Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të Qeverisë Kurti, duke e cilësuar ekzekutivin aktual si “më të korruptuarin që ka pasur ndonjëherë Kosova”. Gashi theksoi se këto nuk janë deklarime politike, por konstatime të bazuara në kallëzimet penale dhe hetimet e hapura nga organet e drejtësisë. Ai rikujtoi se disa ministra të kabinetit janë nën hetime ose kallëzime penale, ndërsa raste të tjera prekën edhe nivelet më të larta të institucioneve. “Kemi raste të dokumentuara: kallëzime penale ndaj ministrave, kërkesë që edhe vetë z. Kurti të japë dëshmi, skandalin me Rezervën Shtetërore, arrestimin e drejtorit të KEK-ut dhe rastin skandaloz të ambasadorit në Kroaci, i përfshirë në tregtimin e energjisë elektrike – e që ende nuk është shkarkuar”, tha Gashi. Sipas tij, këto zhvillime konfirmojnë se qeveria që erdhi me premtimin e luftës kundër korrupsionit, po përballet me nivelin më të lartë të aferave të brendshme. Gashi theksoi se qytetarët meritojnë transparencë, përgjegjësi dhe një qeverisje që të mos fshihet pas retorikës, por të përballet me drejtësinë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
