Analisti dhe publicisti Behxhet Shala, publikuar një reagim jashtëzakonisht të ashpër ndaj pushtetit aktual, duke akuzuar drejtpërdrejt Lëvizjen Vetëvendosje, kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani për autokraci, degradim institucional, antikombëtarizëm dhe mashtrim politik. Në shkrimin e tij me titull “Përrallat për Presidentin”, Shala–Bajgora përdor një gjuhë të fortë polemike, duke e cilësuar Vetëvendosjen si “strehë e strukturave të vjetra jugosllave dhe proserbe”, ndërsa akuzon shumicën e përfaqësuesve të saj se nuk kanë bërë asnjë sakrificë për Kosovën. Sipas tij, patriotizmi është shndërruar në mjet mashtrimi, ndërsa vlerat kombëtare janë zëvendësuar me interesa pushteti. Ai e akuzon kryeministrin Kurti se ka ndërtuar një sistem autokratik, ku institucionet janë nënshtruar dhe kritika është shtypur, ndërsa presidentja Vjosa Osmani, sipas Shalës, jo vetëm që nuk e ka frenuar këtë pushtet, por i ka shërbyer atij “si kamxhik kundër opozitës, mediave, shoqërisë civile dhe Gjykatës Kushtetuese”. Shala, shprehet se kërkesa e Osmanit për një mandat të dytë presidencial është e papranueshme moralisht dhe politikisht, duke e cilësuar atë si presidente pa pavarësi dhe tërësisht të nënshtruar ndaj Kurtit. Ai shton se Kurti e mbështet Osmanin vetëm sepse, sipas tij, ajo i bindet pa asnjë kundërshtim. Në këtë kontekst, ai i bën thirrje opozitës, veçanërisht LDK-së, që në asnjë rrethanë të mos e votojë Vjosa Osmanin për një mandat të ri dhe të mos bëhet pjesë e, siç e quan ai, “skenarit të fshehtë dhe kriminal për krijimin e Asociacionit dhe zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
