Arbana Gashi: Fermeret e heshtura të Kosovës – Gratë që mbajnë gjallë tokën

Në një mëngjes të hershëm vere, ndërsa qytetet ende flenë, në anën tjetër të Kosovës gratë rurale janë në arë. Ndërsa dielli del mbi fusha fillon edhe puna e tyre – përpara makinave, përpara zyrave, përpara tregjeve. Me çizme të fshira në prag, me kovat e ujit të mbushura dhe me rrjetat e mbjelljes në duar, ato nisin një ditë që shpesh nuk quhet “punë”.

Heshtja statistikore

Sipas të dhënave të fundit nga FAO dhe UN Women (2024), më pak se 5% e tokave bujqësore në Kosovë janë të regjistruara në emër të grave. Në të njëjtën kohë, mbi 40% e punës në fermat familjare kryhet nga gratë. Pabarazia është më se e dukshme, dhe për pasojë, shumë gra përjashtohen nga qasja në subvencione, kredi dhe projekte zhvillimore.

Në Regjistrin e Fermave 2023, vetëm 4.8% e fermerëve të regjistruar rezultojnë gra pronare. Kjo nënkupton jo vetëm përjashtim nga mbështetja financiare, por edhe nga përfaqësimi në sektorin bujqësor.

“Kur aplikuam për subvencion, më thanë që toka është në emër të burrit, ndaj aplikimi duhej bërë nga ai. Por unë e kam mbjellë, ujitur dhe shitur prodhimin,” thotë Shpresa, 52-vjeçare nga një fshat i Rahovecit. Ajo është një nga qindra gra që menaxhojnë plotësisht prodhimin bujqësor, por ligjërisht nuk njihen si fermere.

Puna e padukshme

Në shumicën e rasteve, gratë në bujqësi punojnë pa orar të caktuar dhe pa kompensim të drejtë. Ndihma e tyre në familje konsiderohet shpesh si “detyrim”, jo si kontribut ekonomik. Ato janë përgjegjëse për mbjellje, vaditje, vjelje, përpunim ushqimor dhe tregti – ndërkohë që përkujdesen edhe për shtëpinë dhe familjen.

Një raport i USAID/ADA për vitin 2023 evidenton se gratë rurale në Kosovë shpenzojnë mbi 83% të kohës së ditës në punë të pandërprerë, pjesa më e madhe pa pagesë. Vetëm 17% e tyre kanë akses të drejtpërdrejtë në ndonjë formë të të ardhurave personale.

Megjithatë, ka edhe shembuj frymëzues. Në Skenderaj, një grup prej 11 grash ka themeluar një mini-serë kolektive me perime organike që tashmë furnizon disa tregje lokale. Në Rahovec, një e ve 34-vjeçare kultivon luleshtrydhe dhe prodhon reçel artizanal që shitet në Prishtinë.

Ato nuk kanë diploma bujqësie, por kanë njohuri të trashëguara, përvojë praktike dhe një ndjenjë përgjegjësie që nuk matet me metra katrorë toke. Aty ku nuk ka investime publike, gratë kanë ndërtuar zgjidhje private: me kova, me dorë, me pak mjete, por shumë përkushtim.

Gratë si çelësi i qëndrueshmërisë bujqësore

Fuqizimi i gruas rurale nuk është vetëm çështje drejtësie – është një domosdoshmëri për të ardhmen e bujqësisë në Kosovë. Sipas OKB-së, nëse gratë do të kishin të njëjtin akses si burrat në burime dhe teknologji, prodhimi bujqësor do të rritej me 20 deri 30%.

Ministria e Bujqësisë, përmes thirrjes së fundit 2023–2024, ndau mbi 15 milionë euro në grante dhe subvencione për bujqësi, por sipas raportimeve të organizatave në terren, vetëm një pjesë shumë e vogël shkoi për gratë. Arsyeja kryesore mbetet kriteri i pronësisë, që i përjashton shumicën e aplikanteve femra.

Për të ndryshuar këtë realitet, ekspertët rekomandojnë regjistrimin e përbashkët të tokës, krijimin e fondeve të dedikuara për gra, dhe ngritjen e rrjeteve këshillimore bujqësore të qasshme për gratë, sidomos në rajonet më të thella.

Ndryshimi kërkon më shumë se një grant apo trajnim – kërkon një zhvendosje të të gjithë sistemit që e ka vendosur gruan bujqësore në hije. Sepse pa të, toka mbetet më pak pjellore – jo për shkak të cilësisë së saj, por për shkak të padrejtësisë mbi ata që e punojnë.

Realiteti i grave rurale në Kosovë tregon më shumë se sa një thjesht pamje të punës së tyre; ai nxjerr në pah një sistem të padrejtë dhe të papërgatitur për t’i njohur dhe mbështetur siç duhet. Pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm që ato japin në bujqësi dhe zhvillimin ekonomik rural, gratë vazhdojnë të jenë të margjinalizuara nga politikat publike dhe mekanizmat e mbështetjes financiare. Kriteret burokratike që lidhin ndihmën me pronësinë ligjore të tokës në emër të burrave, mungesa e përfaqësimit gjinor në vendimmarrje, si dhe mos vlerësimi i punës së tyre shpesh pa pagesë, krijojnë një sistem që i bën gratë “të padukshme”.

Ky hendek midis realitetit dhe politikave kërkon ndërhyrje urgjente: regjistrimi i tokës në emër të grave dhe familjeve, krijimi i fondeve specifike për mbështetje të grave bujqësore, dhe ngritja e rrjeteve të fuqishme këshillimore që do t’u japin atyre njohuritë dhe fuqinë për të avancuar. Pa një reformë të tillë, çdo përpjekje zhvillimore në bujqësi mbetet e paplotë dhe e pamjaftueshme.

Në fund, gratë rurale nuk janë thjesht punonjëse – ato janë çelësi i qëndrueshmërisë së bujqësisë, e cila është në zemër të ekonomisë dhe kulturës sonë. Investimi në to nuk është vetëm një çështje drejtësie, por edhe një strategji e mençur për të siguruar të ardhmen e qëndrueshme të Kosovës rurale.

Kontrolloni gjithashtu

Shaqir Shaqiri: GËNJESHTRA DHE PLAGJIJATURA NËN PETKUN E SHPREHJES SË LIRË TË AUTORËVE: MENDERES ZENELI DHE RESHAT AJVAZI

Shaqir Shaqiri: Vjosa Osmani, një çupëlinë me postin e saj të pa meritueshëm presidencial, gënjeu opinionin dhe përcolli një imazh të keq për Kosovën

Vjosa Osmani, një çupëlinë me postin e saj të pa meritueshëm presidencial, gënjeu opinionin dhe …