Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa – Remi, ka kritikuar ashpër sjelljen politike të kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se vendi nuk ka nevojë për qeveri që ushqehet me tensione, përçarje dhe kriza të fabrikuara. Ai ka theksuar se një pjesë e politikanëve mbijetojnë vetëm në klimë kaosi, të cilin e krijojnë vetë për t’u paraqitur më pas si zgjidhje. “S’na duhet më qeveri që jeton prej tensioneve, prej përçarjeve e krizave të fabrikuara. Na duhet normalitet”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar se qytetarët meritojnë një qeveri që punon për ta, e jo një qeveri që shpëton vetveten. Ai ka theksuar se Kosovës i duhet një qeveri normale, e cila fokusohet në zhvillim ekonomik, investime, arsimim, rritje të standardit jetësor dhe afrimin real me perëndimin. Sipas tij, vendi nuk ecën përpara me dramë politike, por me punë konkrete. “Koha e punës fillon kur ndalojmë teatrin e rrëmujës”, ka përfunduar Mustafa.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
