Më 12 janar 2026, në Amfiteatrin e Madh të Universitetit “Ukshin Hoti”, në Prizren studentët e vitit IV, drejtimi Parashkollor, nën drejtimin e Prof. Albana Krasniqi, sollën para publikut adaptimin skenik të shfaqjes “Liza në Botën e Çudirave” një realizim i ndërtuar me imagjinatë të pasur, ndjeshmëri artistike dhe kujdes të veçantë pedagogjik.
Shfaqja, e realizuar në kuadër të lëndës Dramatizimi dhe Shfaqja me Kukulla, ndërthurte në mënyrë harmonike elemente të teatrit dramatik dhe teatrit me kukulla, duke krijuar një univers skenik tërheqës dhe të gjallë. Loja skenike, ritmi i mirëstrukturuar dhe përdorimi kreativ i mjeteve vizuale e bënë shfaqjen të komunikueshme dhe të kuptueshme për publikun, i cili e përcolli me interes të vazhdueshëm dhe e shpërbleu me duartrokitje të gjata.
Publiku i pranishëm, i përbërë kryesisht nga fëmijë parashkollorë, reagoi në mënyrë aktive dhe spontane gjatë gjithë shfaqjes. Fëmijët komunikonin drejtpërdrejt me skenën, brohorisnin, përfshiheshin emocionalisht dhe shpeshherë përsëritnin tekstin e aktorëve, duke krijuar një ndërveprim të gjallë që e pasuroi përvojën teatrale dhe e shndërroi shfaqjen në një akt të hapur dialogu mes aktorëve dhe publikut.
Studentët dëshmuan nivel të lartë përkushtimi dhe profesionalizmi, duke u shquar për kreativitet në skenografi, kostume dhe interpretim aktorial, si dhe për aftësinë për të punuar në grup. Regjia e Prof. Albana Krasniqi e vuri theksin në zhvillimin pedagogjik dhe artistik të studentëve, duke reflektuar një proces mësimor të suksesshëm dhe një bashkëpunim të frytshëm mes pedagoges dhe studentëve.
Shfaqja u shndërrua kështu në një përvojë artistike dhe edukative të rëndësishme, që dëshmon potencialin krijues të studentëve të Fakultetit të Edukimit dhe rolin e teatrit si mjet formimi, komunikimi dhe ndërveprimi aktiv në edukimin parashkollor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
