Me zemër të copëtuar nga dhimbja për humbjen e vëllait tonë të dashur, Besnik Ismajli – Klaiqi, por edhe me një plagë të re që u hap në momentin më të ndjeshëm të jetës sonë – ndjejmë nevojën të ndajmë me ju falënderimin tonë të thellë, por edhe zhgënjimin që s’mund të heshtet.
Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që na qëndruan pranë, që e nderuan me prezencë, me lot, me përqafim, me fjalë e me heshtje, një burrë që e dha gjithë jetën për lirinë e kombit.
Një falënderim i veçantë dhe i përjetshëm i takon komunitetit shqiptar në Finlandë, që i qëndroi pranë Besnikut në momentet më të vështira. Ju që u kujdesët për gjithçka, që e shoqëruat në frymën e fundit, që organizuat kthimin e trupit në Kosovë me nder e përkushtim – ishit shembulli më i pastër i solidaritetit kombëtar dhe dashurisë vëllazërore.
Faleminderit që nuk e latë vetëm.
Por sot, ne u lënduam thellë.
Vëllai ynë – ish i burgosur politik, bashkëvuajtës me Ukshin Hotin, ushtar i UÇK-së, luftëtar i UÇPMB-së, që mbeti besnik ndaj idealeve të kombit deri në frymën e fundit – nuk u përcoll ashtu siç u premtua.
Na u tha se do të ishte nderuar nga ushtarët dhe përfaqësuesit e UÇK-së në ceremoninë e varrimit. Na u dha fjala se do të vinin, se do ta bënin me dinjitet. Por kur erdhi momenti, askush nuk erdhi, dhe më e dhimbshmja: as një përgjigje nuk morëm.
Më vonë na u tha se, sipas autoriteteve shtetërore, ushtria nuk kishte marrë leje të marrë pjesë në përcjellje me nderime, për shkak se kinse emri i tij nuk gjendej në ndonjë listë zyrtare të UÇK-së.
Por kjo justifikatë nuk qëndron, sepse në varrimin e tij morën pjesë shumë ish të burgosur politik, ish-ushtarë dhe komandantë të UÇK-së që erdhën si civilë, dhe që dëshmuan se kontributi i Besnikut ishte i vërtetë dhe i njohur.
Kjo heshtje na theu shpirtin.
Jo vetëm neve si familje, por kujtimit të vetë Besnikut, i cili në vend të mbrëmjes së maturës, e kaloi rininë në burgjet e Serbisë, që zgjodhi uniformën në vend të rehatisë, që në mërgim nuk pushoi së mbrojturi idealin për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.
Më shumë se vdekja, na dhemb mungesa e atyre që duhej të ishin aty, për ta përkulur kokën para një njeriu që nuk kërkoi asnjëherë privilegje – vetëm dinjitet për komb dhe për shokët e vet.
Sot, po e ndajmë këtë dhimbje me ju jo për të akuzuar, por për të kujtuar një të vërtetë:
Të mos harroni kurrë ata që sakrifikuan, sepse harresa vret më shumë se plumbi.
Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Besnik Ismajlit – Klaiqi.
Turp për ata që harruan vlerën e tij në çastin kur duhej t’ia jepnin lamtumirën e fundit.
Me nder dhe dhimbje,
Familja Ismajli