leoni

Fitim Selimi

Fitim Selimi: PDK NUK MUND TË JETË PATERICË E ALBIN KURTIT! KOHA PËR TU KTHYER TE PARIMET!

Është për të ardhur keq niveli i cekët i përkushtimit të përfaqësuesve të popullit dhe shkujdesja e tyre ndaj obligimit parësor institucional! Kur deputetët harrojnë misionin e tyre dhe vrapojnë pas ambicieve elektorale personale, nuk mund të presim cilësi në institucione – përkundrazi, prodhohet kaos politik, pazare të ulëta dhe shkatërrim i besimit qytetar.
Deputetë të PDK-së, kujtoni kush jeni!
Ju nuk jeni aty për rehati politike. Ju nuk jeni aty për të bërë kalkulime elektorale mbi shpinën e interesit kombëtar. Ju jeni aty për të mbrojtur konceptin që përfaqëson partia dhe vlerat që elektorati juaj i ka përqafuar. Nëse ky koncept ka në themel respektin për UÇK-në dhe për sakrificat e kombit, atëherë si mund të pranoni të votoni për këdo që është rreshtuar kundër këtyre vlerave?
Çdo votë për njerëz që kanë vepruar kundër UÇK-së është tradhti morale dhe politike!
Alibia e turpshme e kompromisit
Parimi i deritanishëm – “nuk votojmë ministrat, por votojmë këdo tjetër” – është një justifikim i papranueshëm. Ai nuk shërben as për demokraci, as për moral politik. Duhet zëvendësuar me parimin e drejtë dhe të pandryshueshëm:
“Votojmë vetëm ata që nuk janë rreshtuar në pozicione antikombëtare!”
Çdo bashkëpunim me Albin Kurtin është më shumë se një kompromis taktik – është përligjje e strehës që ai iu ka ofruar kundërshtarëve të vlerave më të shenjta kombëtare. Ky është realiteti, pavarësisht se si përpiqet të arsyetohet politikisht.
Albin Kurti – simbol i poshtërsisë politike
Nëse kjo mënyrë e sjelljes vazhdon, Albin Kurti do të mbetet kryeministri i poshtërsive më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë këtij vendi dhe këtij populli. Ai do të mbetet aty jo sepse ka fituar besimin e shumicës, por sepse partitë që pretendojnë ta kundërshtojnë e ndihmojnë me heshtje, me vota dhe me pazare.
Kjo është e papranueshme dhe duhet ndalur tani!
Koha për veprim
PDK nuk mund të jetë patericë e Albin Kurtit. Nëse PDK dëshiron të mbetet parti me identitet dhe mision, duhet të rikthehet te parimet. Duhet të dëshmojë se nuk ka çmim që mund të blejë vlerat për të cilat është ndërtuar. Çdo hap tjetër është rrugë drejt shuarjes politike dhe humbjes së besimit publik.
Historia nuk fal. Qytetarët nuk harrojnë. Zgjidhni: me vlerat e kombit, apo me poshtërsinë politike të Albin Kurtit?

Kontrolloni gjithashtu

Mr. Eroll Sejdiu: Të shkruajmë shqip

Prof. mr. EROLL SEJDIU: LASHTËSIA E GJUHËS SHQIPE DHE GJUHA STANARDE SOT

LASHTËSIA E GJUHËS SHQIPE Gjuha shqipe zë një vend të veçantë në familjen indoevropiane, pasi …