Shaip Muja i drejtohet Hagës: “Nëse keni fakte, më arrestoni – nuk kam për çfarë të kem frikë”

Ish-deputeti i PDK-së, Dr. Shaip Muja, i është drejtuar me një letër Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se ka heshtur që nga intervistimi i tij në vitin 2019, kur ishte marrë në pyetje si i dyshuar lidhur me pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty-t. Muja ka treguar se gjatë intervistimit ishte paraqitur pa avokat mbrojtës, ndonëse kjo mundësi i ishte ofruar, ndërsa ka rikujtuar edhe deklaratën që ua kishte bërë hetuesve: “Nëse keni fakte, më arrestoni, sepse nuk kam për çfarë të kem frikë”. Mbetet i bindur se nuk ka ekzistuar trafikimi i organeve njerëzore, siç është pretenduar ndaj tij dhe pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa thekson se pas gati 16 vitesh nga publikimi i raportit ka vendosur të flasë për pasojat që, sipas tij, këto akuza kanë shkaktuar për të dhe familjen e tij. Në letrën drejtuar Hagës, Muja ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, pretendimet e Raportit të Dick Marty-t janë shndërruar ndër vite nga akuza politike në një perceptim publik për fajësi, duke thënë se dyshimet ndaj personave të caktuar janë trajtuar shpesh si fakte të provuara shumë kohë përpara se drejtësia të jepte një vlerësim përfundimtar. Ai ka ngritur shqetësime edhe për ndikimin e kontekstit politik dhe propagandës në mënyrën se si është interpretuar lufta e Kosovës dhe roli i UÇK-së, duke theksuar se provat duhet të vlerësohen në mënyrë të pavarur dhe jo mbi bazën e perceptimeve të krijuara ndër vite. Muja ka deklaruar gjithashtu se mbështet Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin dhe beson në pafajësinë e tyre, ndërsa ka theksuar se përgjegjësia eventuale e një individi nuk mund të shndërrohet në përgjegjësi të një organizate të tërë. Procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së ka rëndësi përtej përgjegjësisë individuale të katër të akuzuarve, pasi vendimi do të ndikojë edhe në mënyrën se si do të interpretohet lufta e Kosovës dhe roli historik i UÇK-së. “Faktet, ligji dhe drejtësia duhet të jenë më të forta se stigmatizimi, propaganda, politika dhe paragjykimi”, ka përfunduar Muja.

Kontrolloni gjithashtu

Kurti hesht për marshin në mbështetje të UÇK-së, shmang pyetjen nëse do t’i bashkohet protestës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zgjedhur të mos japë përgjigje lidhur me pjesëmarrjen e …