Në fillim të nëntorit 1998, derisa bënim pritjen e ushtarëve që vinin nga Shqipëria për në Kosovë, pikërisht më 3 nëntor, nëse s’gaboj, na lajmëruan se ka ardhur një grup në Lubizhd të Hasit. Shkojmë unë së bashku me Eshim Gashin dhe i takojmë ata që kishin ardhur. Ishin 10 veta, në krye me Hamdi Hajrizin nga komuna e Vushtrrisë.
Po në këtë kohë, bëheshin gati të hynin një grup i madh, rreth 80 deri 100 vetave, nëpërmjet Pashtrikut. I patëm sistemuar ata 10 veta me ndihmën e Isuf Kajdomqajt në një familje të këtij fshati, me qëllim që, kur të vinte grupi më i madh, t’i merrnim edhe ata së bashku dhe t’i dërgonim deri në Pagarush (në shtëpinë e Ruzhdi Kryeziut), ku zakonisht i dërgonim në atë kohë.
Mes datës 5/6 nëntor 1998 ishim të përgatitur të pritnim grupin që hynte nga Shqipëria. Po atë natë, unë shkova dhe i thashë atyre që ishin në atë shtëpi (Hamdia me shokët) të rrinin gati, se nga ora 3 e mëngjesit do t’i merrnim. Gjatë kontaktit me grupin në radiolidhje (pasi kishim dhënë frekuencat kur u nisën), ai që komunikonte disa herë më dukej si një zë i njohur, por nuk kisha idenë se ishte Xhaviti.
Pasi mbërritëm mbi Lubizhd, i afruam dy kamionë dhe nisëm t’i hipnim ushtarët. Xhaviti kishte rreth 36 ushtarë, nëse s’gaboj, ishin Etrit R. Hoti, Selami Popaj, Bashkim Zhuniqi, Agim Popaj, Fitim Duraku (Hero), Fitim Arifi e shumë të tjerë që do ndaleshin në Reti, ndërsa rreth 55 të tjerë duhej t’i dërgonim në Pagarush.
Pas hyrjes në kamion nga Halimi e Elam, unë duhej t’i merrja ata për në Reti, ndërsa Halimi dhe Eshimi t’i dërgonin në Pagarush. Normal, me përcjellje ishim. Por duhej edhe ata 10 veta t’i fusnim në kamionin e Eshimit. Kur i futëm në kamion, u bë shumë ngusht; vetëm 5 veta hynë brenda, të tjerët mbetën jashtë. Pastaj udhëzova që 5 nga ta të vinin me mua: Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti, Nezir Imeri, Kujtim Saraqi dhe Lulzim Imeri.
Unë duhej ta dërgoja Xhavitin me ushtarët deri në Reti dhe nga aty t’i dërgoja për në Pagarush, ku do të takoheshim edhe me ekipin tonë. Udhëheqës kishim Osman Qerretin (Kom), Quni dhe Selim Morinën dhe normal edhe rreth 8 të tjerë që ishin në përcjellje.
Jemi nisur nga Lubizhda – Dedaj – Romaj – Rogov e Hasit – Celin – Krushë e Madhe. U ndamë nga grupi; unë vazhdova pa përcjellje. Pastaj, nga Krusha vazhduam Nagavc – Hoq e Vogel dhe në Reti. Gjatë rrugës, shoh Xhavitin me një pancir që peshonte rreth 16 kg, të cilin gjatë rrugës e kishte bartur edhe Fitim Arifi.
Para se të mbërrinim në shtabin ku na pritnin Toni e Mici, Xhaviti më tha të ndaloja kamionin rreth 100 metra para se të hynim në shtab. Në rresht si një lloj parade, unë së bashku me Xheladin Berishen hynëm të parët me kamion në oborr të shtabit. Dalin Toni, Mici, Sebaudin Cena, Shaban Krasniqi. Kur panë ashtu të rreshtuar duke ardhur Xhaviti me ushtarët, MICI u emocionua, nxorri revolen 16 dhe qëlloi disa herë në ajër.
Pasi hymë brenda, zbrazëm armatimin nga kamioni. Derisa isha brenda me Tonin, Micin dhe Profën, qëndruam rreth 40 minuta bashkë. Xhaviti u nda veçmas, meta dhe ua dorëzoi të hollat që kishin dërguar për të marrë në Shqipëri Toni e Mici. Gjatë rrugës, unë thashë Xhavitit që të duhej të më përcillte deri mbi Samadragj, pastaj vazhduam vetë me ata, se nga Studenqani për Deberdelan e Pagarush ishte UÇK-ja.
Ashtu e patëm lënë. Disa herë më thonin këta djemtë (Hamdia me shokët) kur po niseshim: Toni më shkroi numrin e telefonit satelitor dhe më tha se s’ka nevojë t’i dërgojmë, se do t’i dërgojmë vetë. Insistova, po jo, tha se kemi punë andej dhe s’ke nevojë, pranova.
Ndërkohë merrnim armatimin dhe çantat që ishin në kamion. Hamdia (tani Hero) më tha: “Faik, nëse shkon përsëri në Lubizhd në atë shtëpi ku kanë qëndruar, kanë harruar disa gjëra.” I thashë: “Po atë natë do përcillnim përsëri një grup dhe do shkoja t’i marr ato.”
U ndamë nga ata djem me Tonin dhe Micin dhe nisëm për Hoq e Vogel. Kur mbërrimë në Krushë e Madhe, ndëgjuam krisma të mitralozave dhe automatikëve, ku ishin ballafaquar me forcat serbe mbi Opterush. Pastaj kuptuam se kishin mbetur të vrarë: Toni, Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti, Nezir Imeri dhe ishin plagosur rëndë Kujtim Saraqi, Lulzim Imeri, shokët që na pritnin në Pagarush: Osmani, Selimi, Eshimi (Hero) dhe të tjerët menduan se edhe ne ishim vrarë, së bashku me Xhelen.
Por ne, edhe atë natë, përcilluam një grup tjetër. Vrasja e Tonit, Micit, Hamdisë me shokë ishte një humbje e madhe për UÇK-në dhe familjet e tyre. Sot isha së bashku me shumë shokë në përvjetorin e 24 të tyre, ku takova familjarët e Hamdi Hajrizit, vëllezërit, si dhe dy të plagosurit e kësaj ngjarjeje, Kujtim Saraqin dhe Lulzim Imeri.
Ndoshta është paksa e shkurtër, por është mirë të dihet ngjarja siç ka qenë. Ndoshta kam harruar ndonjë gjë pa e cekur. Faleminderit. Lavdi gjithmonë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës! 🙏🇦🇱
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
