“Liria ka Emër” fton krerët institucionalë e partiakë t’i bashkohen marshit të 12 shtatorit

Platforma “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje të gjithë krerëve institucionalë dhe përfaqësuesve të subjekteve politike që t’i bashkohen marshit të madh për liri, i cili do të mbahet sot duke filluar në orën 14 në sheshin Skeënderbeu në Prishtinë, në përkrahje të çlirimtarëve të Kosovës, në prag të shpalljes së vendimit përfundimtar nga Gjykata Speciale. Organizatorja e platformës, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se ftesat për pjesëmarrje u janë dërguar të gjitha institucioneve dhe drejtuesve institucionalë e partiakë, duke theksuar se organizimi është konceptuar si një aktivitet gjithëpërfshirës, ku mund të përfaqësohen kategori të ndryshme të shoqërisë kosovare. Ajo ka thënë se deri tani nuk kanë marrë konfirmim nga të gjithë të ftuarit, ndërsa ka sqaruar se pjesëmarrësit që dëshirojnë do të kenë mundësi edhe të adresohen para qytetarëve. Sipas Hoxhës, pjesëmarrjen si folës e kanë konfirmuar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ndërsa në marsh pritet të adresohen edhe vajza e dëshmorit Bajram Selmani, vajza e Salih Mustafës – Calit, Buna, si dhe Hysni Gucati, në emër të organizatave të dala nga lufta. Në kuadër të marshit janë paraparë edhe pika muzikore, ndërsa atmosferën do ta shoqërojnë këngë lirike të interpretuara nga Arif Vladi, Shkurte Fejza dhe Arbnora, e cila është pjesë e platformës “Liria ka Emër”. Marshi i 12 shtatorit është paralajmëruar në prag të vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e vendosur këtë aktivitet në qendër të mobilizimit publik për përkrahjen e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Kurti hesht për marshin në mbështetje të UÇK-së, shmang pyetjen nëse do t’i bashkohet protestës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zgjedhur të mos japë përgjigje lidhur me pjesëmarrjen e …