KMDLNJ

KMDLNj: Mungesa e transparencës, provat e sajuara, shenja identifikuese e Gjykatës Speciale në Hagë

Në një reagim të  KMDLNj-së thuhet se  procesi gjyqësor  kundër  ish kryetari të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, kryetarë të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, shef i GP të partisë Vetëvendosje si dhe Pjetër Shala, ushtar i UÇK-së po vazhdon në rrethana të mungesës së theksuar të transparencës dhe redaktimeve të shumta që efektivisht shkaktojnë huti dhe mosbesim në opinion sikur që shkelin të drejtat e njeriut të personave që po gjykohen duke ua pakësuar mundësinë për mbrojtje. Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe Salih Mustafa, më herët ishin dënuar me dënime kapitale dhe drakonike, të pashembullta me dënimet e gjykatave që trajtojnë raste të kësaj natyre. Risi e kësaj Gjykate, nga aspekti i të drejtave të njeriut pa asnjë dyshim raciste (sepse të gjitha arrestimet, gjykimet dhe dënimet janë në baza etnike) është numri i madh i të arrestuarve dhe atyre që merren në pyetje për një vepër që është risi, pengimi i administrimit të drejtësisë dhe frikësimi i dëshmitarëve e që është numër më i madh se i atyre që janë arrestuar, po gjykohen apo që janë dënuar.

Në njërën anë, Gjykata Speciale përkatësisht Prokuroria e Specializuar nuk lë mjet pa keqpërdorur për të ardhur te provat kundër atyre që po gjykohen apo që janë dënuar duke filluar nga fakti që shumica e provave janë siguruar nga shteti i Serbisë përkatësisht nga shërbimet inteligjente të këtij shteti që ka kurdisur prova dhe dëshmitarë, ka joshur dëshmitarë me para dhe premtim për strehim në një vend tjetër, ka hyrë në marrëveshje me dëshmitarë të ndryshëm, ka marrë deklarata në prani të prokurorëve të Serbisë dhe ka trajnuar dëshmitarë se si duhet të dëshmojnë. Në anën tjetër kanë përndjekur çdo person, që në një mënyrë apo tjetër ka kundërshtuar këto metoda të Prokurorisë Speciale duke i ftuar në biseda, duke ua konfiskuar telefonat, kompjuterët, librat apo publikimet e tjera sikur edhe duke i marrë për bazë edhe deklaratat e të ashtuquajtur analistë që nuk kanë lënë vend dhe mundësi që, për përfitime krejtësisht materiale të deklarohen kundër luftës ndonëse nuk kanë pasur asnjë njohuri, shkaku i moshës apo bindjeve politike të sigurojnë ndonjë provë për periudhën për të cilën janë deklaruar.

Kishte dëshmitarë të organizatave me nam që dëshmuan se raportet e tyre janë bazuar në raporte të mediave serbe dhe institucioneve serbe sikur edhe organizatave në Kosovës që edhe ato mbështeteshin në të njëjtat burime. Rast flagrant është se dëshmitari që edhe tani është duke dëshmuar, serb i Serbisë që qenka ndaluar, sipas tij nga UÇK-ja botërisht e pranon se deklaratën fillimisht e ka dhënë te prokurori serb në Beograd ndërsa, po të njëjtën deklaratë e paska dhënë para Prokurorit të Specializuar, në praninë dhe shoqërimin e prokurorit të Serbisë!!!! Dritan Goxhaj ishte arrestuar në Shqipëri me urdhër të Gjykatës Speciale me arsyetim se paska përmendur në një intervistë emra të dëshmitarëve të mbrojtur e që janë bartës të posteve publike në Kosovës ndërkaq që Gjykata e Apelit në Shqipëri duke e refuzuar ekstradimin e tij në Hagë, urdhëroi që ai të lirohet që dëshmon qartazi se kjo gjykatë ka identitet profesional dhe moral. Mundësia më e madhe për frikësim të atyre që e kundërshtojnë këtë Gjykatë është pikërisht arrestimi për pengim të drejtësisë që është aq fleksibil sa që mund të krijojë mundësi për arrestim të qindra personave sikur që dikur UDB-ja dhe autoritetet jugosllave dhe serbe e interpretonin propagandën armiqësore si pretekst për arrestim dhe gjykim të qindra dhe mijëra shqiptarëve, kundërshtarë të regjimit reperesiv jugosllav dhe serb.

Proceset e deritashme para Gjykatës Speciale janë në masën 85% procese të mbyllura për publikun, procese private në një proces të privatizuar dhe të kapur andaj është e paqartë se çka ndodhë aty dhe në mënyrën më flagrante shkelet parimi i publicitetit që garanton dhe mbron të drejtat e të akuzuarve për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht apo nga grupet e tjera të interesit ku publiku rregullisht dhe objektivisht informohet për rrjedhën e gjykimit. Shumica e dëshmitarëve të “mbrojtur“ nuk janë dëshmitarë të drejtpërdrejtë, nuk janë dëshmitarë okularë që e ul dukshëm besueshmërinë e dëshmive të tyre aq më parë që pas dëshmive janë transferuar në shtetet tjera, bashkë me familje ku i është dhënë strehim. Kjo mënyrë është joshje edhe për dëshmitarët tjerë të cilët gjithashtu janë dëshmitarë kolateralë. Merreni me mend, dëshmia e një dëshmitari kolateral e që tani jeton në një vend tjetër deri më tani ka pasur për pasojë arrestimi e disa personave dhe marrje në pyetje të dhjetëra të tjerëve. KMDLNj kërkon hapje të proceseve gjyqësore, redaktim vetëm kur nuk ka tjetër mundësi për çka ka dhënë premtime publike edhe kryetari i trupit gjykues në procesin kundër krerëve ushtarakë dhe politikë dhe institucionalë, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë në të kundërtën përgjegjësia do të adresohet edhe te deputetët e Kuvendit të Kosovës si bashkëpjesëmarrës në shkelje të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në Hagë. Reagimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në adresimin e çështjeve që janë ngritur nga KMDLNj në asnjë mënyrë nuk janë ndërhyrje në pavarësinë e kësaj gjykate por janë çështje e të drejtave të njeriut.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …