Enver Hasani: Presidentja Osmani e shkeli Kushtetutën me mandatimin e Konjufcës

Shkeljet kushtetuese gjatë tetë muajve të fundit janë kthyer në rutinë, vlerëson ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani. Ai ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për mosrespektim të Kushtetutës dhe të ligjit. Osmani e ka shkelur Kushtetutën me mandatimin e Glauk Konjufcës për formimin e qeverisë së re, duke mos i përfillur kriteret mbizotëruese dhe duke anashkaluar partitë që përfaqësojnë shumicën prej 63 deputetësh në Kuvend. Ai e cilësoi këtë veprim si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në rendin kushtetues të vendit. Nga ana tjetër, Hasani tha se Albin Kurti po uzurpon pozitën e kryeministrit, pasi mban njëkohësisht edhe postin e deputetit, duke ushtruar dy funksione që Kushtetuta i ndalon. “Një qeveri, një ditë, do të detyrohet të fusë në Kodin Penal dispozita që parashohin dënim për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në Shqipëri dhe në disa shtete të tjera evropiane kjo është standard”, tha Hasani. Ai paralajmëroi se degradimi i rendit kushtetues po e dëmton rëndë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. “Kushtetuta dhe ligji janë stërkequr në përmasa të papara në Evropë – përveç Rusisë. Refuzimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës është vetëm fillimi i pasojave që do të ndjekin këtë krizë të përfaqësimit politik”, theksoi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 35 orë përgjime ndaj Thaçit në Hagë, mbrojtja akuzon Prokurorinë për ngarkesë dhe ndryshim përkthimesh

Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë, …