Përparim Rama shpërthen ndaj Kurtit: “Qasje autokratike, VV nuk po sillet si parti, por si sekt”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ashpërsuar tonet ndaj Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar këtë të fundit për sjellje autokratike dhe vendimmarrje të njëanshme në ndarjen e buxhetit për komunat. Rama kritikoi fort deklaratat e Kurtit rreth shpërndarjes së fondeve, duke thënë se mënyra se si kryeministri përcakton se cilat komuna duhet të përfitojnë është dëshmi e mungesës së respektit ndaj institucioneve dhe qytetarëve. Sipas Ramës, Kurti po ndërton një logjikë politike ku individi vendos mbi të gjithë. “Ja ku e keni pra një autokrat. I gjithëdijshmi që vendos vetë kush është i mirë, kush i keq, kush vjedhka, kush qenka i pastër. Ai vendos kujt i jepet buxheti e kujt jo”, deklaroi Rama. Ai shtoi se kjo sjellje nuk është më çështje politike, por mentalitet sektar. “Nuk është parti politike, është një sekt. Njerëz që mendojnë se janë mbi të gjithë, sikur janë të zgjedhurit e Zotit e vendosin kush është i dinjitetshëm e kush jo. Madje vendosin edhe kush nga UÇK-ja qenka i mirë e kush jo”, theksoi kryetari i Prishtinës. Rama e quajti të papranueshme qasjen e Kurtit në raport me figurat historike dhe me komunat e vendit, duke përmendur edhe Ramush Haradinajn, për të cilin tha se “e kanë lidhur me Listën Serbe, ndonëse njeriu ka luftuar për vendin”.

Kontrolloni gjithashtu

Për shkak të përmbytjeve nga uji, disa rrugë janë të pakalueshme

Për shkak të përmbytjeve nga uji, disa rrugë janë të pakalueshme, në disa të tjera …