Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se zgjedhjet nuk duhet të jenë opsioni i parë në këtë situatë politike. Ai theksoi se partia që drejton është e gatshme për çdo skenar, por thelbësore është që të shterohen të gjitha mundësitë për krijimin e institucioneve të reja. “Është me rëndësi që koha është e shkurtër, masa është për dy javë. Na jep shpresë se pas dy jave do të ketë zhvillime të reja, vendim të ri të gjykatës, me një masë finale”, tha Haradinaj, duke iu referuar situatës rreth rastit Dehari dhe afateve ligjore që po kalojnë. Sipas tij, çdo vendim duhet të merret me maturi, pa u nxituar në zgjedhje që mund të prodhojnë sërish krizë institucionale. “Nuk mendojmë që duhet të favorizohen zgjedhjet pa i shteruar mundësitë me kriju institucione. Nuk do të ishte në rregull me zgjedhje, sepse ato mund të na sjellin në situatë të ngjashme”, theksoi ai. Haradinaj nënvizoi se situata është e rëndë dhe e ngarkuar me emocione, veçanërisht për shkak të tensioneve që lidhen me rastin Dehari, dhe bëri thirrje për qetësi dhe përgjegjësi në vendimmarrje.
