Komisioni Evropian ka konfirmuar se po punohet për heqjen e plotë të masave financiare ndaj Kosovës brenda disa javësh, sapo të përmbyllen procedurat e brendshme në institucionet e Bashkimit Evropian. Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Koopman, ka bërë të ditur se, krahas masave që tashmë janë hequr, Kosovës do t’i lirohen mbi 400 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Aktualisht, sipas tij, procesi ndodhet në fazën e programimit dhe kontraktimit. “Ndërmjet programimit dhe kontraktimit, në mënyrë efektive, në javët e ardhshme do t’i kishim hequr të gjitha masat financiare. Kjo është në përputhje me atë që është thënë publikisht dhe me atë që po planifikojmë e po zbatojmë në praktikë”, deklaroi Koopman në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. “Tani shpresojmë që kjo situatë të përfundojë së shpejti. Pas zgjedhjeve të dhjetorit, presim formimin e shpejtë të qeverisë, në mënyrë që autoritetet të finalizojnë dokumentacionin e nevojshëm për mbrojtjen e buxhetit të BE-së dhe interesave të taksapaguesve evropianë. Pas kësaj, do të mund të ecim shpejt dhe të kapim ritmin”, u shpreh ai. Koopman konfirmoi gjithashtu se institucionet e Kosovës kanë punuar intensivisht në reformat e kërkuara dhe se shumë prej tyre janë tashmë të përgatitura për zbatim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
