Veprimtari i njohur politik, Ismet Sylejmani, ka bërë një thirrje të fuqishme publike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut që të bashkohen rreth liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Ai tha se Ahmeti është udhëheqësi i vetëm që ka dëshmuar me veprim e sakrificë se interesin e popullit shqiptar e vendos mbi gjithçka.
“Ali Ahmeti është Adem Jashari i gjallë i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Sylejmani.
Ai theksoi se falë kontributit të Ahmetit, shqiptarët sot gëzojnë të drejta themelore dhe flamuri kuqezi valëvitet lirshëm kudo në vend.
Sipas tij, vetëm qëndrimi i Ahmetit në pushtet garanton barazi, demokraci dhe të ardhme më të sigurt për shqiptarët.
“Bashkimi masiv rreth Ali Ahmetit është detyrë historike dhe politike e çdo shqiptari”, shtoi ai.
Sylejmani tha se pa frymën “Adem Jashariane” të Ali Ahmetit, nuk mund të ketë qetësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Ai kërkoi që çdo shqiptar, pa dallim partie apo krahine, të rreshtohet fuqishëm në mbështetje të liderit të BDI-së.
