Në këtë fundjavë IKKSH në Shtutgart (Stuttgart) organizoi një aktivitet kulturor për nderë të Betejës së Pashtrikut dhe rënjes së Komandantit Mujë Krasniqi me 41 luftëtarët e UÇK-së në Likenet e Hasit, në Pashtrik. Aktiviteti i cili u zhvillua në sallën e kinemasë, Atelier am Bollwerk, në Stuttgart, ishte me të vërtetë dinjitoz në çdo pikëpamje për këtë përvjetor, qoftë si nga ana e pjesëmarrjes së mërgimtarëve tonë, ashtu edhe nga ana organizative.
Aktiviteti filloi me intonimin e himnit tonë Kombëtar dhe shtetëror, kurse prezantuesit Rilinda Gega dhe Naser Vrella shkëlqyen në rolin e tyre organizativ. Ata kërkuan nga pjesëmarrësit në tubim që t’i nderonin të rënët me një minutë heshtje si dhe e bënë të njohur programin e aktivitetit, ku përveç pjesës kulturo-artistike në program u tha se janë edhe promovimi i disa librave të Gjeneral Kudusi Lamës dhe shfaqja e filmit dokumentar „Shtegu i lirisë“.
Në aktivitet morën pjesë protagonistë të betejës së Pashtrikut, ish ushtarë të tri luftërave që u zhvilluan në hapsirat shqiptare, si dhe shumë familjarë të dëshmorëve. Në këtë aktivitet morën pjesë në mënyrë masive mërgimtarët tonë nga tri shtetet gjermano-folëse, nga Gjermania me rrethinat, Stuttgarti, dhe nga qytete të tjera, pastaj mërgimtarë nga Zvicra dhe Austria.
Mërgimtarët tonë donin në këtë mënyrë të i nderonin luftëtarët shqiptarë, të cilët 27 vjet më parë ranë në grackën e ushtrisë serbe, pak kohë pasi e kishin kaluar kufirin me 14 dhjetor 1998, kurse, siç dihet, gjashtë muaj më vonë, po në Pashtrik, u zhvillua një betejë e madhe luftarake në të cilën serbët pësuan humbje të mëdha. Gjeneral Kudusi Lama e nderoi, me pjesëmarrjen e tij, këtë tubim.
Gjenerali shqiptar ishte i involuar me Divizionin e Kukësit në Betejën e Pashtrikut. Në tubim morën pjesë edhe shumë bashkëluftëtar të Komandant Mujë Krasniqit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Në vazhdim të programit pjesëmarrësve iu drejtua Imer Lladrovci, veprimtar politik dhe ish diplomat karriere i Republikës së Kosovës në Gjermani dhe në Austri.
Ai në fjalën e tij iu referua Betejës së Pashtrikut, por edhe rënjes së komandant Mujë Krasniqit, nipit të tijë Muhamet Dervishi dhe 41 dëshmorëve të UÇK-së. Dr.Sali Sefa, ish i burgosur politik, veprimtar politik dhe ish diplomat i Republikës së Kosovës në Zvicër, në Cyrih (Zürich), iu drejtua me disa fjalë pjesëmarrësve në tubim. Të njëjtën gjë e bëri edhe mysafiri special, Gjeneral Kudusi Lama, i cili kishte ardhur në mënyrë të veçantë vetëm për këtë tubim nga Shqipëria. Para se të merrte fjalën Gjeneral Kudusi Lama, për librat e të cilit foli Arben Veselaj, ish ushtar dhe veteran I UÇK-së, gazetar, publicist dhe autor i disa librave. Për jetëshkrimin e gjeneralit shqiptar Kudusi Lama foli zonja Sofie Shoshi -Sopa. Fjala e Gjenralit Lama u përcoll me interesim të madh dhe shumë herë u ndërpre nga duartrokitjet e të pranishmëve. Gjenerali, nga ana e tij, tha se tubime të tilla do të nderonin edhe Tiranën e Prishtinën.
Duke folur për luftën, Gjenerali Kudusi Lama, tha se në luftë një kontribut të madh ka dhënë edhe mërgata shqiptare. Lufta ishte e të gjithë shqiptarëve, kështu që gjej rastin t‘u shpreh falenderimin tim të gjithë shqiptarëve që e ndihmuan luftën çlirimtare të UÇK-së, në forma të ndryshme. Ju erdhët edhe vetë në luftë dhe e furnizuat atë me armë, por një kontribut shumë të madh e dhanë nënat shqiptare që gatuan bukën çdo ditë për djemtë shqiptarë, që luftuan me armë në dorë në vijën e frontit . Një luftë nuk fitohet kurrë pa funksionimin e mirë të logjistikës. Vjazat dhe djemtë e grupit “Studio Fenix”, e cila drejtohet nga Arsim Berisha, e bënë tubimin edhe më dinjitoz. Arsim Berisha erdhi me grupin e tij nga Vinterturi (Winterthur) Zvicrës. Vajzat dhe djemtë e këtij grupi performuan me veshjet e UÇK-së Vallen e Pavarësisë, e cila e ngriti në këmbë gjithë sallën.
Pjesëmarrësit shpërthyen në brohoritje UÇK, UÇK.
Edhe kënga e Rilind Gashit „Kreshtat e Kosovës“ u përcoll me duartrokitje të gjata, ndërkohë që me këngën për heroin Tahir Sinani e entuziazmoi mjaft publikun, të cilët kënduan së bashku me solistin e ri. Në program të aktivitetit ishin edhe Rifat Mujota dhe Leotrim Mëziu. Rifat Mujaota, protagonist i Betejës së Pashtrikut dhe bashkëluftëtar i Mujë Krasniqit, foli përmbledhtas për këtë betejë, kurse toger Leotrim Mëziu, djali i Komondant Rifat Mëziut, tha se ndjehet krenarë për luftën që u zhvillua në Pashtrik dhe në fushëbetejat e tjera kudo në Kosovë. Në fund të tubimit u dha edhe filmi dokumentar „Shtegu i Lirisë“.
Organizatori i aktivitetit , Instituti I Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart, ndau mirënjohje për gjithë familjarët e Betejës së Pashtrikut, përfshirë këtu në rradhë të parë familjet e dëshmorëve, pastaj ish ushtarët nga tri luftërat çlirimtare dhe disa veprimtarë nga diaspora. Mirënjohjet i shpërndau djali i atdhetarit Hysen Gega, z.Ylber Gega s’bashku me Imer Lladrovcin dhe Shaban Qelaj. Këtë shkrim për këtë tubim po e mbyllim me vlerësimin e lartë nga pjesëmarrësit. Urojmë që Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart të vazhdojë punën e tij të mbarë edhe në të ardhmen.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
