Studiuesi i politikave të sigurisë, Adrian Shtuni, ka folur për planin amerikan për paqe në Ukrainë dhe implikimet që ky zhvillim mund të ketë për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Shtuni theksoi se plani aktual është vetëm një kornizë diskutimi dhe jo një dokument i përfunduar për nënshkrim. Ai vuri në dukje se zgjidhja e konfliktit ukrainas mund t’i japë hapësirë Bashkimit Evropian që të fokusohet më shumë tek Ballkani Perëndimor dhe të përshpejtojë afrimin ose anëtarësimin e vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Megjithatë, Shtuni paralajmëroi për rreziqet e mundshme të lëshimeve territoriale, të cilat sipas tij përbëjnë një “këmbanë alarmi” për rajonin. Duke komentuar situatën në Kosovë, ai nënvizoi nevojën për bashkëpunim të fortë brenda vendit dhe me partnerët ndërkombëtarë. “Katër zgjedhje brenda një viti, zhvillime gjeopolitike, kosto ekonomike dhe politike – këto kërkojnë qartësi dhe bashkëpunim të menjëhershëm,” tha Shtuni, duke theksuar se bota po përjeton një tërmet gjeopolitik dhe Kosova nuk mund të humbasë energjitë në çështje të vogla. Ai përfundoi me një apel për “kfjellim” të lidershipit kosovar, duke paralajmëruar se këto janë kohë të jashtëzakonisht të vështira dhe vendimet e sotme do të kenë ndikim të madh për të ardhmen e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
