Çfarë ka pranuar Kosova në Bruksel dhe Ohër,,,!?
Nëpër medie,deklarata politike e deri në intervistën e fundit për Deutsche Welle, Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryenegociatori për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, vazhdojnë me narrativën e njohur: fajin për ngecjen e dialogut thotë se e kanë ndërmjetësit evropianë dhe Serbia…
Kjo qeveri nuk ja atribon asnjë prej deshtimeve të rënda në dalog e në marrëdhënie ndërkombëtare qeverisjes së tyre tepër të dobët. Përherë fajin si top e gjuajnë në Bruksel,duke e cilësuar se është “i njëanshëm”, ndërsa Serbia pohojnë se “s’ka zbatuar asgjë”. Këto janë pjesërisht të vërteta, por të nxjerra nga konteksti për të shmangur thelbin: çfarë ka pranuar vetë Qeveria e Kosovës në këto marrëveshje dhe pse refuzon t’i shpjegojë qytetarëve në mënyrë të ndershme?!
Në një atmosferë të ngarkuar politike dhe me një popullsi të lodhur nga narrativa viktimizuese e pafund për “fajin e të huajve”dhe ”fajin e regjimeve të vjetra”, Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, B. Bislimi,pa fije turpi përsëri përpiqet ta zhvendosë barrën e përgjegjësisë për dështimet e procesit të dialogut nga Qeveria e Kosovës te ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe te Serbia. Ai e paraqet Bashkimin Evropian si palë të anshme dhe Serbinë si përfituese të njëanshme. Por ky viktimizim nuk e mbulon dot realitetin e dhimbshëm: institucionet e Kosovës, përfshirë edhe vetë Bislimin e Kurtin, kanë marrë vendime dhe angazhime konkrete në Bruksel e Ohër – dhe është koha që këto të bëhen publike qartë e pa manipulime.
Çka u nënshkrua realisht në Bruksel e Ohër?
Është gënjeshtër gjysmake të thuash se nuk ka marrëveshje për Asociacionin. Po, në tekstin e Marrëveshjes Bazike (shkurt 2023) dhe në Aneksin e Ohrit (mars 2023) nuk përmendet fare fjala “Asociacion” në mënyrë eksplicite. Por pika 7 e marrëveshjes e obligon Kosovën që të zbatojë të gjitha marrëveshjet e mëparshme, përfshirë atë të vitit 2013 dhe dokumentin e parimeve të vitit 2015 – të cilat përqendrohen pikërisht në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Të thuash se “nuk kemi marrëveshje për Asociacionin” është përpjekje për ta gënjyer e ngatërruar opinionin publik dhe për të shmangur ballafaqimin me realitetin politik dhe diplomatik. Po, është pranuar – jo formalisht me nënshkrim klasik, por përmes dakordimit verbal dhe pranim të dokumenteve që vetë Qeveria Kurti i quajti “ligjërisht të detyrueshme”. Çfarëdo përpjekje për t’i relativizuar këto fakte është mashtrim politik.
A është faj vetëm i Serbisë …?
Serbia ka dështuar dhe vazhdon ta sabotojë çdo përpjekje për normalizim, këtë e di gjithë bota. Por kjo nuk e justifikon faktin që Kosova ka hyrë në negociata me një vizion të paqartë, me mungesë konsistence dhe me qëndrime të papërputhshme. Për më shumë se një dekadë, dialogu është ndjekur pa transparencë publike, pa përgatitje të mirëfilltë institucionale, dhe pa një strategji kombëtare për zbatimin e marrëveshjeve që ruhin integritetin kushtetues të Kosovës.Ende nuk janë tharë e as s’janë fshirë parollat”Vetvendosje,jo negociata!” Bislimi vlerëson se gjija se Kosova ka përmbushur pjesën më të madhe të detyrimeve, ndërsa Serbia jo. Kjo mund të jetë e vërtetë në disa raste, por kjo nuk e amniston Qeverinë nga përgjegjësia për mungesë të qasjes aktive diplomatike, për paaftësinë në menaxhimin e krizave në veri, dhe për krijimin e iluzionit se çdo gjë që ndodh është pjesë e një “komploti” ndërkombëtar.
Është e vërtetë që Serbia ka shkelur shumë marrëveshje. Ka penguar integrimin ndërkombëtar të Kosovës, ka forcuar strukturat paralele në veri dhe ka intensifikuar fushatën e çnjohjeve. Por Kosova nuk ka hyrë në këtë dialog pa vetëdije. Ajo ka pranuar marrëveshje, ka lëshuar deklarata për “angazhim të plotë në zbatim”, dhe i ka prezantuar këto si fitore diplomatike. Të përpiqesh tani të zhvlerësosh vetë marrëveshjet që i ke quajtur “historike” është sjellje jo serioze.
Për më tepër, nuk mund të presësh që BE-ja të barazojë pozitat kur Kosova nuk ka strategji të qartë për zbatim. Institucionet tona nuk kanë ndërtuar as konsensus të brendshëm politik, as platformë të përbashkët kombëtare. Nuk kanë as plan për informim publik, që do t’ia shpjegonte qytetarit pse dhe si po zhvillohet ky proces. Kur nuk ke strategji, mbetesh në mëshirën e të tjerëve.
Dialogu si fushë-betejë propagandistike
Më shqetësuesja është se Qeveria aktuale e ka kthyer dialogun në një mjet për konsum të brendshëm politik. Në vend që t’i shpjegojnë qartë qytetarëve se çfarë përfshin marrëveshja dhe çfarë nënkupton zbatimi i saj, zyrtarët përdorin terma të paqartë, fraza të qëllimshme për të shmangur të vërtetën, dhe e nxisin narrativën e përhershme se “Kosova është viktimë”. Kjo është politikë e dëmshme, që e lë qytetarin të painformuar dhe e minon besimin e tij në institucionet shtetërore.
Koha për sinqeritet politik e transparencë
Është e lehtë të thuash se “jemi viktima”. Është shumë më e vështirë të thuash: “Po, kemi pranuar këtë marrëveshje për të ruajtur rrugën drejt integrimit, por me kushte dhe rezerva të qarta.” Kjo është ajo që nuk e kemi dëgjuar kurrë nga zyrtarët tanë. Përkundrazi, gjithçka është mbështjellë me mjegull deklarative dhe refuzim për ta thënë të vërtetën në sy të popullit.
Në vend të një dialogu të brendshëm për atë çfarë jemi duke bërë në emër të shtetit, shohim përpjekje për të shtyrë çdo përgjegjësi te të huajt. Kjo nuk është as mençuri diplomatike, as patriotizëm politik. Është thjesht shmangie nga përgjegjësia.
Marrëveshja për të cilën askush s’merr përgjegjësi
Bislimi deklaron se marrëveshja bazike nuk përmend Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është teknikisht e saktë, por politikisht mashtruese. Pika 7 e marrëveshjes e obligon Kosovën të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake – përfshirë marrëveshjen e vitit 2013 dhe dokumentin e parimeve të vitit 2015, të cilat janë thelbësisht për Asociacionin.
Prandaj, kur Qeveria aktuale thotë se nuk ka pranuar Asociacionin, ajo thjesht po luan me fjalë. Ajo ka pranuar një marrëveshje që e rikthen në fuqi një sërë zotimesh që i njëjti subjekt politik i kishte refuzuar më parë. Kjo është jo vetëm hipokrizi politike, por edhe mungesë respekti për qytetarët, të cilët mbahen larg së vërtetës në emër të “interpretimit politik”.
Çfarë duhet të ndodhë tani?
• Qeveria duhet të publikojë të plotë marrëveshjet që ka pranuar dhe angazhimet që dalin prej tyre.
• Duhet një analizë kombëtare: çfarë përfiton Kosova realisht dhe çfarë rrezikon.
• Duhet të ndalet menjëherë manipulimi me fjalë dhe të nisë një komunikim i ndershëm me qytetarin.
Kushtetuta e Kosovës nuk lejon autonomi territoriale.nzk duron rikthim të Rezolutës 1244 e as aebitrazh. Çdo veprim që afron me këtë logjikë duhet të ndalet. Por për ta ndalur, duhet që më parë të pranojmë se kemi hyrë në një proces që, me ose pa dashje, ka ngjyrime të tilla.
Në fund të ditës: Transparenca është patriotizëm
Nëse vërtet e duam shtetin e Kosovës dhe integrimin e tij në Evropë, është koha të flasim hapur. Qeveria duhet t’i publikojë të gjitha angazhimet, dokumentet, marrëveshjet, dhe t’u tregojë qytetarëve – me gjuhë të thjeshtë – çfarë kemi pranuar dhe çfarë do të ndodhë më tej. Vetëm kështu qytetarët do të mund ta mbajnë qeverinë përgjegjëse, dhe vetëm kështu do të ndërtojmë një demokraci funksionale.Stop viktimizimit. Stop propagandës. Filloni me përgjegjësi.
Nuk janë më të mjaftueshme akuzat ndaj Borrellit e Lajçakut, ndaj Grenellit,apo të tjerëve. Kosova është shtet – dhe një shtet i merr vetë vendimet dhe i mban vetë përgjegjësitë.Koha për transparencë ka ardhur. Koha e viktimizimit politik duhet të marrë fund.Sepse është koha për transparencë, jo viktimizim:të thuhet qartë e publikisht çfarë ka pranuar Kosova në Bruksel dhe Ohër dhe çfarë e ka në projektin e qevetisjes( nëse ka)të bëjë?
Prishtinë, më 31 maj 2026