Në pulla postare – Guri i Shpumë, Guri i Dellocit dhe Guri i Plakës

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj lëshoi sot në qarkullim postar emisionin “Monumentet natyrore”, ku përfshihen tri pulla postare me imazhet e tri monumenteve natyrore të Republikës së Kosovës, për të cilat janë bartur gojëdhëna, rrëfime legjendash e mitesh ndër breza përgjatë shekujve.

 

Guri i Shpumë – gjendet në qytetin antik të Kaçanikut, i cili karakterizohet nga ngjarje të shumta dhe elemente të trashëguara të rëndësisë së veçantë. Pamjeve magjepsëse të Grykës së Kaçanikut në veçanti dhe vlerë të shtuar i jep Guri i Shpumë, vend i preferuar për shumë vizitorë.

 

Guri i Dellocit – gjendet në fshatin Delloc të Komunës së Suharekës, me lartësi mbi 1700 metra, me një pamje sa të bukur aq edhe intriguese për identifikimin e kohës së krijimit të tij. Sipas gojëdhënave daton që nga koha e lashtë ilire dhe nga banorët njihet si Guri i Diellit, që sipas studiuesve ka mundur ta ketë rolin e orës diellore, pretendime këto që mbetet t’i konfirmojë shkenca.

 

Guri i Plakës – tërheq vëmendjen me pamjet piktoreske të Komunës së Drenasit. Është monument natyror me karakter gjeo-morfologjik, i vënë nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Republikës së Kosovës nga viti 2006. Gurin e Plakës e karakterizon mrekullia mbresëlënëse e kalimit të trenit në mes të tij, duke e shndërruar atë në atraksion prej shumë vizitorësh vendorë dhe të huaj.

 

Posta e Kosovës, me këto tri pulla postare promovon pamjet mahnitëse të bukurive natyrore të Kosovës, ndërsa koleksionistët, qytetarët dhe bizneset, tanimë munden t’i blejnë ato që t’i vendosin në dërgesat dhe zarfet e tyre, si kujtime të rralla për më të dashurit e tyre kudo nëpër botë.

Kontrolloni gjithashtu

Poeti Ali H.Tahiri ndanë Mirënjohje post mortum profesor Ahmet Qeriqit për kontributin jetësor ndaj kombit dhe atdheut

Në një moment të mbushur me emocione dhe respekt të thellë kombëtar, poeti i njohur …