Me Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin kemi biseduar për problemet aktuale dhe për preokupimet e përditshme. Që të dy janë shumë parimorë në qëndrimet dhe veprimet e tyre. Pengesë kryesore në këtë drejtim na paraqitet Luani, Ramiz Qeriqi, i cili nuk po e gjen dot veten. Më duket sikur ka filluar të degradohet edhe shpirtërisht. Ndoshta krejt kjo është pasojë e presionit apo e ndonjë destrukcioni të caktuar. Ramizi po kthehet kundër shokëve, kundër vetvetes, kundër të gjithëve. Vërej një lloj degradimi rapid, një transformim të çuditshëm në shpirtin e tij. Diçka po e gërryen nga brenda dhe ai nuk është i aftë ta kalojë krizën.
Nuk e marr me mend se ç` po ndodh me këtë njeri.
Gjatë rrugës për në Berishë, sot me Elez Durmishin jemi ndalur në Shalë, ku kemi takuar Heset Sahitin. Me të kemi biseduar lidhur me shtrirjen e autoritetit dhe të kompetencave të tij edhe në lëmin e arsimit, meqë Heseti është caktuar drejtor i Drejtorisë lokale për Administrim Civil.
Me ne, për në Berishë, është nisur edhe Nazmi Iballi, furnizuesi ynë kryesor nga Shtimja, të cilit i është premtuar se duhet të inkuadrohet në Drejtorinë e Ekonomisë dhe të Financave, por meqë Ramë Buja sot vjen në Shalë, Nazmiu ka mbetur aty me qëllim që ta takojë dhe të bisedojë për ndonjë punë të caktuar.
Nga rruga e gjatë, këmbë, thikë përpjetë dhe nëpër dëborë mezi arrij të depërtoj në Rafshnaltë. Kur nisem në Grykë mundohen të ec ngadalë për të mos u lodhur, por menjëherë marr atë ritmin e zakonshëm të lëvizjes. Meqë djersitëm nga rrobat e shumta që kam veshur nuk guxoj të pushoj askund sepse përnjëherë ftohem. Kur arrij në Berishë i tërë jam në djersë. E ndërroj këmishën dhe nën këmishën, të cilat zakonisht e thajmë te stufa. Kështu bëjmë të gjithë, ndërsa duhma e djersës përzihet me lagështirën e drunjve. Kemi halle dhe derte të tjera dhe as kë nuk e pengon djersa e tjetrit. Ndoshta dikujt as i shkon në mend kjo.
Nga informatat që kemi marrë në terren, të cilat janë vërtetuar edhe nga agjencitë e huaja të lajmeve, bëhet e ditur se kontingjente të tëra të forcave serbe, nga Serbia po zbarkojnë në Kosovë. Si duket kjo lidhet edhe me zemëratën që ka shkaktuar kapja e shtatë ushtarëve dhe oficerëve serbë nga forcat tona, në Zonën Operative të Shalës. Serbët, si duket po përgatiten për një ndërmarrje edhe më të përgjakshme se ato që kanë ndërmarrë deri tani. Mbajtjen në arrest të ushtarëve dhe eprorëve serbë po e dënojnë edhe diplomatë të njohur perëndimorë. Sipas kësaj logjike ne nuk paskemi të drejtë t`i zëmë apo t`i arrestojmë serbët, derisa ata na vrasin dhe na masakrojnë edhe fëmijët tanë. Ata po ashtu po i mbajnë në arrest edhe nëntë ushtarët tanë të plagosur në brezin kufitar, më 14 dhjetor të vitit të kaluar.
Emisionin e kemi transmetuar me kohë, edhe pse vlugu i informacioneve na arrin prej orës 14.00 deri në orën 16.00.
Në mbrëmje me Martin Çunin kemi shkuar në Shtab, në Divjakë. Kemi biseduar me Sokol Dobrunën si dhe me eprorët Salih Veseli e Naim Maloku.