Nga simpatia e neveritshme për liderin, deri tek gënjeshtrat e kulluara dhe të pabazuara të Idajet Rexhepit në reagimin e tij në Facebook me titull: Reagim ndaj shkresës së Ruzhdi Jasharit “Sqarim për publikun” të datës 18.08.2025.
Për hir të së vërtetës dhe për të dekonstruar këtë proces, i bazuar në marrëveshje paraprake për largim nga mbledhja e komisionit me datë 20 mars 2025, siç edhe e ka sqaruar drejtë në reagimin e tij publik z. Jashari me titullin “Sqarim Publik”, mjafton të kuptohet e tërë ndërhyrja e pushtetit të Qemalj Aliut me një paragraf:
“Të tre anëtarët që munguan në mbledhje nuk e arsyetuan mungesën e tyre, por të njëjtit ishin ftuar nga Qemajl Aliu në zyrën e tij, duke ndërhyrë jashtëligjshëm në punën e Komisionit. Ai kishte kërkuar që, kur të dalë propozimi i Ahmet Qeriqit për emërtimin e Shtëpisë së Kulturës, ata duhet ta lëshojnë mbledhjen.”
Idajet Rexhepi në reagimin e tij publik, në mesin e shumë pikave që ka shkruar, ka thënë të pavërteta të mëdha, d.m.th. gënjeshtra të qarta, të cilat do t’i demantoj këtu me fakte dhe jo me fjalë, siç ka bërë ai.
Meqë në këtë kundër-reagim nga Idajet Rexhepi nuk u kuptua nëse kishte dedikuar letër me thurje lavdie për Qemajl Aliun, apo kishte pasur hallin ta “sqaronte” publikun, siç kishte shkruar që në hyrje të letrës?!
Unë personalisht kam lexuar tërë procesverbalin, të cilin kam arritur ta siguroj përmes kërkesës sime në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, për të cilën Idajet Rexhepi kishte bërë disa tentativa për të më ndaluar. Mes tjerash, në përgjigjen e datës 5.5.2025 nga Idajet Rexhepi, drejtuar zyrës për Informim të komunës së Shtimes, refuzon kërkesën time për qasje në dokument publik.
Shihni sesi Idajet Rexhepi, në kundërshtim me Ligjin nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, pa cituar asnjë paragraf të një neni të këtij ligji, më ndaloi qasjen në procesverbalin e datave 18 dhe 20 mars, me arsyetimin “konstatoj se kërkesa refuzohet”. Shihni pra “puritanizmin” plot “transparencë dhe ligj” të Idajet Rexhepit në kundër reagimin e tij ndaj reagimit publik të z. Ruzhdi Jasharit.
Ishte kërkesa ime drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe vetë ajo që e detyroi komunën e Shtimes të më përcjellë procesverbalin, të cilin më ndalonte Idajet Rexhepi me të tjerë të implikuar në këtë proces.
Pa dashur të trajtoj elozhet e tij thurur për pushtetin e Qemalj Aliut, i cili thirrej për transparencë, por që në fakt më ndalonte qasje në dokumente publike, unë do të trajtoj disa pika të shkruara nga Idajet Rexhepi, të cilat janë gënjeshtra të plota dhe të cilat Idajet Rexhepi nuk mund t’i argumentojë. Prandaj edhe po them se ke gënjyer publikisht, dhe këtë po e bëj natyrshëm, meqë në ato pika ka përdorur emrin tim.
Pika 25 e reagimit të Idajet Rexhepit, aty ai pandeh se, sikur Ruzhdi Jashari më ka rekomanduar të bëj kërkesa për qasje në dokumente publike pranë zyrës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi, shih pikën 25, dhe paragjykimin e Idajet Rexhepit për kinse rekomandim nga z. Jashari, sepse unë nuk do të dija t’i drejtohesha Agjencisë për të më krijuar qasje në dokumente publike, pikërisht se pushteti i Qemalj Aliut, të cilit ky i thurte elozhe në këtë letër, më pamundësonte së bashku me të qasjen në dokument publik.
25. Fakt është po ashtu se Kryesuesit z. Ruzhdi Jasharit i kam thënë se nuk ke nevojë t’i rekomandosh familjarëve të veprimtarit tani të ndjerë Ahmet Qeriqi, që të bëjnë kërkesa e ankesa për qasje në dokumente zyrtare përmes Agjensionit për mbrojtjen e të dhënave personale vetëm pse ke qenë pjesë e stafit të Agjencionit, por për të gjitha dokumentet që janë të hapura dhe të lejuara për publikun mund t’i marrë pala direkt te ne, në zyren tonë e jo përmes Agjencionit.
Epir Qeriqi
Sqarim: Duke parë që dështoi puna e komisionit, pikërisht siç edhe e ka thënë në sqarimin e tij publik z. Jashari, unë dua të kuptoj si ka shkuar i gjithë ai proces, natyrisht duke kërkuar procesverbalet që të jem korrekt me faktet, meqë nuk merrnim përgjigje nga komuna e Shtimes rreth kërkesave të bëra për emërtim të objekteve publike.
Më datë 11 prill dhe më datë 29 prill i drejtohem komunës së Shtimes, e cila, në vend të procesverbalit të kërkuar të datave 18 dhe 20 mars, më dërgon procesverbalin e datës 28 shkurt, dhe jo pa qëllim, me idenë që unë do të dorëzohem nga kërkesat e drejta e parimore, ekskluzivisht të mia. Pra, unë e kam nisur kërkesën për qasje në dokument publik absolutisht i pa shtyrë nga askush, dhe ky paragraf i Idajet Rexhepit përbën një gënjeshtër absolute, e cila mund të hetohet edhe nga Prokuroria, sepse nuk mund të artikulohet kaq shpërfaqshëm një gënjeshtër e tillë, totalisht e pabazuar dhe në tendencë për ta dëmtuar emrin e nderuar të z. Ruzhdi Jasharit dhe timin personalisht.
Në pikën 30 dhe 31 të reagimit të tij, Idajet Rexhepi artikulon edhe një gënjeshtër akoma më të sofistikuar, për të cilën që sot mund ta deponoj në Prokurori si shpifje e rëndë nga zyrtari i komunës së Shtimes, Idajet Rexhepi.
31. Duke e ditur z. Ruzhdi Jashari, këtë fakt vrapon te zyra e Kuvendit dhe e nënshkruan Ekstrakt-Procesverbalin ende të pa miratuar nga Komisioni, dhe kjo na bën të kuptojmë se ky vetë u ka rekomanduar familjarëve që ta kërkojnë Ekstrakt-Procesverbalin me numrin e saktë të protokolit, Npi-01-97 përmes Agjensionit.
Epir Qeriqi
Sqarim: Idajet Rexhepi, me insinuatën e tij, pandeh sikur z. Jashari më ka ofruar mua Ekstrakt Procesverbalin me numrin identifikues Npi-01-97. Pra, kjo është një gënjeshtër e radhës në këtë reagim të Idajet Rexhepit dhe kjo tregon shumë për transparencën e komunës së Shtimes dhe zyrtarëve si Idajet Rexhepi, se edhe pse u kisha shkruar Agjencisë për Informim dhe Privatësi më datë 12.5.2025, për të më krijuar qasje në dokumente zyrtare (gjë që i njëjti Idajet Rexhepi përcillte shkresa me përgjigjen refuzim), ata nuk i kanë ofruar përgjigje Agjencisë, përgjigjen rreth procesverbalit të datave 18 dhe 20 mars, por i kishin prezantuar procesverbalin e datës 28 shkurt 2025 dhe komunikime të brendshme, meqenëse kishin gjykuar se AIP nuk do t’i binte në fije atyre dokumenteve të prezantuara.
Pra, le ta mohojë këtë fakt Idajet Rexhepi nëse nuk ka qenë kështu dhe që në përgjigjen e parë për AIP më datë 13 qershor 2025, komuna e Shtimes nuk prezanton procesverbalin e datave 18 dhe 20 mars 2025. Ja dhe pjesa e shkëputur nga unë për AIP më datë 14 qershor 2025, ku i them se edhe juve kanë tentuar t’ju vënë në lajthitje. Shihni dy paragrafët e letrës sime për AIP, meqenëse pikërisht Idajet Rexhepi, me të tjerë përgjegjës, pengonin dhënien e procesverbalit të datave 18 dhe 20 mars 2025.
From: Epir Qeriqi <[email protected]>
Sent: Saturday, June 14, 2025 1:49 AM
…..
Dokumentet që ju ka përcjellë komuna e Shtimes edhe juve, janë dokumente që mi kanë përcjellë edhe mua, një procesverbal të cilin nuk e kam kërkuar të dt. 28.2.2025, por atë ma kanë përcjellur duke i ikur procesverbalit të cilin unë e kërkoj dhe ku edhe juve paskan tentuar tu vënë në lajthitje.
Atëherë, unë kam kërkuar dhe po kërkoj nga ju që ta detyroni komunën e Shtimes të më përcjellë procesverbalin e dt. 18 dhe 20 mars 2025, i cili është gjeneruar nga kryesuesi i komisionit z. Ruzhdi Jashari dhe dy procesmbajtësit (Shqiprim Hysenaj procesverbalin e dt. 18.3.2025 dhe Sami Jonuzi pjesën integrale të procesverbalit me dt. 20.3.2025).
Pra, ishte kjo letër e imja ku e informoj Agjencinë se komuna e Shtimes po e fsheh qasjen në procesverbal dhe, më datë 19 qershor 2025, zyrtarja për qasje në dokumente publike, pas komunikimit detyrues të AIP me komunën e Shtimes, komuna e Shtimes detyrohet të më përcjellë procesverbalin, dhe jo siç ka pandehur kaq lehtësisht Idajet Rexhepi se, kur ka kërkuar pala kërkuese, ne kemi ofruar dokumentacionin.
Sent: Thursday, June 19, 2025 10:13 AM
To: [email protected] <[email protected]>
Subject: Përgjigje-Dokumenti i kërkuar: Dorëshkrimi i procesverbalit të Komisionit për Emërtimin e Objekteve PublikeTë nderuar përfaqësues të Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe z. Epir Qeriqi,
Në vijim të kërkesës së parashtruar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe me qëllim të respektimit të së drejtës për qasje në dokumente publike, Komuna e Shtimes ka vendosur që t’i dorëzojë palës kërkuese dokumentin e kërkuar (të cilin e gjeni të bashkangjitur në attach), dorëshkrimin e procesverbalit të Komisionit për Shqyrtimin e Kërkesave për Emërtimin e Objekteve Publike, për mbledhjet e mbajtura më 18 mars dhe 20 mars 2025.
Më datë 9 korrik 2025, kam kërkuar formën e printuar dhe të nënshkruar të procesverbalit. Më 16 korrik 2025, zyra për komunikim me publikun ma përcjell procesverbalin 13 faqësh, pra pas 2 muajsh dhe një jave nga kërkesa ime e parë.
Më datë 22 korrik 2025, nga Kuvendi i Komunës në Shtime, nga kryesuesi i saj, Adnan Ademi, u dërgohet një përgjigje të gjithë parashtruesve të kërkesave. Në përgjigjen e tyre të pavërtetë është se komisioni nuk ka arritur të kryejë në tërësi punën e vet, duke fshehur kështu ndërhyrjen politike që iu bë komisionit, duke mos lejuar pjesëmarrjen e tre anëtarëve më datë 20 mars 2025, gjë që e sqaroj fuqishëm në përgjigjen e tij kryesuesi i komisionit në sqarimin publik më datë 18.8.2025, z. Ruzhdi Jashari.