RKL: Qeveria e Kosovës krejt e pafuqishme përballë Manastirit serb të Deçanit

Mikroshteti i Manastirit, kërcënim për sovranitetin e Kosovës

Dokumenti i emërtuar non-paper, i cili flet për infiltrimin e mundshëm të Rusisë dhe Serbisë në krijimin e një mikroshteti rreth Manastirit të Deçanit, vetëm sa e forcon arsyeshmërinë e reagimeve të vazhdueshme institucionale dhe qytetare të Deçanit kundër vendimeve që falnin pronat e ndërmarrjeve publike, Manastirit. Që nga fillimi është bërë e qartë se vendimet gjyqësore që njihnin marrëveshjen mbi faljen e pronave mes UNMIK-ut dhe Manastirit ishin vendime të motivuara politikisht, dhe si të tilla kanë qenë të dëmshme jo vetëm për Deçanin, por për tërë Kosovën.
Regjistrimi i pronave publike të Deçanit në emër të Manastirit, i bërë vitin e kaluar pas urdhëresës së Kryeministrit Albin Kurti dhe nënshkrimit të Ministres së Jashtme Donika Gërvalla, nën presionin ndërkombëtar të kushtëzuar me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, është akt i papranueshëm dhe i dëmshëm për interesat kombëtare. Ky proces nuk është thjesht një çështje teknike kadastrale, por një vendim politik që prek drejtpërdrejt sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Non-paperi që paralajmëron infiltrimin e Rusisë dhe Serbisë për krijimin e një mikroshteti rreth Manastirit të Deçanit, vetëm e vërteton se pas këtyre vendimeve nuk qëndron nevoja për mbrojtje të lirisë fetare, por interesa të huaja politike që synojnë copëtimin e Kosovës dhe dobësimin e shtetësisë së saj. Për këtë arsye, çdo akt i faljes së pronave publike dhe regjistrimi i tyre në emër të Manastirit, duhet të konsiderohet antikushtetues, antikombëtar dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Deçanit dhe të Kosovës.
Institucionet e vendit duhet të marrin përgjegjësinë për të mbrojtur pasurinë publike, të rikthejnë në pronësi të Kosovës pronat e tjetërsuara padrejtësisht dhe të ndalin çdo përpjekje për krijimin e një “mikroshteti” brenda territorit tonë. Vetëm kështu ruhet stabiliteti, sovraniteti dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës.
Nga: Adem Lushaj, drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” Deçan

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: SI JANË NDËSHKUAR TRADHËTARËT NË EVROPË

Termi kolaboracionizëm u fut në fjalorin politik pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (nga …