Teksa mëson njeriu për reshjet e borës nëpër bjeshkët me lartësi të larta mbidetare, nuk ka si të mos na kujtohet koha kur bora në nëntor mbulonte krejt Kosovën!
Është interesant fakti që, edhe pse bora na e vështirësonte tej mase jetën, ajo edhe na gëzonte pa masë, sidomos fëmijëve. Me të mbuluar natyrën me bardhësi, duhej të niseshim më herët për në shkollë, sidomos nxënësit që kishin larg shkollën. Në grupin e fundit të nxënësve, bënim pjesë më shumë kushërinj. Ishin mbi 3 kilometra rrugë që duhej bërë nëpër borë për të arritur në shkollë. Me raste, bëhej afër një orë rrugë, kur na “buzëqeshte” fati për t’i trasuar dërrasat në pjesën e pjerrët të malit që duhej të ecnim për të arritur në shkollë. Shpesh rrobat squlleshin nga lagështia.
Me raste, kishte ndonjë mësimdhënës që na lejonte të ofroheshim pranë stufës, që lironte erë të padurueshme e tym nga djegia e thëngjillit. Kishte raste kur ndonjë nxënës, që ishte ulur në banka, reagonte me të drejtë, sepse nxehtësia e stufës nuk arrinte te banka e tyre dhe ata ndjenin ftohtë! Këto ankesa të arsyeshme i vendosnin në pozita të palakmueshme edhe mësimdhënësit! Herë ngrinin supet, herë bënin sikur nuk i dëgjonin ankesat, e me raste na lejonin të ofroheshim te stufa me rotacion.
Ama ishte interesante se, ndonëse kishte tej mase vështirësi për udhëtim në ato ditë të acarta e rrugë të mbushura me borë me trashësi të madhe, nuk kishte mungesa në shkollë! Klaset ishin të mbushura me nxënës, dhe në orët pasuese nuk e ndjenim të ftohtin! Mbase dhoma e mësimit ngrohej edhe nga energjia që lironin trupat tanë, mbase nga gëzimi që krijohej në klasë, apo nga diskutimet që bënim se ku do të ishte më mirë të shkonim për të rreshqitur, sapo të shkonim në shtëpi pas përfundimit të mësimit!
E prisnim me padurim takimin pas mësimit. Kush me saja, kush me ski, e ndonjë edhe me gjësende të ndryshme të improvizuara nga plastika që mundësonte rreshqitjen në borë. Me rëndësi, të gjithë merrnim pjesë në këtë sport dimëror. Edhe ata që s’kishin mjete për të rreshqitur, i merrnin në sajat e tyre ata që kishin saja më të gjata. Me raste, krijohej treni i sajave. Të gjithë lidhnin sajat njëra pas tjetrës me litaret e tyre, dhe vargu prej shumë sajave lëshohej tatëpjetë kodrës, duke improvizuar trenin, ama thuajse kurrë nuk arrinim në fund të destinacionit. Mjaftonte saja e parë të anonte shumë anash në kthesë dhe të përfundonte anash stazës, dhe të gjitha të tjerat rrëzoheshin njëra mbi tjetrën.
Për çudi, asnjë zënkë, asnjë sharje nuk ndodhte mes nesh, por fillonin qeshjet e mëdha dhe shakatë në llogari të prijësit, duke i kërkuar që tani e tutje të qëndrojë në fund të kolones së sajave, sepse “gomari nuk bën të vendoset në ballë të kolones”. Dhe sërish, me saja në krah, niseshim drejt majës së kodrës për të improvizuar trenin e radhës. Mua më pëlqenin skijat, dhe me to nuk mund të ishe pjesë e “trenit”. Krejt çfarë mund të bëje ishte të niseshe pas tyre, trenit, dhe t’i tejkaloje sajat me radhë, derisa ndonjë çapkën ose çapkëne shtrinte këmbën anash, ose saja anonte duke të shtyrë dhe rrëzuar në gjysmë të rrugës 🙂 dhe lëshonte ndonjë romuz: “Alberto Tomba do të arrinte para nesh në finish sikur të dinte të skijonte” 🙂.
Sërish qeshje, hare, shpotitje, ama edhe lodhje e jashtëzakonshme. Situata rëndohej dhe bëhej e bezdisshme kur verënim se na ishin lagur të gjitha rrobat dhe kishim frikë nga qortimet e prindërve. Ama asnjë nuk kishte mbipeshe, e as që ndjente lodhje nga vrapi përpjetë kodrës, sepse përveç që garohej për sajen apo skitë më të mira, garohej edhe për vrapuesin më të mirë përpjetë kodrës me dëborë! Kjo mënyrë e jetës vazhdonte muaj me radhë, deri në pranverë, kur shkrihej bora, dhe kjo na pikëllonte të gjithëve, sepse më nuk mund të merrnim pjesë në sportet e bardha!
Sot është krejt ndryshe. Jeta artificiale. Renia e borës përjetohet nëpërmjet celularëve. Edhe ato pak ditë që bie bora, nuk sheh fëmijë duke rreshqitur me saja e ski nëpër kodra e brigje, e të mos flasim nëpër sipërfaqe shumë të pjerrëta. Nuk sheh as kolona nxënësish duke ndarë mes tyre shtresën e bardhë të borës dhe duke e zëvendësuar njëri-tjetrin në ballë të kolones.
Tani jeta është bërë më e lehtë, por çuditërisht më pak lumturi! Tani ka transport me autobus e kombibus për të gjithë nxënësit, por edhe mungesa më të mëdha në orët e para, kur bie bora. Si duket, bora është pretekst për të arsyetuar mungesat e tyre në mësim! Tani ka edhe një kujdes, mbase të tepruar, të prindërve për fëmijët, duke i kursyer ata nga çdo ekspozim i pakëndshëm, qofte borës, të ftohtit, rrugëtimit nëpër borë… ama edhe duke i bërë fëmijët qenie më të brishta, edhe pse besoj se këtë nuk e dëshirojnë!
Më parë kishim kushte shumë më të rënda, por në qytezën tonë, ku gravitojnë rreth 70 fshatra, kishim vetëm një barnatore (!), ndërsa tani vetëm në një segment rrugor prej 100 metrash, janë dhjetë barnatore, dhe në secilën që hyn, duhet të presësh në radhë!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
