Kanë kaluar pesë vjet nga nisja e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, një proces i ndërtuar mbi prova të kontestuara dhe që, sipas shumë vëzhguesve, ka marrë trajta politike. Gjatë kësaj periudhe, Gjykata ka pranuar edhe prova të dërguara nga Serbia, ndërsa mbrojtja ka sjellë në sallë diplomatë amerikanë që kanë sfiduar bazën e aktakuzës.
Dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, e quajti aktakuzën “të pabazë” dhe mbajtjen për më shumë se pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve “të padrejtë”. Rubin theksoi se Thaçi dhe të tjerët ishin dorëzuar vullnetarisht, duke bashkëpunuar me drejtësinë, ndërsa procesin e cilësoi “politik, e jo drejtësi të mirëfilltë”.
Në vijim, profesori amerikan Paul Williams, një nga dëshmitarët e mbrojtjes, nënvizoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte strukturë mbi baza rurale dhe jo hierarki të centralizuar ushtarake, duke rikujtuar se në Rambuje delegacioni kosovar kishte kërkuar pavarësi, jo luftë.
Edhe ish-këshilltari i komandantit të forcave të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark, John Duncan, dëshmoi se UÇK-ja ishte një organizatë guerile, jo me komandë të mirëfilltë, dhe se nuk kishte parë asnjë provë që Thaçi të kishte dhënë urdhra ushtarake. Ai theksoi se Serbia kishte zhvilluar një fushatë të gjerë propagandistike për ta njollosur UÇK-në.
Në të njëjtën linjë dëshmoi edhe James Covey, zëvendësi i Bernard Kouchnerit, i cili pohoi se Thaçi e kishte dënuar dhunën ndaj pakicave etnike dhe se ndaj tij nuk ekziston asnjë dokument apo urdhër që ta lidhë me krime lufte.
Gjatë gjithë dëshmive, të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi i kanë ndjekur me vëmendje rrëfimet e diplomatëve që dikur ishin aleatë të ngushtë të Kosovës.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 27 tetor, ndërsa avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, ka paralajmëruar se mbrojtja nuk do të mund ta përfundojë çështjen e saj deri më 14 nëntor, siç ishte parashikuar, dhe as të dorëzojë dosjen përfundimtare më 22 dhjetor.