Profesor i së drejtës kushtetuese dhe ish-deputeti, Arsim Bajrami, ka kritikuar gjykaten e Hagës, duke i akuzuar për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe për qasje diskriminuese ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës që po mbahen në paraburgim. Në një konferencë për media në kuadër të platformës “Liria ka Emër”, Bajrami njoftoi se është duke u përgatitur një konferencë ndërkombëtare për të trajtuar shkeljet e Gjykatës Speciale, përmes një studimi gjithëpërfshirës. “Qytetarët e Kosovës nuk kanë asnjë kusht, përpos një dhome të ngushtë. Ndërkohë, Sllobodan Millosheviq kishte jo vetëm ambiente familjare, por edhe zyrë pune në Hagë. I dhanë statusin e një ish-presidenti, një krimineli që vetë ata e quanin ‘Kasapi i Ballkanit’, ndërsa ish-presidenti ynë trajtohet si qytetar i rëndomtë”, u shpreh Bajrami. Ai e krahasoi qasjen që Gjykata kishte ndaj figurave të larta serbe me trajtimin që po u bëhet të paraburgosurve shqiptarë nga UÇK-ja, duke theksuar se në Hagë ekziston një klimë armiqësore ndaj Republikës së Kosovës. Bajrami tha se Specialja ka refuzuar çdo bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe nuk i ka njohur ato si autoritete shtetërore legjitime. Ai renditi një sërë shkeljesh të pretenduara, përfshirë:
- Shkeljen e Kapitullit II të Kushtetutës së Kosovës, që garanton të drejtën për gjykim të drejtë dhe të shpejtë;
- Mungesën e kushteve minimale të paraburgimit;
- Animin e trupit gjykues kah Prokuroria, duke shkelur parimin e barazisë së palëve;
- Konflikt interesi dhe mungesë të ndarjes funksionale brenda sistemit hermetik të Speciales.
Bajrami tha se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, ka mashtruar publikun për kushtet e të paraburgosurve.
Në fund, profesori Bajrami kritikoi edhe Qeverinë e Kosovës, për, siç tha ai, mungesë të angazhimit serioz institucional dhe financiar për të mbrojtur qytetarët e saj në Hagë.