Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha: KËRKESË ZYRTARE PËR INICIMIN E NGRITJES SË OBELISKUT PËRKUJTIMOR NË NDER TË TË BURGOSURVE POLITIKË NË KOSOVË (1945–1999)

Ditë më parë, i drejtova një kërkesë Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, me qëllimin për të iniciuar ngritjen e një obelisku përkujtimor, në nder të të gjithë atyre që kanë vuajtur burg politik në Kosovë, që nga viti 1945 deri më 1999.

Kjo ide më lindi si një nevojë e thellë shpirtërore dhe qytetare, duke parë se kontributi dhe sakrifica e të burgosurve politikë shpeshherë po anashkalohet ose harrohet, megjithëse ata ishin ndër shtyllat e qëndresës kombëtare dhe të lëvizjes për liri.

Besoj se një obelisk i tillë do të ishte një akt dinjitoz kujtese, një shenjë respekti dhe mirënjohjeje publike, si dhe një mësim i gjallë për brezat e rinj, për të mos harruar kurrë çmimin e lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

E shoh si një domosdoshmëri morale dhe historike që Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës ta trajtojë me seriozitet të plotë këtë nismë, e cila nuk është thjesht një propozim simbolik, por një thirrje e ndërgjegjes kombëtare për t’u përkulur me nderim para atyre që vuajtën dhe sakrifikuan për idealin e lirisë. Angazhimi i saj në realizimin e këtij projekti, në bashkërendim me institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile, do të përfaqësonte një akt të lartë përgjegjësie kolektive dhe një gjest përkujtimor që tejkalon çdo formë ceremoniale.

Ky akt do të ishte një shenjë e fuqishme respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që, qoftë edhe për një ditë të vetme, kanë kaluar nëpër dhunën dhe errësirën e burgjeve serbe për shkak të bindjeve të tyre politike dhe idealeve kombëtare. Një përkushtim i tillë do të shërbente jo vetëm si akt kujtese, por edhe si vlerësim i drejtë dhe i vonuar për sakrificën e atyre që kontribuan në themelet e lirisë dhe shtetformimit të Kosovës shtet.

Harresa, në çdo shoqëri, është ndër plagët më të dhimbshme dhe më të rrezikshme për kujtesën kolektive. Ajo shfaqet në mënyrë të heshtur, por me pasoja të thella, duke lënë në harresë individë, ngjarje dhe sakrifica që kanë ndërtuar themelet e identitetit dhe lirisë së një kombi. Në kontekstin tonë historik, kur vitet kalojnë me shpejtësi dhe brezat ndryshojnë, lind domosdoshmëria urgjente që si shoqëri dhe si komb, të reflektojmë thellë për përgjegjësinë tonë ndaj ruajtjes së kujtesës historike.

Figurat e shquara të Kosovës – ata që u burgosën, u sakrifikuan, dhe hoqën dorë nga çdo e mirë personale për idealin e lirisë dhe pavarësisë – nuk duhet të mbulohen nga pluhuri i harresës. Është detyrë morale, qytetare dhe kombëtare që këtyre individëve t’u rikthehet vendi i merituar në historinë e përbashkët. Vetëm duke u kujtuar dhe nderuar ata që dhanë gjithçka për lirinë, mund të ndërtojmë një të ardhme të drejtë dhe të vetëdijshme për rrugën e mundimshme që kemi përshkuar si popull.

Duke qenë dëshmitare e rrjedhës së pandalshme të kohës dhe të harresës që shpesh e shoqëron atë, ndjeva një thirrje të brendshme dhe një detyrim moral që të mos mbetem në heshtje përballë mungesës së memorializimit të vuajtjeve të të burgosurve politikë të Kosovës. Si studiuese e përkushtuar ndaj kësaj fushe, me vite të tëra kërkimi e dokumentimi mbi përjetimet e atyre që sakrifikuan lirinë e tyre personale për idealin kombëtar, e ndjeva këtë iniciativë si një përgjegjësi profesionale dhe njerëzore.

Në këtë frymë, formulova një kërkesë drejtuar Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, që ajo të marrë nismën për ngritjen e një obelisku përkujtimor – simbol të ndërgjegjes kombëtare. Ky obelisk nuk do të ishte vetëm një strukturë fizike, por një akt i thellë reflektimi shoqëror dhe përuljeje ndaj historisë sonë të dhimbshme, i cili do t’i jepte zë dhe formë të prekshme kujtesës kolektive. Do të ishte një vend ku gjeneratat e reja do të mund të ndalen për të medituar mbi çmimin e lirisë dhe për të kuptuar se ajo nuk ishte dhuratë, por fryt i qëndresës dhe flijimit të atyre që kaluan nëpër errësirën e burgjeve politike, pa u thyer asnjëherë në idealin e tyre për një Kosovë të lirë dhe sovrane.

Dita e djeshme (17 korrik, 2025), ishte për mua dhe bashkëshortin tim, Prof. Dr. Tefik Basha, një moment reflektimi dhe përkushtimi të thellë ndaj kujtesës sonë kolektive. Së bashku vizituam ambientet e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, ku na priti me ngrohtësi dhe respekt të veçantë kryetari i saj, z. Shefik Sadiku – një figurë e njohur e qëndresës shqiptare, ish i burgosur politik, njeri i urtë dhe me një mençuri të thellë, që e ndien dhe mishëron ende peshën e vuajtjes dhe dinjitetit të asaj gjenerate që nuk u përkul.

Me një ndjenjë të veçantë mirënjohjeje dhe simbolike, gjatë vizitës në ambientet e Shoqatës patëm fatin të takohemi edhe me një nga figurat më emblematike të qëndresës shqiptare – z. Selatin Novosella, një veteran i çmuar i kauzës kombëtare dhe i vuajtjeve të burgut politik, i cili i ka kushtuar jetën tërësisht shërbimit ndaj lirisë dhe dinjitetit të Kosovës.

Takimi me të ishte një përjetim i thellë dhe frymëzues. Në një atmosferë të përzemërt dhe reflektive, zhvilluam një bisedë të hapur e të ndershme, në të cilën z. Novosella, me përvojën, urtësinë dhe përkushtimin që e karakterizon, shprehu menjëherë mbështetje të palëkundur për iniciativën tonë. Si gjithmonë kur bëhet fjalë për çështje që prekin drejtësinë historike dhe nderimin e të burgosurve politikë, ai u shfaq i pakompromis në vullnetin e tij për të dhënë kontribut konkret.

Në këtë takim simbolik e përplot përmbajtje, pata kënaqësinë t’i dhuroj kryetarit të shoqatës z. Sadikut dy nga veprat e mia më të fundit: “Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave (1944–1990)” si dhe “TOP Sekret – Dëshmi për keqpërdorimet dhe deformimet e shërbimit të sigurimit shtetëror jugosllav në Kosovë (1945–1966)”, një kopje për të personalisht dhe dy të tjera për fondin bibliotekar të shoqatës, me shpresën se këto botime do të shërbejnë si dëshmi të vlefshme për studiuesit dhe brezat që duan të kuptojnë më thellë historinë e shtypjes dhe rezistencës sonë.

Megjithatë, biseda jonë rreth librave nuk u mbyll me aktin e dhurimit të botimeve të fundit. Duke e shtyrë më tej diskutimin, e pyeta nëse në bibliotekën e Shoqatës gjendeshin edhe veprat e tjera që kam botuar ndër vite, të cilat trajtojnë në mënyrë të detajuar dhe dokumentare historinë e të burgosurve politikë shqiptarë në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Me një ton të qetë dhe të sinqertë, ai më konfirmoi se ato mungonin.

Në atë moment, e ndjeva si një përgjegjësi personale dhe një detyrim intelektual që t’i premtoja se në një ditë të afërt do të sjell të gjitha ato libra për fondin e bibliotekës së Shoqatës. Ndër to do të jetë edhe botimi im më voluminoz dhe më gjithëpërfshirës: “Të burgosurit politik shqiptarë në ish-Jugosllavi 1945–1990”, një vepër që me të dhëna arkivore dhe analiza të dokumentuara, dëshmon përmasat dramatike të represionit: 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burgim që shqiptarët i përjetuan nëpër qelitë e sistemit shtypës jugosllav, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare dhe qëndrimeve të tyre politike.

Ky akt, përtej dhurimit simbolik, është një përpjekje për të rikthyer dhe përforcuar kujtesën kolektive, duke vendosur dijen dhe dokumentimin në shërbim të së vërtetës historike dhe të ndërgjegjes shoqërore.

Pas një bisede të këndshme dhe mjaft përmbajtësore, ku u prekën shumë çështje që lidhen me të kaluarën tonë të përbashkët dhe nevojën për ruajtjen e saj nga harresa, e paraqita qëllimin e vizitës sonë, dorëzimin e kërkesës zyrtare për inicimin e ndërtimit të një obelisku përkujtimor në qendër të Prishtinës – një monument që do të përfaqësonte ndërgjegjen tonë historike, nderimin për të burgosurit politik dhe kujtesën kolektive të një epoke të dhimbshme, por të lavdishme të popullit tonë.

Në shprehjen e fytyrës së z. Shefik Sadikut, (kryetar) u dallua qartë një ndjenjë e sinqertë gëzimi dhe miratimi për iniciativën e propozuar – një emocion që buronte jo vetëm nga përvoja personale, por edhe nga vetëdija për rëndësinë që mbart kujtesa historike në ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare. Ai e pranoi kërkesën me një ndjenjë përkushtimi, e hapi dhe e lexoi me zë të lartë, duke i dhënë asaj vëmendjen që i takon një akti simbolik me peshë kombëtare e shoqërore.

Pas leximit, më përgëzoi për nismën, duke e cilësuar atë si një hap të guximshëm dhe të nevojshëm drejt përjetësimit të sakrificës së të burgosurve politikë. Ai shprehu optimizëm të matur se me bashkëpunimin dhe përkrahjen e të gjithë akterëve—si institucioneve shtetërore, ashtu edhe individëve të ndërgjegjshëm e dashamirës të çështjes kombëtare—do të mund ta çojmë këtë nismë deri në realizim të plotë. Ky besim i tij, i artikuluar me përulësi dhe vendosmëri, përforcoi bindjen se kauza jonë ka gjetur jehonë dhe mbështetje aty ku duhet, në zemrat dhe ndërgjegjen e atyre që bartin kujtimin e sakrificës dhe të përpjekjes për liri.

Pas shqyrtimit të kujdesshëm, kërkesa jonë u protokollua zyrtarisht në evidencat e Shoqatës së të Burgosurve Politikë, duke marrë kështu trajtë institucionale dhe peshë procedurale në kuadër të veprimtarisë së saj. Kryetari i Shoqatës, z. Shefik Sadiku, na siguroi me përkushtim se ajo do të përfshihet në rendin e ditës të mbledhjes së parë të ardhshme të kryesisë, duke u dhënë mundësinë të gjithë anëtarëve të forumit drejtues të diskutojnë dhe ta trajtojnë me seriozitet këtë iniciativë.

Qëndrimi i tij ishte i mbushur me optimizëm dhe besim të sinqertë se kjo nismë e propozuar do të gjejë përkrahje dhe do të konkretizohet me sukses. Ky qëndrim pozitiv jo vetëm që na inkurajoi, por edhe na përforcoi bindjen se kemi ndërmarrë një hap të domosdoshëm dhe të drejtë. Ne e përgëzuam këtë frymë bashkëpunuese dhe vullnetin e mirë, duke besuar se bashkimi i energjive intelektuale, morale dhe institucionale do të mundësojë realizimin e një projekti që i shërben jo vetëm kujtesës historike, por edhe ndërgjegjes kolektive të kombit.

Kërkesa e dorëzuar përmbante këtë përmbajtje:

KËRKESË


Për ngritjen e një obelisku për të burgosurit politikë shqiptarë gjatë okupimit jugosllav

Drejtuar:

Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Kosovë

I nderuari kryetar i Sh.B.P.K, z. Shefik Sadiku

Të nderuar përfaqësues të Shoqatës,

Me këtë kërkesë, dëshiroj të shpreh respektin më të thellë për kontributin historik të të gjithë atyre që, në periudhat më të vështira të historisë sonë, sakrifikuan lirinë dhe jetën e tyre për idealin e madh të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të ruajmë dhe të nderojmë kujtesën kolektive të popullit tonë – sidomos të atyre burrave dhe grave që u burgosën, u përndoqën, e u sakrifikuan nga regjimi jugosllav vetëm sepse donin të ishin të lirë në tokën e tyre.

Në këtë frymë, propozoj dhe kërkoj që Shoqata Juaj, në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe komunale, të ndërmarrë nismën për ngritjen e një OBELISKU PËRKUJTIMOR në një vend simbolik në qendër të Prishtinës ose në një hapësirë publike me vlerë historike, në nderim të të burgosurve politikë shqiptarë gjatë okupimit jugosllav.

Ky obelisk do të shërbente jo vetëm si një akt simbolik nderimi dhe mirënjohjeje për qëndresën dhe sakrificën, por edhe si një dëshmi publike e historisë së dhimbshme të popullit shqiptar në Kosovë — për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Duke e ditur rolin e rëndësishëm që Shoqata Juaj ka luajtur në ruajtjen dhe dokumentimin e kujtesës sonë historike, besoj se do ta mirëprisni këtë iniciativë dhe do të angazhoheni për realizimin e saj, me përkushtimin dhe seriozitetin që ju karakterizon.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë,

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
tel : +38349 135 201
17 qershor, 2025

    Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …