Për të satën herë më duhet të theksoj se Albin Kurti nuk është i përzgjedhuri cilësor që do ta çonte përpara shoqërinë dhe shtetin.
Ai është një manipulues i gjendjes shpirtërore të masës.
Fenomeni, kur e rendomta (shumica) e lufton të madhërishmen (pakicën) është po aq i vjetër sa vetë shoqëria dhe ka rrënjë psikologjike, sociologjike dhe politike. Ai nuk buron nga racionaliteti, por nga mekanizma mbrojtës të vetëdijes kolektive, të ushqyer nga smira, frika dhe inferioriteti i pavetëdijshëm.
Smira nuk lind ndaj atij që është i barabartë; ajo lind vetëm ndaj atij që ecën përpara, duke i tejkaluar të tjerët.
E madhërishmja qoftë mendore, morale, profesionale apo vizionare e vë të rendomtin përballë një pasqyre të dhimbshme:
“Unë mund të isha më shumë, por nuk jam.”
Kjo përplasje nuk prodhon admirim, por urrejtje mbrojtëse. Për ta shmangur dhimbjen e krahasimit, shumica zgjedh ta luftojë dhe ta delegjitimojë epërsinë, në vend se ta arrijë atë!
Shumica rendomte nuk e urren të madhërishmen sepse ajo është e padrejtë, por sepse ia prish rehatinë morale. Prania e dikujt që punon më shumë, mendon më thellë apo vepron më ndershëm, e bën mediokritetin të dukshëm. Prandaj lind impulsi:
jo për t’u ngritur vetë, por për ta ulur tjetrin.
Në shoqëri të politizuara emocionalisht, smira kolektivizohet. Ajo shndërrohet në tregim, në rrëfim apo – siç quhet jo shqip – në narrativë:
“Ai është arrogant”,
“Ai sillet si më i ditur”,
“Këta mendojnë se janë mbi ne.”
Kështu, e madhërishmja moralizohet negativisht, ndërsa e rendomta vetëshpallet virtyt. Mediokritetit nuk i vjen më turp; përkundrazi, ai merr guxim, shndërrohet në normë dhe mbrohet si “popullor”.
E madhërishmja është përjashtuese për nga natyra – jo sepse dëshiron të jetë e tillë, por sepse nuk mund të ndiqet nga të gjithë. Kjo krijon frikë ekzistenciale te shumica:
“Nëse ky standard pranohet, unë mbetem jashtë.”
Prandaj lind nevoja për ta shkatërruar vetë standardin. Jo sepse është i gabuar, por sepse është i paarritshëm për ta.
Në planin politik, e rendomta politizohet dhe kjo gjendje shndërrohet në armë. Liderë populistë i mësojnë masat të mos e synojnë madhështinë, por ta urrejnë atë. Kështu ndërtohet pushteti mbi një koalicion të smirës, jo mbi meritën.
E madhërishmja etiketohet si “rrezik”, ndërsa mediokriteti shitet si “autenticitet”.
Në këtë pikë ndodh përmbysja e vlerave: dija quhet arrogancë, disiplina quhet shtypje, ekselenca quhet elitizëm, ndërsa mendimi kritik quhet tradhti. Kështu, e rendomta nuk është më thjesht shumicë numerike; ajo shndërrohet në regjim mendor.
Në fund, duhet thënë se e rendomta nuk e lufton të madhërishmen sepse kjo e fundit është e padrejtë, por sepse ekzistenca e saj është një akuzë e heshtur ndaj mediokritetit.
Smira është mekanizmi mbrojtës që i lejon shumicës të mos ndryshojë, duke e shkatërruar simbolikisht atë që e sfidon.
Ky nuk është konflikt klasash, por konflikt standardesh.
Dhe historia tregon: kur shumica fiton mbi madhështinë, shoqëria fiton qetësi afatshkurtër – por humb drejtimin.
Kam frikë se, në të vërtetë, e kemi humbur drejtimin si shoqëri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
