luftë e pa përfunduar në Mitrovicë

E kemi shkelur dekadën e tretë të shekullit XXI dhe vazhdojmë të jemi në luftë, e pushuar si front luftimesh, por të pa mbaruar përmes një Traktati Paqeje.

Qysh në Qershor të 1999-tës, Mitrovica doli e ndarë në mënyrën se si mbeti si qytet dhe befas Serbia ngriti struktura të caktuara, herë si rrojet e urës e herë si mbrojtja civile, si përpjekje të saj për të administruar qytetin e veriun si tërrësi.

Për dy vite mësimdhënie tek një kolegj Universitar në Mitrovicë, e kam parë e ndjerë ndarjen, këndej e andej lumit Ibër.

Njëzet e sa vite pas lufte, e katërmbëdhjetë pas shpalljes së mëvetësisë, paradoksi ekziston tek shteti ynë. Nuk do mend se shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje, e thjeshta dhe më logjikja vazhdon të mbetet, po ku ishte SHTETI?! ku ishte shteti, që praktikisht nuk e evitoi zbrazjen e qytetit nga qytetarët shqiptarë matanë lumit Ibër? e, më e pakta çfarë mundi të bëhej ishte që institucionet tona shtetërore të ndërhynin lidhur me çështjen e pronave, t’ ua paguante qiratë të zhvendosurve shqiptarë në jug, që të mos i shisnin pronat në veri, por, paradoksalisht të shumta janë pronat të cilat i blinte shteti serb!. E, për çudi, “dikush” e bleu edhe heshtjen dhe mosveprimin institucional të politikanëve tanë në Prishtinë. Pra, ne, nuk patëm vizion e vullnet, e as ide politike të mirëfilltë për një model ekonomik apo platformë sociale për zhvillimin e qytetit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se mënyra si u organizua mafia në veriun e vendit, e lejuar heshtur nga politikanë të të dyja etnive atje për vite me radhë, ka minuar edhe të ardhmen e qytetarëve të asaj pjese të republikës. E, për rrjedhojë, kishte edhe mungesë të shtrirjes institucionale, të autoritetit qendror shtetëror e sovranitetit territorial. Atje, në Mitrovicë, e në gjithë veriun, fatkeqësisht, nuk gjente zbatim kushtetuta e republikës e as simbolet shtetërore të Kosovës.

Pse mungesa e një Traktat Paqeje e ka pamundësuar njohjen e ndërsjellë dhe vështirësuar procesin e dialogut? Traktati i Paqes në mes Kosovës e Serbisë, si palë ndërluftuese, do u’a mundësonte krijimin e besimit në premtimin për të ardhmen paqësore; do e mundësonte një kthesë politike të rëndësishme mbi ngjarjet e të kaluarës; do e bënte të mundur kthimin e gjithë asaj që është vjedhur nga Serbia; do e krijonte mundësinë e rehabilitimit historik mendor dhe emocional të popullatës serbe lidhur me pretendimet mbi Kosovën; do e mundësonte procesin e kompensimit të të gjitha dëmeve të luftës; do e mundësonte pajtimin e popujve dhe përfundimisht do vendoseshin garancitë për mospërsëritje të luftimeve. E, një nga shembujt e tillë, e kemi në pasluftën e dytë botërore, kur ShBA-ja, u’a kërkoi Gjermanisë dhe Japonisë një gjë të tillë, madje të dyja ndryshuan dhe kushtetutat e tyre për të garantuar paqen dhe evituar luftëra të tjera.

Dialogu me Serbinë i filluar si teknik më 2011 e më pas politikë nga 2012-ta, për shumë tema të ndërsjella, e të konkluduara edhe me marrëveshje në Bruksel, po shumë prej tyre të pa zbatuara, është si rezultat i mosbesimit dhe mos rehabilitimit politikë historik. Prandaj dhe, Serbia përgjatë procesit të dialogimit ka këmbëngulë të mos e njohë mëvetësinë e Kosovës, ka penguar Kosovën në anëtarësime në organizma ndërkombëtarë dhe ka vazhduar t’a bëj temë statusin e Mitrovicës dhe veriut si tërësi, duke shfaqur hapur pretendimin territorial mbi Kosovën. Bindja për një Traktat Paqeje ndërmjet palëve ndërluftuese, do t’a përmbyllte luftën ligjërisht, do e mundësonte njohjen reciproke dhe të tërësisë territoriale si dhe do të përfundonte lufta e pa përfunduar në Mitrovicë.

Andaj, bindja, për t’a bërë paqen me Traktat është po aq i rëndësishëm sa vendimi për t’a bërë luftën. Madje, ka një thënie të presidentit amerikan Wilson; “çdo luftë duhet të përfundojë me paqe”.  Kurse ne, filluam të bisedonim me Serbinë kur ndaluam luftimet por pa e arritur paqen me Traktat.

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …