(Ose sundim përmes kontrollit, shantazhimit dhe diferencimit politik e klanor)
Titizmi jugosllav, si ideologji shtetërore e ndërtuar pas vitit 1945, nuk ishte thjesht një variant “më i butë” i socializmit krahasuar me stalinizmin, por një projekt kompleks i pushtetit jugosllav kundrejt shqiptarëve të mbetur padrejtësisht në këtë ëmbrellë të përzier me nacionalitete, kryesisht sllave. Titizmi si doktrinë është mbështetur mbi balancime etnike, kontroll policor dhe manipulim politik të identiteteve kombëtare. Në këtë arkitekturë, shqiptarët, veçanërisht ata të Kosovës, nuk u trajtuan kurrë si subjekt politik i barabartë, por si problem strukturor, si rrezik potencial për stabilitetin e federatës jugosllave.
Parimi themelor: Shqiptarët si “tepricë historike”
Doktrina themelore e titizmit ndaj shqiptarëve ishte ideja se shqiptarët në Jugosllavi ishin një element i tepërt historik, një trup etnik jashtë narrativës së “vëllazërim-bashkimit”. Ndryshe nga kombet sllave, shqiptarët nuk përfshiheshin në mitologjinë themeluese të Jugosllavisë partizane. Ata nuk u konsideruan kurrë “komb shtetformues”, por pakicë e toleruar nën kushte specifike. Kjo logjikë e përjashtimit shpjegon: Pse Kosova nuk u bë republikë; pse shqiptarëve iu mohua e drejta e vetëvendosjes; dhe pse çdo kërkesë e tyre për barazi u etiketua si irredentizëm, nacionalizëm apo armiqësi ndaj shtetit dhe federatës.
Autonomia si mjet kontrolli, jo si e drejtë juridiksioni
Titizmi e përdori autonominë e Kosovës jo si akt emancipimi, por si mekanizëm menaxhimi të krizave. Kushtetuta e vitit 1974 nuk e ndryshoi esencialisht thelbin e pushtetit, sado që element me orientime të tilla flasin ndryshe, e vërteta është se Serbia ruante levat kyçe, ndërsa Kosova mbetej juridikisht e varur dhe politikisht e mbikëqyrur nga Serbia. Autonomia e Kosovës ishte: Pa subjektivitet shtetëror; pa të drejtë për shkëputje nga Sërbia dhe gjithmonë e kushtëzuar nga besnikëria ideologjike ndaj Beogradit.Në këtë kuptim, titizmi prodhoi një elitë lokale të kontrolluar, një kastë funksionarësh shqiptarë që shërbenin si tampon midis pushtetit serb dhe popullsisë shqiptare, ajo mendësi edhe sot është aktive, në parti poltike (sidomos pas vdekjes së Rugovës në LDK). Ajo mendësi vepron kudo në borde kryesore udhëheqëse, në juridiksionin e Kosvës, sistemin e sigurisë dhe atë financiar, dhe nëpër media ku haptas mbrohet interesi i Sërbisë mbi Kosovën, që në diskursin polemik edhe sot quhet “titizëm politik” ose servilizëm ndaj një koncepti që tashmë nuk ekziston.
Diferencimi me përjashtim dhe etiketim ishte arma më efikase e neotitistëve shqiptar të ardhur në pushtetin autonom të krahinës, veçmas pas vitit 1981
Një nga doktrinat më të rrezikshme të titizmit ishte diferencimi politik dhe ideologjik i shqiptarëve, sidomos pas demonstratave të vitit 1981. Nomenklatura e Lidhjes Komuniste të Kosovës, me një orientim projugosllav, ishte aktive dhe shumë e ashpër kundër shqiptarëve. Ata në emër të “irredentizmit shqiptar” janë treguar kundër të burgosurve politik shumë ma të ashpër se vet serbet. Janë zbatuar katër forma goditjesh kundër shqiptarëve: Janë përjashtuan studentët nga universiteti; janë ndëshkuar, anatemuar dhe përjashtuar profesorët më të guximshëm nga mësimdhënia në universitet; dhe kudo është goditur inteligjenca e guximshme dhe kritike, kurse në bordet drejtuese filluan infiltrohet elementi i sigurt titist, që u treguan të suksesshëm dhe operativ brenda atij sitemi, dhe u krijua një frikë institucionale e cila ka vazhduar të aplikohet deri kur dha shpirt sundimi jugosllav mbi Kosovën. Hipotetikisht u ringjall kjo frymë pas vdekjes së Dr. Rugovës, me theks në LDK e cila tashmë po vuan atë logjikë ideologjike, duke mbetur në udhëheqje shpura e titizmit dhe vasalet e atij mentaliteti, prandaj ky subjekt politik nga një demokraci substanciale me orientim evropian është rikthyer në nostalgjik të asaj ideologjie. Qëllimi i “titizmit” si doktrinë nuk ishte vetëm shtypja e protestës, por thyerja e boshtit intelektual të shoqërisë shqiptare. Kështu, titizmi nuk luftoi vetëm “nacionalizmin shqiptar”, por luftoi deri në asgjasim vetë mendimin politik shqiptar.
Parulla “Vëllazërim–bashkimi” ishte vetëm ideologji maskuese
Parulla e famshme “Bratstvo i jedinstvo” ishte, në raport me shqiptarët, një doktrinë asimetrike përjashtuese. Ajo kërkonte, heshtje nga dhuna kundrejt shqiptarëve; rritja e dyshimit dhe besnikërisë pa reciprocitet dhe u punua shumë për harresë historike pa drejtësi dhe me të drejta të cunguara.Në praktikë, falë elementit shqiptarë edhe sot në mjetet publike dhe subjektin politik (krahaso me lëvizjet e tanishme brenda në LDK), kjo doktrinë ideologjike mundësoi dominimin serb mbi Kosovën, ndërsa çdo reagim shqiptar u shpall prishje e harmonisë federative. Kështu, “vëllazërimi serb” u shndërrua në instrument disiplinimi politik. Sot ajo logjikë është e shtrirë këmbëkryq brenda udhëheqjes së tanishme në LDK, që janë vazal të kryetarit të asaj doktrine i cili i mban freret e kësaj parti nëpërmes shpurës së tij.
Trashëgimia e titizmit nga Jugosllavia në Kosovën e pasluftës
Titizmi nuk përfundoi me vdekjen e Titos. Ai mbijetoi dje dhe sot si: mentalitet pushteti; kulturë servilizmi; përbuzje ndaj sakrificës kombëtare (sidomos UÇK-së dhe kategorive të dala nga lufta); instrumentalizim i luftës dhe i paqes, urrejtje në mes gjeneratave, dhe prodhimi i urrejtjes ndaj bashkombasve që jetojnë në vendet e zhvilluara në Europë dhe Amerikë. Kjo doktrinë shpjegon arsyen pse, heronjtë u ngrinë në piedestale, ndërsa pushteti u zhyt në tenderë. Trashëgimia titiste është pikërisht kjo ndarje midis simbolikës së lirisë dhe praktikës së pushtetit, në mes shtresës së mërguar që është aset ekonomik i Kosovës dhe servilëve mediokër të katapultuar në sistemin shtetëror e partiak, qoftë si staf civil dhe këshillues e qoftë si sekser për kontrollimin e parasë nëpërme tendereve.
Titizmi si mohim i subjektivitetit politik shqiptar dje, kurse sot mohimi i demokracisë përmes eliminimit
Në thelb, doktrina e titizmit jugosllav ndaj shqiptarëve ishte doktrinë e mohimit: mohim i republikës; mohim i barazisë; mohim i të drejtës për të qenë subjekt politik i plotë, ndërsa sot mohimi i hapur i diasporës për të votuar, për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur. Prandaj, krahasimi im sado i ashpër, në vetvete ka apostrofim të asaj që kundërmon ideologji titiste, nuk është mllef emocinal por është njohje në thelbin e saj ideologjik, simptomët e asaj plage historike të pashëruar i gjejm në Kolonën e Pestë anti Kosovë të strukur në udhëheqjen e LDK-së dhe vazalitetit ndaj “prjësit” i cili ende flet e këshillon se cili duhet të jetë pasardhësi i denjë ideologjik nëse të shtunën do të ik prijësi i tanishëm. Pra doktrinë ideologjike e “titizmit”, është udhëheqje që ndërron emra, por jo natyrën e veprimit. Dhe per pradoks, fajin e ka elektorati po sidomos diaspora që nuk po i mbështesin devijimet e shtrembëruara që ende kërkojnë fajtorin me emër.
St. Gallen, 24 janar 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
