Derisa bota po rreshtohet sipas dinamikës së re të Shtëpisë së Bardhë, te ne shqetësimi po rritet për mundësinë e rreshtimit historik në rrethana vështirë të parashikueshme, sidomos për 2-4 vitet e ardhshme. Rrjedhimisht duke pasë parasysh rezultatin zgjedhor të 28 Dhjetorit,pyetja bazike që duhet të parashteohet, a është Albin Kurti njeriu i duhur për të negociuar me administratën amerikane, që aktualisht po cilësohet si administratë e “marreveshjeve të shpejta”? Këtu janë katër çështje që kërkojnë analizë profesionale, e që te ne vështirë të gjendet dikush që njeh këto relacione, që ka përvojën, integritetin moral e kombëtar, e që i pranohet vlerësimi profesional:
1. Pse dyert e Shtëpisë së Bardhë mbeten të mbyllura për Albin Kurtin?
Është fakt i pamohueshëm, se që nga ardhja në pushtet, takimet e nivelit të lartë bilateral në Uashington për Albin Kurtin kanë qenë thuajse inekzistente. Ndërsa liderët e rajonit priten në zyrat e rëndësishme, Kurti mjaftohet me takime nëpër kuluare apo konferenca periferike. Ky izolim nuk është rastësi, është pasojë e drejtpërdrejtë e kursit të tij “sovranist” që shpesh është përplasur me kërkesat e Departamentit të Shtetit. Me Trump-in në pushtet, kjo “ftohtësi” rrezikon të kthehet në një mur të pakalueshëm.
2. Çfarë e lidh Kurtin kaq fort me Greqinë dhe “Simpoziumet” e dyshimta?
Për derisa Uashingtoni e injoron, Kurti gjen kohë çdo vit për vizita të gjata në Greqi, shpesh nën petkun e “Simpoziumit Symi”. Këto udhëtime kanë ngritur dyshime të mëdha: Pse një lider i një shteti në krizë kalon ditë të tëra me eksponentë të “Internacionales Socialiste” (që shumë kritikë e shohin si një vazhdimësi ideologjike të internacionalizmit komunist) me seli në Athinë? Kur interesat e Kosovës kërkojnë lobim në NATO, Kurti duket se preferon koordinimin me rrethe ideologjike majtiste që shpesh kanë qenë skeptike ndaj rolit dominues të SHBA-së.
3. A mund t’i beson NATO një lideri që fliste për “thikat mbi harta”, e NATO siguron territorin e Kosovës?
Historia nuk harron. Zyrtarët nga administrata amerikane mbajnë shënime, dhe nuk mund ta kanë harruar Albin Kurtin, kur ndërtoi kauzën e tij duke akuzuar administratën Trump (përmes emisarit Grenell) se po përgatiste ndarje të Kosovës “me thika mbi harta” në Shtëpinë e Bardhë. Sot, kur Kosova ka nevojë urgjente për mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në NATO, si mund t’i prijë këtij procesi njeriu që e ka demonizuar pikërisht atë adresë ku merren vendimet? Mosbesimi i dikurshëm, sot po kthehet në një faturë “të kripur” për shtetin, dhe sigurinë tonë kombëtare.
4. “Zgjidhje Evropiane” apo ikje nga realiteti?
Kurti shpesh aludonte se fati i Kosovës është në Evropë, duke u përpjekur të shmangë presionin amerikan për marrëveshje konkrete. Por, a mund të ketë zgjidhje evropiane pa vulën amerikane? Përgjigja e thjeshtë është JO e madhe!Historikisht Evropa ka nëpërkëmbur interesat shqiptare, në favor të sllavëve ortodoks. Duke luajtur lojën e Brukselit për të blerë kohë, Kurti ka lënë Kosovën në një “status-quo” të rrezikshme. Në ” botën” Trump, nuk ka hapësirë për liderë që bëjnë teori politike, ka hapësirë vetëm për ata që prodhojnë rezultate.
Kosova nuk mund të jetë peng e një lideri që prioritet ka ideologjinë e tij personale, mbi interesin gjeopolitik të shtetit. Me një administratë të re në SHBA që nuk njeh kompromise me “partnerë të vështirë”, rreziku që Kosova të anashkalohet është real.
A ka ardhur koha që Kosova të kthehet te diplomacia e vërtetë, apo do të vazhdojmë të mbetemi nëpër simpoziume greke ndërkohë që fati ynë vendoset në Uashington pa ne?
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
