Ylli Mece

Ylli Mece: PËR ATA “ANALISTË” E… “PORDHO-FRESKORË” QË SHTREMBËROJNË HISTORINË…

Ka më shumë se 35 vjet që, nga koha kur forcat regresive të brendshme e të jashtme, në bashkëpunim me devijatorët revizionistë brenda radhëve të PPSH-së, që po degjenerohej, pasi realizuan aktin e parë të marrjes së pushtetit nga populli, për të konsoliduar pozitat e tyre, në aleancë me shtresën e përmbysur të ish ballisto-zogistëve, por edhe të ndihmuar, orkestruar e dirigjuar nga i gjithë reaksioni evropian, me në krye SHBA-në, filluan një fushatë tejet të egër politiko-ideologjike, e shoqëruar me një propagandë në të gjitha fushat, sidomos për të siluruar gjithë epopenë e lavdishme të Luftës Nacional-Çlirimtare, që është dhe mbetet faqja më e ndritur e Atdheut ndër kohë, si dhe për të anatemuar të gjitha arritjet e socializmit.

Tema është shumë e gjerë dhe do të duheshin volume pas volumesh për të përcaktuar me saktësi se si, kur, me ç’forma e metoda u përdorën për shembjen e socializmit; ç’bëri reaksioni i brendshëm e ai i jashtëm; si u gjallëruan zbulimet e huaja dhe koordinimi i veprimtarisë së tyre brenda agjenturave të shërbimeve sekrete; si mundën të degjeneroheshin shumë kuadro të Partisë e të pushtetit dhe, mbi bazën e këtij degjenerimi nga elemente karrieristë e arrivistë, si vepronin e luftonin ata kundër elementeve të ndershme drejtuese pa parti, apo edhe kundër komunistëve të devotshëm etj., etj.?!

Gjatë këtyre 35 viteve, reaksioni kurrë nuk ka reshtur dhe asnjëherë nuk i ka ulur armët e veta ideologjike për të helmuar ndërgjegjen e popullit dhe shtresave përparimtare të tij. Dhe një nga drejtimet kryesore ka qenë jo vetëm sulmi frontal kundër Luftës Nacional-Çlirimtare, por edhe manipulimi, falsifikimi dhe keqinterpretimi i ngjarjeve dhe datave historike, apo edhe i veprimtarive luftarake të brigadave partizane, duke dashur, me një mundim po aq të madh, të rehabilitojnë organizatat tradhtare, për t’i paraqitur ato si forca atdhetare e të përkushtuara ndaj Atdheut.

Në kushte të tilla, ata kanë “të drejtë”, sepse përligjin shtresën e tyre shoqërore që i pati lindur dhe rritur. Kjo do të thotë se një “aga fshati” apo “një kapidan” malsie, për pushtuesit, qofshin ata italianë apo gjermanë, shikonin mirëqenien dhe sigurimin e mëtejshëm të zhvillimit të tyre ekonomik, teksa punëtori dhe fshatari i thjeshtë, përveç shtypjes së brendshme nga bejlerët dhe agallarët e vendit, i shtohej edhe shtypja e çizmes së okupatorit të jashtëm.

Kjo bën dallimin kryesor; kjo bën gjithashtu edhe rreshtimin në pozicione krejt të kundërta të elementeve dhe shtresës së atdhetarëve të vërtetë me individët apo shtresën e tyre që hiqen si atdhetarë, por që në fakt, në kohë pushtimesh, rreshtohen në grupimin e kolaboracionistëve tradhtarë.

Periudha e luftës (unë nuk po e quaj ende Nacional-Çlirimtare), pra periudha e luftës, do t’i vendoste në provë këto shtresa. Po si i bëhej hallit që i zuri këta agallarë e bejlerë, intelektualë spitullaqë që lëpiheshin dikur bulevardeve të Romës, për t’u treguar para Shqipërisë dhe shqiptarëve se këta ishin patriotë të mëdhenj?! Kërkohej medoemos një iniciativë prej tyre… Dhe ata e menduan duke e etiketuar veten “Balli i Kombit”, që do të thotë se, si gjatë periudhës relativisht paqësore i kishim në ballë (sepse ishin ajka, paria), kështu që, për rrjedhojë, edhe në luftë do të ishin patjetër në “ballë”.

Po ç’tregoi veprimtaria e tyre gjatë periudhës së luftës? Ata u betuan se do të merrnin pjesë dhe do të bashkëpunonin me Frontin e madh, të gjerë e unik të luftës… por “dekalogu” i tyre u ngeli vetëm në letër, teksa A. Kupi i “Legalitetit” inatin me pushtuesin e kishte pse ia patën turpëruar Mbretin, duke e përzënë nga froni. Legalistët, madje, as sot nuk e kuptojnë se Zogu i pati braktisur jo vetëm ata, por gjithë popullin dhe krejt Shqipërinë.

Nëse legalistët iu bashkuan, deri në një farë kohe, Frontit Nacional-Çlirimtar, këtë e bënë me shpresë se anglo-amerikanët nuk do të lejonin që pushteti komunist të vinte në fuqi dhe, në kohën që do të çlirohej Shqipëria, Mbreti do të mund të riatdhesohej përsëri… Ndërsa, nga ana tjetër, ballistët brohorisnin “Shqipëria e shqiptarëve” dhe kurrë nuk e morën guximin të thoshin: “Poshtë pushtuesit fashistë!”

Parullën “Shqipëria e shqiptarëve”, edhe sot që nuk jemi në luftë, pra në situata paqësore, kushdo shqiptar i ndershëm mund të dalë në sheshe e të brohorasë, por kur jemi në situata luftarake, flitet dhe veprohet për luftën e për lirinë; flitet kundër dhe veprohet kundër armikut pushtues. Ja pra që shtresa të ndryshme shoqërore, në një periudhë të caktuar historike, vihen në provë.

Ballistët provat i dhanë nga të katër anët, por hapi i parë i guximit të tradhtisë së hapur është “Protokolli Dalmazo-Këlcyra”, ku ballistët dukeshin sikur bënin betimin para flamurit italian se jo vetëm që s’do ta ngacmonin pushtuesin, por, përkundrazi, do të bënin çmos që, edhe atje ku kishte kryengritje nga rebelët e kuq, t’i parandalonin.

Kohët e fundit dalin disa analistë që na citojnë se Lufta Nacional-Çlirimtare kishte karakterin e një lufte civile. Disa ish-profesorë të “regjimit të Enverit” tani dalin e përgënjeshtrojnë vetë leksionet e tyre që mbanin përpara studentëve, madje, me kokën pak lart para kamerave, marrin edhe poza filozofësh, duke deklaruar se PKSH-ja paskësh qenë ajo që i kishte provokuar ballistët, sepse e prishi (sipas këtyre “pordho-freskorëve”) marrëveshjen, teksa dihet se në takimin e parë të Mukjes përfaqësuesit e PKSH-së ranë në pozitat e Ballit.

Mukja u prish për faktin se Balli Kombëtar kërkonte të ishte pjesëmarrës i barabartë në pushtetin e pasluftës, edhe pse nuk kishte shkrepur asnjë armë ndaj pushtuesve. Këtë gjë ata e vërtetuan më së miri me pushtimin gjerman, me të cilët u bënë palë me armikun.

Deri pa u futur gjermanët në vendin tonë, ballistët shpresonin që në Shqipëri, pas kapitullimit të Italisë, të futeshin trupat anglo-amerikane, sikurse ndodhi në verën e vitit 1943, kur ato zbarkuan në Sicili (Itali). Pra, shkonin me idenë se të njëjtën gjë do të bënin edhe britanikët me Shqipërinë, duke mos lejuar që pushtetin ta merrnin komunistët dhe Fronti Nacional-Çlirimtar. Por, kur e vunë re se në vend të anglezëve u futën gjermanët (shtator 1943), ata menjëherë kaluan në pozita të hapura tradhtie, madje kaq të hapura, saqë nuk dalloje dot kush ishte pushtuesi i vërtetë: gjermanët apo ballistët.

Po pse kjo? Mos vallë ballistët këtë gjë e bënë për inat të komunistëve, që nuk lejuan Ballin të ishte pjesëmarrës në pushtet, duke i cilësuar si bashkëpunëtorë me armikun?! Le të supozojmë, për një moment, se PKSH-ja pati gabuar në opinionin që kishte për Ballin. Bukur, po si shpjegohet që ballistët dolën hapur dhe, në inkursionet luftarake të gjermanëve, ishte e vështirë të mos gjeje ballistë?!

Nëse, me të vërtetë, Balli do të ishte një organizatë atdhetare dhe me formacione po aq atdhetare, pse nuk e vazhduan luftën kundër formacioneve naziste gjermane? Pra, Mukja, për ballistët, ishte pretekst. Madje, ballistët ku ta gjenin atë vendim që mori PKSH-ja, sepse kështu e kishin fare të lehtë për të justifikuar bashkëpunimin me gjermanët dhe ata nuk vonuan shumë, sepse pak muaj më vonë futën në Regjencën shqiptare edhe katër ballistë që ishin anëtarë të saj.

Pra, shkurt: si është e mundur që ballistët qëndronin në krah të armikut? Si është e mundur që qeveria e R. Mitrovicës (ballist) dhe ministri i Brendshëm Xh. Deva (ballist) të ishin pjesëtarë në bashkëudhëtimet me pushtuesit? Nëse ishin kaq luftëtarë ballistët, a mund të na tregojnë një aksion të tyre kundër gjermanëve?! Jo që nuk gjendet, por ata u bënë ushtarë rezervë të “Wehrmacht-it” gjerman dhe këtë e pranon edhe vetë një nga hierarkët e lartë të nazizmit, sikurse ishte Neubacher, i cili i raportonte, më 13 shkurt, Ministrit të Jashtëm gjerman, von Ribbentrop, si më poshtë:

“Hyrja e ministrave të rinj në qeveri nuk është e rëndësishme. Balli Kombëtar, i cili u krijua në kohën e tij si një organizatë kundër okupacionit italian dhe ishte solidarizuar me kundërshtarët tanë (britanikët), deri tani nuk pranonte të mbante hapur përgjegjësi. Përfshirja e disa burrave në qeveri, të cilët janë përfaqësues të këtij fronti, është rezultat i luftës sonë të përbashkët me përkrahësit e Ballit Kombëtar në Shqipërinë e Jugut, të cilët, të armatosur prej nesh, luftojnë kundër partizanëve të kuq. Bashkëpunimi i Wehrmacht-it tonë me formacionet e Kadri Cakranit në Shqipërinë e Jugut rezulton tepër i suksesshëm deri tani. Javën e kaluar dështoi një atentat i komunistëve kundër Cakranit, ku mbeti i vrarë nipi i tij”… etj.

Ky është një dokument që është shkruar direkt pas Masakrës së 4 Shkurtit 1944, masakër kjo që ka vulën e tradhtisë së “Ballit Kombëtar” dhe të qeverisë kuislinge të asaj kohe. Ndërkohë, disa analistë këto fakte jo vetëm që i shtrembërojnë e i anashkalojnë si pa gjë të keqe, por gjenden edhe të tjerë të cilët deklarojnë se gjermanët nuk kanë aspak përgjegjësi.

Po ku ua mbante ballistëve tanë dhe qeverisë kuislinge të kryenin operacione të tilla pa u konsultuar, planifikuar, organizuar dhe zbatuar plane të tilla pa dijeninë e Komandaturës gjermane?! Kuptohet që këta lloj analistësh duan ta bëjnë pushtuesin indiferent, “paqësor dhe mik të shqiptarëve”, sikur ai nuk kishte ardhur në Shqipëri nëpërmjet Greqisë për luftë, por ishte në tërheqje e sipër, pa e thënë të vërtetën se gjermanët, si aleatë që ishin me Italinë e Musolinit, u futën për të plotësuar boshllëkun që lanë aleatët e tyre italianë.

Është e pamundur që kjo masakër të mos ketë marrë miratimin e gjermanëve dhe përpjekjet për t’i nxjerrë nazistët pushtues si miq të shqiptarëve dhe “ballistët atdhetarë të mëdhenj” janë falsiteti më i shëmtuar i historisë, që ajo s’do të na e falte kurrë.

Kontrolloni gjithashtu

Ruzhdi Jashari: RETROSPEKTIVË: DIK MARTI DHE FUNDI I GJYKIMIT NË GJYKATËN SPECIALE TË KOSOVËS NË HAGË!

Tani, më datën 9 shkurt, nisin seancat përfundimtare drejt përmbylljes së procesit 6 vjeçar, kundër …