Për titullin dhe temën më intrigoi një status në FB, që duhet të ketë qenë i Bleron Baraliut (nuk jam i sigurtë ishte i tij apo ndokujt tjetër, meqë në një rikërkim nuk e gjeta). Po, për çfarë jam i sigurtë; Epitoma si figurë më mori me vete nga partia në parti e nga synimi në synim të kësaj gare elektorale te ne. Peisazh ky që ngërthen në vete gjithçka të konsumuar në politikë: fjalime pa përmbajtje, premtime të ricikluara, armiq imagjinarë të vet strukturës partiake e të vendit. Zgjidhjet që nuk vijnë kurrë, premtohen e premtohen!
Çdo garë elektorale te ne duket sikur është përsëritje e së mëparshmes. Ndryshojnë vetëm posterët dhe renditja e fjalëve. Politika nuk na befason më. Ajo na lodhë. Dhe kjo lodhje ka emër: bajatje.
Sikur thamë: nga partia në parti retorikë boshe, kredo fluturake, fjalime të zjarrta në vobektësinë e tyre që përfundojnë me armiq të shpikur për konsum të brendshëm, oferta mandatore që shtyhen për “mandatin tjetër”. Stanjacioni shitet stabilitet, ndërsa dështimi si domosdoshmëri në emër të një qëllimi të lartë që askush nuk e sheh, përveç atyre që e përdorin.
Por, cili është ky qëllim?
Zakonisht, ai përfundon në duart e liderëve që flasin në emër të turmave, por qeverisin për hesapin e vet, ku hajnë edhe kastat pa dallim.
Ne qytetarët mbetemi spektatorë nga arena ku përplasemi me mbijetesen. Ikën rinia, shterrojnë mundësitë, vaket mosha. Na bënë se na është vjetëruar edhe atdheu.
Kjo nuk është thjesht krizë politike. Është krizë e marrëdhënies sonë me pushtetin. Politika, si formë, është ajo që shohim. Pushtetimi është procesi që e vuajmë çdo ditë. Dhe sa kohë që nuk pyesim pse po e vuajmë, do të vazhdojmë ta quajmë normalitet atë që është, në fakt, simptomë, vet lëngata jonë.
Për ta kuptuar më qartë këtë gjendje, mjafton një dallim i thjeshtë: potomia dhe epitoma. Potomia është procesi i brendshëm i pushtetit — mënyra se si ai ruhet dhe riprodhohet. Epitoma është shfaqja e jashtme — ajo që sot e shohim qartë në fjalime të zbrazëta, premtime të konsumuara dhe lodhje kolektive.
Kjo bajatje nuk është aksident. Është këneta ku kemi rënë. Është pasojë e një loje të gjatë ku të gjithë flasin për ndryshim, por pak janë të gatshëm të ndryshojnë marrëdhënien e tyre me pushtetin. Dhe këtu hyn edhe përgjegjësia jonë: për aq kohë sa pranojmë minimumin si sukses dhe zhgënjimin si rutinë, epitoma e bajatjes politike do na shfaqet çdo javë, çdo fushatë, çdo mandat. Pamje e sikletshme!
Ndoshta, koha që po zien nëpër premtime të reja, do bajatisë mashtrimin deri në mohim dhe ne do i kthehemi pyetjes së vjetër: deri kur kështu?
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
