Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të Brukselit. Pas takimit që i dërguari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, blloku evropian ka njoftuar se është në pritje të krijimit të kushteve të përshtatshme për të ftuar një takim të nivelit të lartë ndërmjet palëve. Zëdhënësi i BE-së tha se Sorensen ka theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe ka përsëritur pritshmërinë e Brukselit për një angazhim konstruktiv nga të dyja palët në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. “Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut sapo të krijohen kushtet e përshtatshme për këtë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së. Kallas më herët kishte paralajmëruar se takimi do të mbahet pas formimit të qeverisë së re në Kosovë, për të parë drejtimin e mëtejmë të dialogut. Pas takimit me Sorensenin, presidenti Vuçiq tha se kishte shprehur gatishmëri për hapa konkretë në zbatimin e marrëveshjeve, por ky qëndrim është kundërshtuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Nga ekzekutivi në Prishtinë është theksuar se Serbia prej vitesh bllokon zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë edhe ato me karakter humanitar, si ajo për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës. Serbia ka refuzuar të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit, si dhe i ka dërguar letër BE-së përmes së cilës ka shprehur kundërshtimin ndaj pikave që lidhen me njohjen e Kosovës dhe me anëtarësimin e saj në OKB.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
