Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se 791 mijë e 123 qytetarë, apo 39.07 për qind e votuesve me të drejtë vote, kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të mbajtura sot në Republikën e Kosovës. Të dhënat u bënë publike nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e orës 19:30, i cili theksoi se rezultatet bazohen në raportimet nga rreth 95 për qind e vendvotimeve. “Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi pranuar nga rreth 95% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 791 mijë e 123, apo 39.07% nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues”, tha Radoniqi. Ai konfirmoi se procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, pa incidente që do të cenonin integritetin apo besueshmërinë e zgjedhjeve. “Procesi i votimit ka përfunduar në orën 19:00. Nga raportimet në terren, vlerësojmë se zgjedhjet janë zhvilluar në përputhje me kërkesat ligjore dhe pa incidente të rëndësishme”, shtoi ai. Aktualisht, në shumë vendvotime ka filluar numërimi i fletëvotimeve, proces që do të zhvillohet në dy faza: fillimisht për kandidatët për kryetarë komunash, e më pas për subjektet politike në kuvendet komunale. Po ashtu, ai kujtoi se afati 48-orësh për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka filluar nga ora 19:00 e së dielës.