leoni

Ismet Hajrullahu: Për një arsim bashkëkohor

Ismet Hajrullahu: Bashkimi që nuk kërkon referendum

Në një kohë kur ideja e bashkimit kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës endet mes pasionit popullor dhe skepticizmit diplomatik, ndoshta ka ardhur momenti të mendojmë ndryshe. Jo për një bashkim që kërkon shkrirje sovraniteti, ndryshim kushtetutash apo përballje me tensione rajonale, por për një bashkim që ndodh në heshtje, në praktikë, në institucione. Një bashkim funksional, që nuk kërkon referendum ,sepse, në fakt, nuk mund të ketë referendum. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ndalon qartësisht bashkimin me ndonjë shtet tjetër. Neni 1.3 e bën juridikisht të pamundur mbajtjen e një referendumi për bashkim me Shqipërinë, dhe ndryshimi i këtij neni kërkon një mazhorancë të dyfishtë, e cila duket praktikisht e paarritshme. Kjo nuk është thjesht një pengesë ligjore, por një kufi i qartë politik që nuk mund të anashkalohet. Prandaj, çdo ide për bashkim që mbështetet në referendum është jo vetëm e pamundur, por mund të përbëjë edhe rrezik për stabilitetin institucional të Kosovës. Megjithatë, pavarësisht asaj që parashikon Kushtetuta, kjo nuk do të thotë se bashkimi është i pamundur. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete, por nuk janë dy kombe. Janë pjesë e të njëjtit trung gjuhësor, historik dhe kulturor. Ndajnë jo vetëm gjakun, por edhe kujtesën historike; jo vetëm gjuhën, por edhe plagët. Dhe pikërisht sepse janë të ndara politikisht, por të bashkuara shpirtërisht, kanë mundësinë të ndërtojnë një formë të re bashkimi që nuk frikëson askënd, por u shërben të gjithëve. Në vend që të presim një moment të madh, të ngarkuar me simbolikë dhe rrezik diplomatik, mund të fillojmë me hapa të vegjël, por të qëndrueshëm. Njësimi i kurrikulave universitare, njohja automatike e diplomave, krijimi i akademive të përbashkëta, ambasada të përbashkëta në vende të treta, strategji të përbashkëta për sigurinë kibernetike, fond zhvillimi rajonal, këshill kulturor mbarëkombëtar janë të gjitha hapa që nuk kërkojnë ndryshime kushtetuese, por vullnet politik dhe vizion të qartë. Kërkojnë njerëz të përgjegjshëm, që e duan vendin dhe e kuptojnë domosdoshmërinë e bashkëpunimit. Shembulli i Austrisë është ndoshta më i afërti me realitetin tonë. Austria dhe Gjermania ndajnë gjuhën, kulturën dhe histori të përbashkët, por nuk janë një shtet. Megjithatë, bashkëpunimi i tyre është i thellë në shumë fusha: diplomaci e koordinuar, njohje e ndërsjellë e diplomave, tregti e integruar, politika të përbashkëta në arsim dhe energji. Austria ka ruajtur sovranitetin e saj, por ka ndërtuar një urë funksionale me Gjermaninë, pa pasur nevojë për referendum, pa pasur nevojë për shkrirje politike. Ky model është i pranueshëm për Bashkimin Evropian, për NATO-n, dhe për fqinjët. Pse të mos jetë i pranueshëm edhe për shqiptarët? Ky bashkim nuk është utopi. Nuk është provokim. Është një rrugë e mençur për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, pa rrezikuar të tashmen. Është mënyra për të treguar se kombi shqiptar nuk ka nevojë të bashkohet me trumbetim, sepse nuk ka qenë kurrë i ndarë në shpirt. Ajo që mungon është struktura, jo ndjenja. Institucioni, jo identiteti. Prandaj, le të flasim për bashkimin që nuk kërkon referendum. Le të ndërtojmë një komb funksional, ku kufijtë nuk janë pengesë, por urë bashkimi; ku historia nuk është barrë, por identitet i përbashkët; ku fjala “bashkim” nuk është një slogan bosh, por një strategji e mirëfilltë për zhvillim dhe lehtësim të jetës për çdo qytetar. Ndoshta, pikërisht në këtë formë, ai është më i mundshëm se kurrë. Ballkani ka nevojë për zhvillim dhe stabilitet dhe shqiptarët mund të jenë ata që e krijojnë stabilitetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm që rajoni ka pritur prej kohësh.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Premtuan bankë shqiptare, po sjellin bankë serbe

BDI: Premtuan bankë shqiptare, po sjellin bankë serbe

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për përshpejtimin e penetrimit të “Botës Serbe” …