Albert Zholi

Albert Z. ZHOLI: Emigrantët e Greqisë, emigrantë dhe në Atdheun e tyre

Historia shqiptare e dhjetëvjeçarit të fundit është e lidhur në mënyrë të ngushtë me emigracionin, kryesisht atë ekonomik. Pas proceseve demokratike të viteve ‘90, mungesa e një strategjie konkrete, si dhe mosvlerësimi real i pasojave të këtij fenomeni, çuan në mosmarrjen e masave efikase në drejtim të parandalimit të tij. Për pasojë nga vitet ‘91 e në vazhdim, emigracioni mori përmasa të gjera. Eksodet masive të shqiptarëve në drejtim të Italisë, të cilat u shoqëruan me një sërë tragjedish, që çuan në humbjen e jetëve njerëzore si ajo e Otrantos, ende vazhdojnë të përbëjnë një aspekt të hidhur të së kaluarës mbi emigracionin. Me qëllim parandalimin e fenomeve të tilla si dhe plotësimin e angazhimeve të ndërmarra në nivel ndërkombëtar nga shteti shqiptar, u morën masa të rrepta për kontrollin e rrugëve detare të trafikut. Në këto kushte, destinacioni i shumicës së emigrantëve shqiptarë u bë Greqia. Emigracioni drejt shtetit grek, i favorizuar edhe nga kushtet gjeografike e bën mjaft të vështirë vënien nën kontroll të plotë të kufijve. Shumë emigrantë shqiptarë të paligjshëm kalojnë kufirin nëpërmjet maleve. Kjo plagë e shoqërisë shqiptare, jo në pak raste është shoqëruar edhe me fenomene negative, që lidhen me mungesën e një trajtimi të përshtatshëm për emigrantet shqiptarë. Përmendim “operacionet fshesë” të ndërmarra nga policia greke që lidhen me dëbimet masive të emigrantëve shqiptarë nga territori grek. Këto operacione shpeshherë kanë shërbyer si mjet për të fshehur mungesën e një politike të mirëfilltë emigracioni ose edhe të parandalimit të kriminalitetit nga qeveria greke. Në raste të tilla janë vënë re cënime të të drejtave dhe lirive themelore të emigrantëve shqiptarë. Por jo të gjitha rastet e shkeljeve të të drejtave të tyre janë bërë publike ose janë rivendosur.

Të jesh emigrant shqiptar në Greqi

Të jesh emigrant shqiptar në Greqi ka qenë një arsye për t’u përballuar me padrejtësitë. Paragjykim i sjelljes së shqiptarëve, ekzagjerim i incidenteve, ku është pjesëtar ndonjë emigrant shqiptar, veprim të nxituar e agresiv nga policia, qëndrim ekstrem nga drejtësia. Kështu, mbijeton racizmi edhe pas miratimit të fundit të ligjit kundër racizmit. Shqiptarët, pa u bërë hetimi përkatës, shpallen si autorë edhe pse, shpeshherë, as që janë të dyshuar. Nga individ e qarqe të veçanta cilësohen si keqbërës aq sa publikisht u bëhet thirrje vendasve të marrin malet për t’i përzënë. Jo gjithnjë e kudo, por shpesh përballen me një realitet aspak “vëllazëror” edhe pse me shumë zhurmë ndërmjet dy vendeve trumbetohet për ekzistencën e një politike e miqësie shumë të mirë. Përkundrazi, racizmi kundrejt shqiptarëve arrin deri në episode të dhimbshme. 20 vjet rresht shteti grek nuk arriti të formulojë asnjë politikë efikase për emigracionin, për këta emigrantë që varfëria dhe papunësia i shtyu të gjenden në Greqi. Akoma më e dhimbshme; vrasjet makabre ndaj emigrantëve shqiptarë ende nuk janë hetuar, pasi dosjet janë mbyllur njëherë e përgjithmonë nga drejtësia greke, duke lënë në errësirë arsyen përse u vranë këta emigrantë? Mos hetimi i vrasjeve përcjell një imazh të keq për viktimat, ku eshtrat e tyre ende presin një pafajësim nga drejtësia. Familjet e viktimave i kërkojnë shtetit shqiptar për të filluar sa më shpejt negociatat me vendin fqinj për hapjen e këtyre dosjeve, sepse nuk është fjala për një apo dy, por për dhjetëra vrasje të emigrantëve shqiptarë të pafajshëm. Duke nxjerrë në dritë të vërtetën mbi këto vrasje makabre të emigrantëve shqiptarë nuk bëjmë gjykimin, por kërkojmë drejtësi. Për hir të së vërtetës, nuk janë llogaritur plagosjet dhe vdekjet në fushat e minuara të Greqisë, apo mbytjet në lumin Ebro në detin Egje. Gjithashtu, nuk është llogaritur numri i vdekjeve të emigrantëve në ambientet e punës, as aksidentet e tjera që ndodhin në jetën e përditshme.

Dikur turist shqiptar

Një vitalitet mbinjerëzor për të mbijetuar me një prirje vetëshkatërruese dhe teoria tjetër shqiptaro-fobe, si njerëz me atavizma fiziologjike, si p.sh, të prapambetur, inferiorë, të paditur etj, të parë nga një optikë tejet e zezë. Për fat të keq, nga kjo optikë u panë dhe u bënë të njohur emigrantët shqiptarë me mbërritjen e tyre në tokën greke, në fillim të viteve 90 nga qarqe të caktuara, por jo nga populli grek. Besoj se të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen ofenduese raciste, gjithë ironi “einai albvanos turistas (është turist shqiptar), shprehje, e cila e kishte prejardhjen ose më mirë rrënjën e saj në një prej justifikimeve të nxjerra nga vetë emigrantët shqiptarë, që hynë në këtë vend, për të arsyetuar qëndrimin dhe për të ruajtur sadopak atë krenarinë, që i karakterizonte. Por nuk shiheshin vetëm nga ana ofenduese e prizmit, ekzistonte dhe ana tjetër, ata që shiheshin me keqardhje dhe aspak me ironi ishin ata emigrantë që për hir të interesave të tyre mohonin gjithçka, ishin njerëz të paditur, ose më mirë vetëkarakterizoheshin si tibetianët e Europës. Kishte diçka të vërtetë në këtë vetëkarakterizim, niveli i ulët i jetesës dhe liria e kufizuar…, por jo padituria. Fluksi i madh i emigrantëve shqiptar e gjeti krejtësisht të papërgatitur shtetin grek, në të cilin mungonin institucionet e mirëfillta të specializuara për integrimin social dhe ekonomik të emigrantëve në këtë shoqëri të re, një shtet në të cilin nuk ekzistonte, as statusi i emigrantit. Të ardhur me shpresën, të mbartur me ëndrra dhe mendime pozitive, emigrantët që në vitet e para të qëndrimit të tyre humbën diçka të rëndësishme, optimizmin dhe u përballën me zhgënjimin dhe deziluzionin, që i detyruan të harrojnë kuptimin dhe esencën e mendimeve pozitive të nisura dikur si dhe variacionin e mënyrës së jetesës dhe kthimit në një monotoni të plotë pesimizmi. Premtime, premtime pambarim, iluzione, që zbeheshin ngadalë dhe rikthim në një realitet të ashpër, të përballur me probleme, të cilat nuk merrnin kurrë rrugën e zgjidhjes. Nga njëra anë, emigrantët bëheshin çdo ditë e më shumë një forcë jetike e vyer në ekonominë dhe shoqërinë greke dhe nga ana tjetër aq më shumë i largoheshin për shkak të burokracisë, që mbizotëronte, integrimit të plotë në atë vend që për shumicën ishte bërë atdheu i dytë që kishin zgjedhur. Një nga problemet më të theksuara, racizmi i paarsyetuar. Ksenofobia, një plagë që skalitej çdo ditë dhe nuk mbyllej me asnjë gjasë.

 

Shumica e emigrantëve duke pranuar realitetin, reagonin me indiferentizëm, por me kalimin e kohës racizmi u bë diçka disi e pranueshme dhe ky indiferentizëm bëri që racizmi, mos të ndikonte më në jetën e përditshme të tyre ose më mirë gjetën një forcë të brendshme, të mundeshin të mos bëheshin robër të kësaj gjendje. Problem tjetër, tepër i theksuar, që ekziston akoma, trafiku i qenieve njerëzore…indiferentizmi i plotë, gjendja jo e mirë ekonomike, mungesa e përgjegjësisë së organeve ekzistuese të drejtësisë, bashkëpunimi i individëve me forca politike e shtetërore, mungesa e sensibilizimit të opinionit publik, bënë që ky fenomen të marrë përmasa të gjera në kohën e fluksit të emigracionit në shtetin grek. Dhe është për t’u çuditur me faktin, se, ndërsa ishim vendi me tradita më të lashta për mbrojtjen e familjes dhe të nderit, papritur me hapjen e kufijve, u zhdukën të gjitha këto principe të hijshme. Dhe si rrjedhojë, me “të thatin u dogj dhe i njomi”, një arsye më shumë që të përforconte atë mendim të gabuar, që kishin krijuar për shqiptarët, vendasit grekë. Entuziazmi i momentit ia la vendin një realiteti të dhimbshëm, që lidhet me krizën ekonomike të viteve 2004-2011. Viktimat e para të kësaj krize mbërtheu Greqinë, ishin emigrantët shqiptarë. Ishin të paktë ata që  mundën të ruajnë vendet e punës dhe të shumtë ata mbushën sheshet, ku kërkohej punë dhe akoma më shumë ishin ata emigrantë, që u detyruan të marrin rrugën e kthimit. Për ku? Në Atdhe! Ato ku papunësia ishte më e madhe dhe korrupsioni galopant. Edhe në atdhe ata u ndjenë sërish të huaj. Asnjë politkë ekonomike lehtësuese. Asnjë mbështetje nga qeveria. Trokisnin në dyer që s’u zgjidhnin hall! Kjo është fytyra e vërtetë e emigrantëve shqiptarë të Greqisë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …