Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA; Grenelli është engjëll krahasuar me Donald trumpin

Grenelli është engjëll krahasuar me……: Në Amerikë përfunduan zgjedhjet ashtu si pata shkruar në gazetën “Epoka e re”, Trampi ishte si Barcelona, Harris si Reali, pra Barcelona e shkërmoqi Realin me rezultat 4 me 1. Ashtu edhe Trampi bëri diferencën me vota elektorale, fitoi votat popullore, e fitoi shumicën në Senat sikur që vetëm 4 vota e ndajnë nga shumica në Dhomën e Përfaqësuesve apo Kongres. Realisht, Kamala Harris sipas rregullave tona zgjedhore nuk e kaloi pragun. Sikur Nisma në zgjedhjet e fundit kurse Trampi i fitoi të gjitha, sikur LV-ja në zgjedhjet e fundit. Forcat politike që deklarohen si të djathta në Kosovë e që prejardhjen politike por edhe veprimin e kanë të majtë iu gëzuan fitores së Trampit kurse Pacolli, nga aeroporti i Marecit fluturoi në Mar a Lago në Florida për të festuar këtë fitore. Natyrisht, u takua edhe me Ilon Musk për ndonjë investim në të ardhmen. Sigurisht se këtë investim material, profesional dhe intelektual, Pacolli do ta përdorë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë për t’u bërë pjesë e Kuvendit. Nuk kam asnjë dyshim se do të bëhet. Fitores së Trampit i janë gëzuar Sali Berisha dhe Ilir Meta, i pari me shpresë se do të denongratizohet (do i hiqet non grata) dhe Meta se do ta ndërrojë ambientin e banimit, nga 313, burgu në Tiranë, te hoteli i Lul Morinës apo, për t’u bërë pak më modest dhe popullor, te Gjiri i Lalëzit. Gjasat për këtë janë si të Muços që shkonte pas daive të dashit. Fitorja e Trampit ua ka pasuruar fjalorin fyes ndaj SPAK-ut dhe Xhorxh Sorosit. Nuk do të vepronin kështu po të kurseheshin nga SPAK-u dhe po të merrnin lekë nga plakushi Xhorxh.

Po në Kosovë, a pati hidhërim apo gëzim: LV-ja votoi për Harris dhe kundër Trampit. Opozita ishte me Trampin duke shpresuar se do ua heqë qafe Kurtin dhe elitën e tij intelektuale që janë Dimal Basha, Halil Thaçi, Mef  Bajçina, Pambuke Kullashki, Cube Drejtësia, Rozafa Majmali, Hajnrullah Çeko, Xhelal Stupci, Artan Dizelli, Ben Hajni dhe të tjerët, numri i të cilëve nuk është i vogël. Në fakt, përbëjnë shumicën absolute. Dimali është si Baba Vanga i LV-së, i parasheh gjërat në Amerikë me një saktësi të pabesueshme sikur që parapau se Harris do të fitojë bindshëm në zgjedhjet në……Kurdistan. I gjori Dimal, djalë i mirë sa nuk e ka shoqin por se nuk sheh politikisht më larg se hunda. Madje as aq.

Shpresat e opozitës, te qok… e Grenellit: Opozita e mendon Grenellin si gogol për Kurtin duke harruar se Trampi prenë dhe qepë për të gjithë, krejtësisht sipas masës të përcaktuar nga vet ai e jo përmasave trupore të klientelës. Duket se kësaj radhe një Tramp më i pjekur politikisht ka vendosur ta lë Grenellin lakuriq sa i përket fuqisë së ndikimit dhe vendimmarrjes politike. Grenellin eventualisht mund ta përdorë për punë jo shumë apo aspak të pastërta. Kosova duket se nuk paraqet asnjë interes për administratën Tramp 2. Administrata Tramp 2 ka më shumë interes te Serbia, pa asnjë dyshim. Serbia ofron lithium, ka nënshkruar marrëveshje miliarda dollarë për energji me Amerikën, mundëson investime miliarda euro nga Kushner, dhëndër i Trampit, në Serbi, shërben si urë lidhëse me Rusinë, Iranin,  Indinë dhe Kinën etj. Kosova nuk ofron asgjë që u përmend më lartë përveç trurit të Dimalit, Mefit, Pambuke Kullashkit, Cube Drejtësisë, Xhelal stupcbejzbollit, Rozetës së Himalajeve, Halil Cefalusit, Pecit të Vogël, Donika Shvarcvaldit  etj., margaritarë të dijes dhe pionierë të Inteligjencës Artizanale, shkallë më e avancuar se ajo artificiale.

Po Albini, si dhe sa do të përfitonte nga Grenell: Nëse dikush realisht do të përfitonte nga faktorizimi i Grenellit, ai, pa asnjë dyshim do të ishte Albin Kurti përmes riviktimizimit. Herën e parë, Grenell dhe opozita e papërgjegjshme që e rrëzuan në kohën e pandemisë, ia siguruan Kurtit 51 për qind të votave. Albin Kurti e ka çështje të mbijetesës politike, pse jo edhe fizike, konfrontimin me administratën Tramp 2 duke e konsideruar si xhoker pikërisht Riçard Grenellin. Për Albinin, një telefonatë me Trampin apo Rubion do të ishte si një bisedë me Zotin vet, pavarësisht përmbajtjes së bisedës. Për Albinin situata më e rëndë do të bëhej nëse as nuk do të riviktimizohej nga Grenell e as nuk do të telefonohej nga Tramp ose Rubio, do të mbetej në situatë duke pritur Godonë. Mendoj ashtu do të ndodhë. Albinin mund ta forcojë brenda Kosovës kryeneçësia e opozitës së papjekur politike të Kosovës, në vend të shfrytëzojë njëqindmijë penallti që ia mundëson pozita, këta luajnë me karta blof, në antiamerikanizmin e Albinit dhe me këtë vetëm e rrisin.  Albini, në planin ndërkombëtar është i mbaruar, sikur Sholci që iku për lesh. Në planin ndërkombëtar Albini po e luan ruletin rus me Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, marrëveshje që brutalisht e shkërdhenë pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin policor. Marrëveshje që e defaktorizon Gjykatën Kushtetuese në favor të arbitrazhit. Terr Abazoviqi, përmes Kishës Ortodokse e ktheu Serbinë në Mal të Zi, Albin Kurti me Marrëveshjen e Brukselit e shndërron Kishën Ortodokse serbe në Kosovë, në shtet brenda shtetit. Serbëve iu siguron autonomi politike dhe territoriale. E përjashton njohjen reciproke. Dhe që puna të bëhet m.t, Albin Kurti më shumë angazhohet për realizimin e kësaj marrëveshjeje, se që ishte angazhuar Ismail Qemali për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë!

I ndihmuar nga “këshilltarët” përfitues, filojugosllavi i dëshmuar, Veton Surroi dhe mercenari Marc Weller. Dhe nga një “diplomate” skajshmërisht e hendikepuar profesionalisht, Donika Shvarc. Këto duhet të jenë argumente për opozitën e jo “antiamerikanizmi” i Kurtit. Nëse opozita i mirëpërdorë këto argumente, Kurti nuk i fiton as 30 për qind të votave kurse PDK-ja dhe LDK-ja nuk janë nën 24 për qind, AAK – NISMA nën 9 për qind e as Lidhja për Familjen nën 5 për qind. Në këto rrethana LV-ja ka gjasa të mos jetë partia e parë. Nëse opozita i mëshon lahutës duke madhëruar Grenellin apo shpreson se administrata Tramp 2 do të votojë për ta se janë burra të mirë, do ta fitojnë të trashët e Surlës apo, në vend të mishit për zgarë do t’i përdorin daitë e dashit të Muços. Ta shohim! Koha po ecën shpejt!

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …