Në të tashmen e rreshtimeve globale dhe strategjike, kombet punojnë pandalshëm në pozicionime dhe ripërpozicionime.
Faktori kryesor i sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të shoqërisë në një shtet është zhvillimi ekonomik i vendit. Andaj, treguesit në këtë drejtim janë shqetësues, ngase ne jemi kryesisht një shoqëri konsumuese e jo prodhuese.
Por, ndryshimi nga konsumues në prodhues duhet të nisë në lokalitete, në komuna, aty ku zhvillohet jeta, dhe për këtë ndryshim kërkohen rrugë të guximshme, rrugë të reja, dije profesionale dhe dashuri patriotike ndaj vendit.
Për veprime konkrete dhe të menjëhershme, përderisa nuk është vonë, në këtë kohë rreshtimesh globale dhe interesash shtetërore rajonale, më bëri përshtypje artikulli i kolegut H.S., i cili në shkrimin:
“Maska e Kombit dhe Tradhtia e Vërtetë – Një Dekonstruktim Filozofiko-Soci…”
flet për devijimet destruktive të kombit tonë që duhen evituar, për të dalë nga amullia dhe gjumi i dremitja që na ka kapluar, si p.sh., kur:
“Tradhtarët rehabilitohen si ‘moderatorë’, ndërsa patriotët etiketohen si ‘radikalë’.”
Duke konkluduar se: “Kjo është rruga që na ka sjellë në këtë krizë të madhe identitare.”
Dhe më tej: “Zgjidhja nuk është thjesht politike. Ajo është e thellë, filozofike.
Na duhet një revolucion në vetëdijen shqiptare. Kombi nuk mund të përfaqësohet nga ata që bërtasin më shumë, por nga ata që ndërtojnë në heshtje, që sakrifikojnë pa kamera, që veprojnë për të vërtetën.
Duhet të rikthejmë dinjitetin kombëtar si vlerë etike dhe shpirtërore, jo vetëm si slogane partiake apo dekor propagandistik.”
Prandaj: “Ky dekonstruktim kërkon guxim. Kërkon arsimim të ri dhe përkushtim të vërtetë. Shoqëria shqiptare nuk mund të ecë përpara duke e lejuar gënjeshtrën të mbulohet me flamur, ndërsa të vërtetën ta dëbojmë si rrezik.
Është koha për ndërtimin e një elite të re kombëtare, me mendim të thellë, veprim të pastër dhe moral të pathyeshëm.
Jo më flamuj në duar të gabuara. Jo më heshtje përballë tradhtisë.
Sepse nëse heshtim sot, nesër nuk do të kemi më as komb, as të vërtetë, as dinjitet.
Kombi nuk është atje ku thirret me zë, por atje ku vuan në heshtje dhe shpreson me dinjitet.”
Duke parë zhvillimet politiko-partiake në nivel vendi dhe taborret politike që sollën shumë të këqija, si dhe momentumin drejt zgjedhjeve në nivel lokal – e siç po shihet, edhe në nivel qendror – koha për ndryshime rrënjësore është tani!