Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e cilësuar sjelljen e tij politike si “arrogante” dhe të papranueshme për një lider që kërkon të formojë qeverinë e re. Humolli tha se bazuar në mënyrën si Kurti është sjellë ndaj kundërshtarëve politikë, ai nuk meriton më të ketë mundësi për të drejtuar institucionet. “Në kushte normale, në bazë të sjelljes arrogante të Albin Kurtit ndaj kundër kandidatëve të tjerë, nuk duhet të ketë mundësi të formojë qeveri, sepse ka qenë arrogant,” deklaroi Humolli. Megjithatë, ai shtoi se shkuarja në zgjedhje të reja nuk është në interes të asnjë partie në Kosovë, duke nënvizuar se opozita duhet të vendosë mes dy rrugëve: “Ose do t’i bashkëngjiten Kurtit, ose do të bëjnë qeveri të veten.” Deklarata e Humollit vjen në një kohë tensionesh të theksuara politike, ku procesi i formimit të institucioneve të reja mbetet i pasigurt dhe përplasjet mes partive po thellohen dita-ditës.
