Ngushëllimi ynë tek akademik Rexhep Qosja, për vajzën e tij Edita Qosja, tashmë të ndjerë u shndërrua në më shumë se një vizitë formale. Ishte një takim i mbushur me ndjenja të thella njerëzore, me reflektime për jetën e me kujtime të çmuara nga rruga e gjatë krijuese e një prej mendjeve më të mëdha të kombit tonë. Sa me fat kemi qenë dhe jemi që në mesin tonë kemi një mendje epokale e kolosale si Akademik Rexhep Qosja – një figurë që i ka dhënë dimension historik, kulturor e letrar kohës sonë.
Kur e pyetëm si ishte, ai u përgjigj me thjeshtësi të madhërishme: “Gjallë…” – një fjalë e shkurtër, por e mbushur me peshën e përvojës, dhimbjes dhe qëndresës.
Kur profesor Isuf Ismaili na prezantoi, akademiku kujtoi se me profesor Ahmet Qeriqin, kishte pasur një marrëdhënie të veçantë bashkëpunimi në fushën e letërsisë e më gjerë.
Duke folur për vajzën e tij të ndjerë, zëri i tij u mbështoll nga dhimbja: “Vdekja e vajzës na ka shkaktuar shumë dhembje, sepse sëmundja ishte e gjatë. Na la të lënduar të gjithëve… Por kështu është jeta, aty ku është jeta është edhe vdekja. Ndihmo, o Zot…”
Pas këtyre fjalëve të mbushura me emocion, biseda gradualisht u zhvendos te jeta dhe krijimtaria e tij. Ai na rrëfeu për rrugëtimin e tij që nga viti 1962, kur filloi punën në Institut, për sfidat e për bashkëpunimin e tij të hershëm me kolegë të penës dhe mendimit.
Të flasim për Akademik Rexhep Qosjen, për mendjen e tij të ndritur, për veprën e tij sa letrare, sa historike, sa kritike, sa filozofike, politike, shoqërore, krejtësisht atdhetare, të përshkuar nga humanizmi e vlerat e larta, të shumëfishta, të natyrshme, tërësisht dashamirëse për shoqërinë, për njerëzoren, për shqiptarësinë tonë, nuk është as e lehtë as e mundshme ta përmbledhim me fjalë e shkrime të pakta. Për të duhen jo vetëm shkrime, por edhe vepra të tëra, sepse ai është një institucion i veçantë, një institucion i përmasave të gjëra atdhetare, i gjuhës dhe letërsisë, filozofisë , i shkencës, ai është një institucion për bashkimin e Shqipërisë.
Ai veçoi momentin historik kur në Kosovë u mbajt Konsulta Gjuhësore – një provim i rëndësishëm kulturor dhe kombëtar, ku u hodhën themele të forta për unifikimin gjuhësor. Akademiku theksoi se puna e Institutit Albanologjik kishte qenë e përqendruar në çlirimin nga ndikimi serbo-jugosllav dhe në rikthimin e plotë drejt trungut kombëtar shqiptar. Ai na tha se gjithë puna e veprimtaria jonë u përqendrua drejt përbashkësisë sonë, drejt Shqipërisë. Kështu përkushtimi ynë kombëtar, historik dhe etik dhe Instituti ynë kishte kontribuar në forcimin e kohezionit kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ai shprehu bindjen e tij se bashkimi kombëtar është i pashmangshëm.
Me një gjallëri të natyrshme, Qosja solli edhe reflektime mbi vlerat e përbashkëta të Shqipërisë e Kosovës – nga deti e turizmi shqiptar, te klima malore e Kosovës, te toka e saj e mrekullishme edhe bujqësore edhe pasur me kullota për blegtorinë si dhe na foli edhe mbi rëndësinë jetike të krijimit të gjuhës së përbashkët letrare.
Ai na tha se kishte pasur nderin e veçantë të ishte së bashku me Akademik Idriz Ajetin e me profesor dhe shkencëtarë të mëdhenj të Shqipërisë në Kongresin e Drejtshkrimit dhe na fliste me dashuri e nderime të mëdha për ta, na fliste për rëndësinë e vendimeve sa shkencore aq edhe atdhetare e për bashkuese të Kongresit, për gjuhën e njësuar letrare, për krijimtarinë letrare e pasurinë e madhe kombëtare, për vlerat e mëdha që ka gjuha edhe për bashkimin e trevave shqiptare e për lehtësinë e nevojën e madhe që kemi ne si shqiptarë në komunikimet tona edhe në orientimet tona njësuese.
Na foli për nderimin që i kanë bërë e i bëjnë, kudo në Shqipëri.
Në fund, ky takim u kurorëzua me një fotografi të përbashkët, e cila për ne do të mbetet një kujtim i çmuar – jo thjesht për faktin se jemi pranë një figure të jashtëzakonshme, por sepse në atë çast ishim dëshmitarë të rrëfimit të gjallë të një historie që bashkon dhimbjen personale me lavdinë e përkushtimit kombëtar.
Akademik Rexhep Qosja mbetet një ndër ata njerëz të rrallë, të cilët, edhe kur përballen me dhembjen më të madhe, arrijnë të flasin për jetën, letërsinë dhe kombin me të njëjtin pasion që i ka shoqëruar gjithmonë. Ai është një udhërrëfyes i mendimit dhe i idealit shqiptar – një figurë që e ngre lart kulturën dhe historinë tonë, duke na kujtuar se, edhe në hije të dhimbjes, drita e dijes dhe e dashurisë për atdheun nuk shuhet kurrë.
Në sytë e tij, në qëndrimin e tij, në fjalët e tij, gjatë kohës së përqafimeve me të, ne pamë se ai pati një ngrohje të madhe shpirtërore, ndaj edhe kur u ndamë te dera e shtëpisë së tij, madje edhe prej së largu ne pamë dorën e tij, e i dëgjuam fjalët e tij duke na përshëndetur.