Jonathan Hargreaves: Rinumërimi rrezikon afatet, Presidenti duhet zgjedhur me kohë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka paralajmëruar se procesi i rinumërimit të votave, ndonëse i domosdoshëm për integritetin zgjedhor, mund të bartë rreziqe serioze sa i përket respektimit të afateve kushtetuese, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ri. Hargreaves theksoi se rinumërimi është dëshmi e aftësisë së sistemit zgjedhor për të identifikuar dhe adresuar dobësitë, por njëkohësisht kërkoi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta përmbyllë këtë proces sa më shpejt që të jetë e mundur. “Kjo natyrisht bart disa rreziqe sa i përket afateve kohore dhe shpresoj që Komisioni ta kryejë rinumërimin sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai. Ambasadori britanik nënvizoi se pas përfundimit të rinumërimit është jetike që partitë politike të bashkohen për të mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, në mënyrë që vendi të mos hyjë në një bllokadë të zgjatur institucionale. Sipas tij, miratimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare nuk duhet të vonohet, pasi këto janë procese thelbësore për funksionimin normal të shtetit. Hargreaves veçoi në mënyrë të posaçme rëndësinë e respektimit të afateve për zgjedhjen e presidentit të ri, duke theksuar se ky proces duhet të zhvillohet pa vonesa dhe në përputhje me Kushtetutën. “Jam i bindur se të gjitha partitë janë të përkushtuara për këtë, sepse të gjithë e kuptojnë rëndësinë që këto procese tejet të rëndësishme kanë për Kosovën”, deklaroi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 21 mijë lindje në Kosovë gjatë nëntë muajve të vitit 2026

Në Kosovë janë regjistruar 21 mijë e 136 lindje gjatë periudhës janar-shtator 2026, sipas të …