Qeveria e sotshme nuk është produkt i një procesi demokratik, por rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë dhe antidemokratike, të ngjizur në vitin 2022 mes liderëve politikë maqedonas, nën dirigjimin e oligarkëve që kontrollojnë politikën maqedonase dhe vetë ekonominë e vendit.
Kjo marrëveshje kishte një qëllim të vetëm: defaktorizimin e shqiptarëve dhe asimilimin e tyre politik, për t’i kthyer nga faktor shtetformues në figurë simbolike brenda institucioneve.
Ky projekt i errët synonte të zhbënte fuqinë reale të shqiptarëve në politikën shtetërore, të bënte të pavlefshme votën shqiptare dhe të anulonte legjitimitetin e përfaqësimit të tyre.
Dhe pas zgjedhjeve parlamentare, ky plan u shndërrua në praktikë:
pasi populli shqiptar foli qartë me votë, lideri i VMRO-së zgjodhi të shkelë mbi vullnetin e shqiptarëve, duke futur në qeveri humbësit politikë të kampit shqiptar – ata që nuk morën legjitimitetin nga populli.
Ky ishte një akt i hapur mohimi i demokracisë dhe barazisë, një mesazh i qartë dhe poshtërues për çdo shqiptar:
“Vota juaj nuk ka peshë. Zëri juaj nuk dëgjohet. Fati juaj vendoset nga të tjerët, jo nga ju.”
Kjo është politikë majorizuese, jo demokratike.
Është shkelje e frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së Ohrit, dokumentit që garanton instalimin e një demokracie funksionale, multietnike dhe me përgjegjësi për të gjitha komunitetet, veçanërisht për shqiptarët dhe maqedonasit – si dy shtyllat e këtij shteti multietnik që nënshkruan këtë marrëveshje paqësore.
Çdo devijim nga ky koncept dëmton themelet e shtetit dhe minon stabilitetin ndëretnik.
Në 16 muajt e fundit, kjo qeveri ka dëshmuar se është laboratori i implementimit të asimilimit politik.
Faktori politik shqiptar është nxjerrë jashtë vendimmarrjes, i margjinalizuar në çdo segment të jetës publike – nga ekonomia te kultura, nga administrata te institucionet qendrore.
Edhe aty ku shqiptarët mbajnë poste, ato janë formale, pa fuqi reale politike.
Kjo nuk është përfaqësim – kjo është poshtërim institucional.
Çfarë kuptimi ka që shqiptarët të garojnë në zgjedhje, të hartojnë programe dhe të kërkojnë besim nga votuesit, nëse pas zgjedhjeve përfshirja në institucione nuk varet nga vota shqiptare, por nga dëshira e liderit maqedonas?
Çfarë kuptimi ka legjitimiteti, nëse ai shpërfillet nga mandatari dhe zëvendësohet me pazare politike në prapaskenë?
Ky është asimilim politik, një proces i programuar për ta zhveshur kombin shqiptar nga statusi i popullit shtetformues dhe për ta reduktuar në figurë dekorative në qeveri.
Por ky plan, sado i fshehtë dhe mirë i planifikuar të jetë, është i destinuar të dështojë.
Sepse shqiptarët nuk janë më spektatorë të fatit të tyre.
Ata e kanë lexuar qartë lojën e vjetër të Beogradit, të veshur me kostumin e Shkupit.
Ata e kanë kuptuar servilizmin e vasalëve shqiptarë që pranuan të jenë pjesë e një qeverie që mohon popullin e vet.
Më 19 tetor, shqiptarët do të flasin me një gjuhë që nuk pranon përkthim apo interpretim – gjuhën e dinjitetit politik.
Ajo ditë do të jetë referendumi i legjitimitetit kombëtar, dita kur do të shembet projekti i asimilimit dhe do të ringjallet barazia etnike.
Shqiptarët janë autoktonë dhe shtetformues.
Ata nuk mund të përjashtohen, nuk mund të injorohen dhe nuk mund të zëvendësohen sipas dëshirës së askujt.
Vota shqiptare është e shenjtë – ajo është burimi i vetëm i legjitimitetit dhe garancia e barazisë, stabilitetit dhe perspektivës së këtij shteti.
Sot, ne nuk kërkojmë pushtet – kërkojmë drejtësi.
Nuk kërkojmë privilegje – kërkojmë respekt.
Nuk kërkojmë favore – kërkojmë barazi.
Sepse një shtet që e nënvlerëson votën shqiptare, është një shtet që po e rrezikon të ardhmen.