Analisti Behxhet Shala ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, duke e quajtur situatën aktuale politike një “tragjikomedi në tri akte”. Ai thotë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, vendi është futur në një fazë “hibernacioni” dhe po shkon drejt komës institucionale. Sipas tij, opozita është e lodhur dhe pasive, ndërsa qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe e mbështetur nga presidentja Vjosa Osmani, ka uzurpuar pushtetin dhe po e shtyn vendin drejt kolapsit. Shala ironizoi kryeparlamentarin Dimal Basha, duke e quajtur “budallain që beson se është i mençur” dhe kritikoi vizitën e tij te varrezat e dëshmorëve në Prekaz, të cilën e konsideroi “fyerje dhe blasfemi për UÇK-në”. Ai kujtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë – Kuvendi mund të konstituohet vetëm nëse votohet kandidati i Listës Serbe për nënkryetar, siç është bërë në të gjitha legjislaturat e mëparshme, përfshirë edhe atë të vitit 2021 kur LVV kishte votuar për Sllavko Simiqin. “Është momenti i fundit që anija e quajtur Kosovë të nxirret nga bataku ku e kanë futur arrivistët, karrieristët dhe patriotët folklorikë. Nëse pozita nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, opozita duhet ta bëjë 100 për qind, edhe nëse humb disa vota”, tha Shala. Ai shtoi se pozitës i duhet anarkia për të mbijetuar, ndërsa opozita duhet të tregojë përgjegjësi për të shpëtuar rendin kushtetues. Pa konstituimin e Kuvendit, theksoi ai, nuk ka as zgjedhje të reja.
