Deklarata e fundit e kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trandafilova, transmetuar nga mediat,ka shkaktuar një valë të fortë reagimesh në Kosovë, duke u cilësuar si jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e rrezikshme për një institucion që pretendon të jetë i pavarur dhe i drejtë.
Në vend se të kontribuojë në ndërtimin e besimit te publiku, ajo ka hedhur benzinë në zjarrin e një mosbesimi të kahershëm që qytetarët shqiptarë të Kosovës kanë ndaj kësaj gjykate, e cila prej më shumë se pesë vitesh po mban në paraburgim figura kyçe të UÇK-së pa një proces të përmbyllur, të qartë dhe të bazuar në prova të qëndrueshme.
Quajtja e protestuesve në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit si “më kriminelë se të akuzuarit” nuk është vetëm një deklaratë e pamatur, është një fyerje e rëndë ndaj qytetarëve të një vendi që kanë kaluar përmes një lufte çlirimtare, një fyerje që bie ndesh me çdo standard etik dhe profesional të drejtësisë ndërkombëtare.
Një gjyqtare që i lejon vetes gjykime të tilla politike dhe përçmuese ndaj një mase të gjerë qytetarësh, bie ndesh me vetë parimet mbi të cilat supozohet të jetë ngritur ky tribunal.
Historia personale dhe profesionale e Trandafilovës vetëm sa e thellon këtë krizë besimi. Një ish-zëvendësprokurore në Bullgari gjatë regjimit komunist të Todor Zhivkovit, periudhë në të cilën u përndoqën e u dënuan njerëz për bindjet e tyre politike, ajo duket se nuk është shkëputur nga praktikat autoritare që e karakterizonin atë sistem. Aftësia për të ushtruar drejtësi të paanshme nuk është vetëm çështje kualifikimi teknik, por edhe integriteti moral dhe ndjeshmërie ndaj konteksteve historike dhe politike të çështjeve që trajton. Në rastin konkret, kjo ndjeshmëri duket se mungon tërësisht.
E alarmante është edhe pohimi se gjykata “merr dosje edhe nga Serbia”, një vend që jo vetëm nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës të regjimit të Millosheviqit, por vazhdon ta glorifikojë atë periudhë dhe të mbështesë narrativën e rreme të luftës në Kosovë. Përdorimi i materialeve nga një shtet që ka qenë agresor në konflikt përbën një rrezik serioz për drejtësinë dhe përbën legjitimitet për propagandën e Beogradit. Në këtë mënyrë, jo vetëm që rrezikohet drejtësia për të akuzuarit, por edhe vetë besueshmëria e drejtësisë ndërkombëtare si një koncept.
Nëse Dhomat e Specializuara duan të shmangin përshtypjen se janë një instrument politik i ndërtuar mbi dëshmitë e fabrikuara dhe agjendat e Serbisë, atëherë përgjegjësia fillon nga drejtuesit e saj.
Trandafilova, për shkak të deklaratave të saj fyese, që bien ndesh me çdo parim të pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore, si dhe për shkak të së kaluarës së saj të njollosur në një regjim represiv, nuk është personi i duhur për të udhëhequr një proces kaq të ndjeshëm dhe historik.
Në këtë kuptim, kërkesa për shkarkimin e saj nuk është thjesht një kërkesë emocionale apo politike, është një domosdoshmëri për ruajtjen e besimit publik, për rikthimin e integritetit në procesin gjyqësor dhe për të parandaluar që drejtësia të kthehet në farsë. Sepse drejtësia që vepron mbi paragjykime, përçmim dhe dosje të dyshimta, mund të jetë gjithçka por jo drejtësi.